Arbëri

Lumi i zi i Kaçanikut

Foto: Alban Bujari / KD

Nerodimes i ka dalë faqja e zezë në Kaçanik. Me të lidhen kujtimet më të bukura të qytetarëve më në moshë. Për të rinj e pleq, sot është kthyer në burim shqetësimesh alarmuese për shëndetin dhe jetën sociale.

Aty Sami Stagova mësoi notin në fëmijëri. Ai dhe bashkëmoshatarët kalonin ditët duke u larë në ujërat e lumenjve të rrethinës. Thotë se jeta sociale e lidhur me Nerodimen e Lepencin ishte unike.

“Familjet tona e kishin kënaqësi, shëndet, edukim mjedisor dhe socializim kalimin e pasditeve dhe fundjavave, posaçërisht në ujin e pastër malor të Lepencit”, kujton me nostalgji Stagova. Gjenerata të tëra të rrethinës kanë lodruar brigjeve të lumenjve që bashkohen në Grykën e Kaçanikut, shkruan Koha Ditore.

Të lindur në “kohën e gabuar”

“Jemi shoqëruar dhe jemi rritur në natyrë, gjë të cilën fëmijët tanë dhe fëmijët e tyre kurrë nuk do të mund ta përjetojnë, sepse kanë lindur në ‘kohën e gabuar’’, thotë Stagova, nga organizata lokale për mbrojtjen e mjedisit, “Gjethi”, teksa kthehet goxha shumë në kohë.

Në një të martë mes shtatorit, ka të rinj që thonë se kanë rralluar shëtitjet e mesditës përgjatë brigjeve të Nerodimës, që përshkon qendrën e qytetit. Lumi po kundërmon. Pronarët e dyqaneve në rrugën kryesore janë shtrënguar të kalojnë më shumë kohë brenda lokaleve. Shtëpitë përreth janë detyruar t’i mbyllin dritaret gjatë muajve të verës. Sasia e ujit është pakësuar për shkak të thatësisë. Shumëkush po i gëzohet ardhjes së vjeshtës. Shpresojnë se fillimi i reshjeve të shtatorit do ta zbusë gjendjen alarmante. Megjithatë, shtrati i Nerodimes ende duket i zi. Lloj-lloj mbeturinash ka nxjerrë në pah rënia e nivelit të ujit. Pleqtë, që kalojnë kohën në stolat e rripave të gjelbër brigjeve, kanë rralluar takimet në këtë hapësirë publike. Nerodimja është kthyer në lumë të ujërave të zeza të Kaçanikut dhe Ferizajt me fshatrat përreth. Ferizaj derdh shtatëdhjetë për qind të kanalizimit në Gurëz, që s’i ka as dhjetë kilometra prej qytezës malore.

“Është fat kur një qytet i ka dy lumenj, e kur njëri e përshkon qendrën e qytetit, sikurse e kemi ne Nerodimen, që është edhe fenomen botëror, dhe e trajtojmë kaq keq. Nerodimja është shndërruar në një lloj Çernobili, sepse të gjitha ujërat e zeza nga Ferizaj dhe fshatrat e vetë qyteti i Kaçanikut derdhin kanalizimet këtu në lumë, që është e tmerrshme”, thekson regjisori Ben Apolloni në bregun perëndimor të lumit në Kaçanik. E krahason me katastrofën bërthamore në Çernobili më 1986 pas një incidenti në reaktorin bërthamor në ish-Bashkimin Sovjetik.

Apolloni ishte iniciator i protestës së gushtit para ndërtesës së Komunës së Kaçanikut. Autoriteteve lokale e qendrore iu kërkua që të merren masa urgjente për gjetjen e një zgjidhjeje që do ta shpëtonte qytezën nga kundërmimi dhe që të mbrohen mjedisi e gjallesat ujore.

“Ka pasur shumë peshq në lumë, ka pasur shumë lloje, dhe tanimë nuk ka. Dhe era e keqe të detyron të ikësh sa më larg prej qytetit. Unë me disa kolegë e miq organizuam një protestë që t’i zgjojmë qytetarët”, thekson Apolloni, njëri prej zërave më kritikë në rrjetet sociale jo vetëm për zhvillimet në rrethinë, por edhe në nivel qendror.

