Arbëri

Lugina do heqjen apo uljen e kërkesës prej 6,000 € për dokumentacion kosovar

Shqiptarët nga Presheva, Medvegja e Bujanovci po kërkojnë që të lehtësohen kriteret për t’u pajisur me dokumente të Kosovës. Ata thonë se duhet të hiqet kriteri i cili kërkon që aplikuesi për lejeqëndrim të ketë në llogari bankare 6 mijë euro, si mjete që shërbejnë për jetesë në Kosovë. Përfaqësuesit e këtyre qytetarëve kërkojnë që kjo shumë të ulet në 500 euro. E sot, Lëvizja Vatra dhe MPB-ja janë dakorduar për krijimin e një grupi punues për përmirësimin e këtij kriteri.

Për ta marrë një letërnjoftim të përkohshëm në Kosovë, shqiptarët nga Presheva, Medvegja e Bujanovci duhet t’i kenë në bankë 6 mijë euro.

Ky është njëri nga kriteret që ata thonë se u kërkohet ta plotësojnë për të marrë lejeqëndrim të përkohshëm apo të përhershëm në Kosovë.

Kaq para ka arritur t’i sigurojë një qytetar nga Bujanovci, i cili për t’i shmangur problemet eventuale me autoritetet e Serbisë ka vendosur ta fshehë identitetin e tij.

Por, këtë kriter ai e quan absurd dhe vështirë të zbatueshëm nga pjesa më e madhe e qytetarëve nga komunat e varfra shqiptare në Serbi.

“Ndoshta për mua ai nuk është problem, por për shumë – 99 për qind të qytetarëve të asaj Lugine – nuk besoj që nuk punojnë jashtë, po mendoj mund t’i plotësojnë këto kushte, që punojnë në Kosovë. Kështu që duhet të merren ndoshta edhe kredi për t’i plotësuar këto kushte, këtë kriter”, ka thënë ky qytetar.

Pas pesë lejeve të përkohshme, këtij qytetari i kanë dalë probleme për të fituar lejeqëndrimin e përhershëm, ndonëse ka 20 vjet që jeton kohë pas kohe në Gjilan.

Të panevojshëm dhe shumë të lartë këtë kriter e vlerëson Lëvizja Vatra, e cila merret me evidentimin e rasteve të diskriminimit të shqiptarëve në Luginë.

“Disa kanë futur 500, 1000 euro dhe e kanë marrë vitin e parë, pastaj vitin e dytë i është refuzuar leje qëndrimi, disave në shumë 2 mijë e 500, 5 mijë dhe 6 mijë. Ky është ndoshta një gabim që bëhet në zyrën për të huaj që nuk e kanë të specifikuar shumën”, është shprehur kryetari i Lëvizjes Vatra, Kushtrim Kadriu.

Nga 6 mijë euro, Kadriu thotë se ky kriter duhet të ulet nën shumën prej 500 eurosh.

“Duhet të jetë shumë ende më simbolike se ajo 500 euro për shkak se edhe 500 euro për shumë qytetarë të cilët nuk janë të punësuar në institucione dhe mezi arrijnë të mbijetojnë është shumë e madhe. Edhe për studentët 500 euro është shumë e madhe sepse studentët nuk punojnë dhe mbahen nga dikush. Shpresoj që të hasim në mirëkuptim të ministrisë së Punëve të Brendshme që ta ulë këtë shifër”, është shprehur tutje ai.

Ministria e Punëve të Brendshme, përmes një përgjigjeje me shkrim, thotë se shuma e qarkullimit financiar është e caktuar.

“Sipas pyetjes suaj, ju njoftojmë që njëri nga këto kritere është: ‘posedon mjete të mjaftueshme për jetesë’. Ky kriter është i përcaktuar me Ligjin 04/L-219 për të Huajt dhe me Vendimin për caktimin e shumës së mjeteve të mjaftueshme financiare për jetesë Nr.005/2020 të MPB-së pika 4.2. “ Kategoria e ribashkimit familjar si tërësi në rastet kur shtetasi i huaj aplikon për ribashkim familjar me shtetasin e huaj i cili posedon lejeqëndrimi valid në Republikën e Kosovës, duhet të dëshmojë qarkullimin financiar vjetor gjashtë (6000) mijë euro në vit. Ky vendim është marrë nga ish-ministri i Punëve të Brendshme, z. Ekrem Mustafa, më datë 14.01.2020”, thuhet në përgjigjen

Por, pas një takimi pasditen e së premtes ndërmjet ministrit Xhelal Sveçla dhe kryetarit të Lëvizjes Vatra, Kushtrim Kadriu, ky i fundit ka thënë është arritur dakordimi për udhëzimin administrativ dhe përmirësimin e kriterit për mjetet financiare.

Të enjten, ministri Sveçla mori vendim që ta zvogëlojë shumën që studentët nga Lugina duhet ta dëshmojnë si qarkullim financiar për të studiuar në Kosovë në 500 euro, nga 2 mijë e 500 sa kishte qenë më parë.