Uk Lushi, aktivist dhe veprimtar në SHBA, ka thënë se Kosova duhet të fokusohet më shumë te dialogu dhe zgjidhja e çështjeve me Serbinë se sa në fjalime – referuar përballjes së presidentes Vjosa Osmani me presidentin serb në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në Neë York më 22 prill.
Ai ka theksuar se në aspektin e marrëdhënieve ndërkombëtare fjalimet nuk sjellin shumë, e se duhen veprime konkrete.
“Këto përballje më shumë janë shitje për publikun dhe politikën e brendshme në të dy shtetet, edhe Vuçiqit në Serbi, edhe presidentes Osmani në Kosovë. Sipas meje, Kosova do të tregonte mençuri nëse do ta sillte nivelin e përfaqësimit në këto seanca diku te niveli i ambasadorit ose konsullit. Nuk ka nevojë që presidentja të shkojë të tregojë për krimet serbe sepse krimet serbe tashmë janë të dokumentuara. E shoh si populizëm që përpos disa votave nuk sjell rezultate konkrete”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta” në KTV.
Sipas Lushit, interesat e SHBA-së nuk ndryshojnë pavarësisht ndërrimit të administratave.
“SHBA-ja i ka disa interesa që nuk i ndryshon asnjë president, nuk ka lidhje a vjen Trumpi pas apo mbetet Bideni. Interesat janë që Kosova të jetë shtet i suksesshëm, që të arrihet normalizim me Serbinë”, është shprehur ai.
Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar në Këshill të Sigurimit të OKB-së se Serbia e ka eskaluar agresionin ndaj Kosovës, duke përmendur kidnapimin e policëve në veri, sulmin ndaj gazetarëve dhe sulmin në Banjskë. Duke folur për procesin e votimit në veri, Osmani ka theksuar se serbët lokalë u mbanë nën presion dhe s’e shfrytëzuan mundësinë për votim.
Osmani ka thënë se mijëra gra në Kosovë kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës, duke përmendur Vasfije Krasniqin dhe Shyhrete Tahirin, dy të mbijetuara. Prezente pranë Osmanit ishte edhe Fahrije Hoti që bashkëshorti iu zhduk nga forcat serbe. Osmani ka folur edhe për mbijetesën e saj dhe aktivitetin e saj si mesazh për të kërkuar drejtësi.
Aleksandër Vuçiq u ankua nga prezenca e Krasniqit, Tahirit dhe e Hotit, duke u shprehur se ky ishte “kurth për delegacionin serb”.
E, Osmani u kundërpërgjigj duke thënë se ato janë pjesë e kabinetit të saj.