“Zgjimi” i qytetarisë aktive

Thirrjes së tij iu përgjigjën shumë qytetarë. Madje kishte disa gra që ashpërsuan goxha shumë gjuhën në momentin që protestuesit panë se kryetari Besim Ilazi po shikonte tinëz nëpërmjet perdeve të dritareve të zyrës. Këtë “zgjim” të qytetarisë, sikurse i referohet, Apolloni e sheh si shenjë shprese se mekanizmat lokalë e qendrorë mund të shtrëngohen të kryejnë punën për të cilën janë zgjedhur.

“Sepse është interesant me këta njerëz, ngase gjatë historisë kanë lënë vulë me kryengritje, me veprime heroike, por më çudisin se si për njëzet vjet kanë duruar këtë qeverisje të keqe dhe nuk bajnë gjë”, thotë ai. “Atë ditë kur unë e iniciova këtë protestë më erdh mirë që më në fund i pashë të mllefosur e të nervozuar, të nervozuar dhe më dhanë një shkëndijë shprese se do të bahet diçka dhe më në fund do t’u thuhet stop këtyre që e kanë qeverisur keq, sepse përnjëmend e kanë shndërruar në njëlloj varreze masive këtë qytet”.

Fitore Bilalli, studente e vitit të parë e regjisë së teatrit, nuk ishte e pranishme në protestë, por ka mbështetur nismën e Apollonit.

“Qytetarët kanë protestuar për shkak të kundërmimit të pakëndshëm të Lumit Nerodime. Unë nuk kam qenë në protestë shkaku i obligimeve, por e kam përkrahur këtë ide mjaft të qëlluar”, thekson Bilalli, një prej riosheve më aktive në aktivitetet vullnetare kulturore në qytezën ku Kosova ishte shpallur Republikë, me atë që njihet si Kushtetuta e Kaçanikut e 7 shtatorit 1990.

“Për problemin e kundërmimit, kaçanikasit duhet të protestojnë edhe në Ferizaj”, thekson Bilalli.

Ankesa kanë shprehur vazhdimisht edhe banorët e fshatrave Gurëz e Varosh të Ferizajt, që përshkohen nga Nerodimja e ndotur skajshmërisht. Banorët e përfaqësuesit e fshatrave janë ankuar disa herë në komunë, mirëpo deri tashti nuk u janë shqyrtuar ato.

Në Komunën e Ferizajt kanë konfirmuar për gazetën para dy javësh se rreth 70 për qind e ujërave të zeza të kësaj komune derdhen në lumin Nerodime. Kanë thënë gjithashtu se janë të njoftuar me gjendjen e ndotur të lumit, mirëpo janë duke i shikuar mundësitë financiare në bashkëpunim me donatorë të huaj për ndërtimin e një kolektori i cili përfshin trajtimin e ujërave të zeza për dhjetëra fshatra.

Arbër Bytyqi, drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Ferizajt, ka thënë për “Kohën Ditore” se Komuna në bashkëfinancim me Qeverinë hungareze po shqyrton mundësitë për ndërtimin e një kolektori për trajtimin e ujërave të zeza për dhjetë fshatra.

“Jemi në negociata me Qeverinë Hungareze për këtë projekt, andaj aktualisht jemi në fazën fillestare. Ky projekt do të realizohej në fshatin Rakaj dhe do të kushtojë prej 25 deri në 30 milionë euro. Pra, të gjitha ujërat e zeza do të kalojnë nëpër kolektor, do të filtrohen dhe sërish ujërat do të derdhen në lumin Nerodime”, ka thënë ai.

Stagova, aktivisti i “Gjethit”, që ka kundërshtuar edhe ndërtimin e hidrocentraleve përgjatë Luginës së Lepencit në Kaçanik e Shtërpcë për shkak të dëmeve mjedisore, thotë se vetëm ndotja që vjen prej ujërave të zeza e ka shndërruar Nerodimen në kanalizim të hapur për shkak të sasisë së vogël të ujit. Ai thotë se ndotja ka filluar kaherë edhe prej komunave të tjera të rajonit. Stagova tregon se kjo çështje nuk është adresuar asnjëherë nga asnjë nivel i qeverisjes.

“Çka ka ndryshuar për të keq vit pas viti është evidente më së shumti në Komunën e Ferizajt, e cila ka impakt negativ maksimal në këtë kontekst për arsyet në vijim. Pas vitit 1999 aty kishte një zhvillim më të hovshëm ekonomik duke shtuar dukshëm numrin e banorëve”, thotë ai

Stagova thotë se Komuna nuk po mendojnë për trajtimin përfundimtar të ujërave të zeza. “Gjethi” alarmon për rrezikun e kontamanimit të ujërave të lumenjve nga ujërat e zeza dhe përbërësit kimikë të mbetjeve industriale të ndërmarrjeve private. “Gjethi” i kishte rekomanduar Qeverisë lokale që të merreshin masa urgjente për të mbajtur situatën nën kontroll derisa të ndërtohen impiantet për trajtimin e ujërave të zeza. Tuba që vjellin zi shihen brigjeve të Nerodimes nëse merrni rrugë me tren drejt Kaçanikut. Në disa vende, kundërmimi është i padurueshëm, saqë udhëtarët turren t’i mbyllin menjëherë dritaret. Disa gjire janë kthyer në basene ujërash të zeza.

Kujtimet më të bukura fëmijërore të Apollonit lidhen me jetën sociale që zhvillohej dikur ndanë lumenjve në qytet dhe rrethinë.

“Ne jemi rritur rreth Nerodimes, ne jemi larë në Nerodime gjatë verës, ne kemi zënë peshq këtu, do të thotë jemi fëmijë që jemi rritur në këtë lumë, dhe e duam këtë lumë dhe na mungon ajo kohë kur kemi shkuar e jemi hedhur në ato puset, si Pusi i mollave, e kështu me radhë. Dhe përnjëmend është e dhimbshme kur e sheh në këtë gjendje”, thekson ai.

Nerodimja e kujtimeve

Stagova kujton se kalimi i ditëve pranë lumenjve përshkohej nganjëherë edhe me aktivitete që nxehnin gjakrat e të rinjve në vlugun e rritjes. Sot zor të zë syri ndonjë të ri që zgjat shkopin e peshkimit përgjatë krejt shtratit që përshkon rrethinën.

“Peshkimi si sport i veçantë në të kaluarën ka nxitur kalimin e shëndetshëm të kohës, gara mes vete dhe diskutime të nxehta për ndodhitë e ndryshme të ditës. Kjo nuk mund të përjetohet më me peshqit e ngordhur me shumicë që ndodh herë pas here nga ndotjet”, thekson Stagova, duke kujtuar edhe vlerat e dikurshme materiale të përqendruara rreth lumenjve. “Mullinjtë tradicional si trashëgimi që gjithashtu kanë zhvilluar socializimin gati se nuk ekzistojnë më. Kanë mbetur vetëm disa sish që janë në shkatërrim e sipër”. Ai thotë se vlerat tradicionale do të mund të promovoheshin duke ruajtur mjedisin e pastër ujor e tokësor me zhvillimin e sporteve ujore në shtratin e rrëmbyeshëm të Lepencit dhe ofrimin e gatimeve tradicionale duke pasur parasysh se zona ndodhet në afërsi të qendrës turistike në Shtrazë, qendrës së skijimit në Brezovicë, Prizrenin dhe qendrën e skijimit në Tetovë.

Apolloni, megjithatë, ka shpresë se gjendja mund të përmirësohet. Shenjë e parë është mobilizimi qytetar në protestën e mesgushtit për mbrojtjen e bukurive të natyrës. Një pëllumb që fluturon ulët sipër Nerodimes që kundërmon, shpërqendron për pak Apollonin dhe ekipin e gazetës. Këtë e sheh si shenjë pozitive të natyrës.

“Thuhet se natyra na jep do shenja se kur dimë me i lexu mund të vazhdojmë të ecim në atë drejtim. Janë disa simbole që ne duhet të mësohemi t’i lexojmë. Ndoshta edhe ky pëllumb mund të jetë një lloj detaji shpresësdhënës”, shton thotë Apolloni ndanë lumit që vazhdon t’i referohet si “Çernobili i Kaçanikut”.