Arbëri

Luftë për kryekuvendarin e Prishtinës

Asamblistët që u përkasin subjekteve në pushtet në Prishtinë kanë thirrur seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal për të premten dhe në rend dite kanë zgjedhjen e kryesuesit të ri. Por, Fehmi Kupina thotë se ai është kryesues dhe nuk ka pozitë vakante. Të njëjtën e ka theksuar edhe MAPL-ja

Pavarësisht që Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e ka hedhur poshtë vendimin për shkarkimin e Fehmi Kupinës nga pozita e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, partitë në pushtet do të tentojnë të zgjedhin kryesues të ri të premten, në një seancë të jashtëzakonshme.

Sipas opozitës në kryeqytet, Fehmi Kupina vazhdon të jetë kryesues dhe LDK-ja e PDK-ja po veprojnë në kundërshtim me ligjin.

Në mbledhjen e pestë të Kuvendit Komunal është votuar për shkarkim të Kupinës, por ai paraprakisht e kishte mbyllur seancën me arsyen se nuk kishte kushte për punë.

Gëzim Sveçla nga Vetëvendosje ka thënë se nuk do të marrin pjesë në seancën e së premtes.

“Nuk është seancë e rregullt. Ligjërisht Kupina është ende kryesues. Nuk mund të thërrasësh seancë për emërimin e kryesuesit kur akoma e ke një kryesues”, ka thënë ai.

E, Kupina në një shkresë dërguar këshilltarëve komunalë të Prishtinës ua ka rikujtuar Rregulloren e Kuvendit Komunal duke nënvizuar nenin që shpjegon se nuk mund të zgjidhet një kryetar i ri përderisa ekziston një aktual.

Thirrjen e një seance të jashtëzakonshme nga, siç thotë ai, anëtari më i vjetër i Kuvendit, Ajet Brajshori, e ka quajtur të jashtëligjshme.

Kupina ka shtuar se edhe pse kërkesa për mbledhje të jashtëzakonshme është bërë me nënshkrimin e më shumë se 1/3-s së anëtarëve të Kuvendit Komunal, procesi është në kundërshtim me dispozitat procedurale dhe me legjislacionin në fuqi.

“Nuk mund të zgjidhet një kryesues i ri, në të njëjtën kohë kur ekziston dhe është funksionale pozita e kryesuesit aktual. Pra, pozita e kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Prishtinës (kryeqytetit) nuk është vakante. Unë e ushtroj këtë funksion dhe mund ta konstatoni edhe nga shkresat tuaja zyrtare se kjo pozitë nuk ka mbetur vakante as nga tendencat kundërligjore të një mbledhjeje të improvizuar të mbajtur nga disa anëtarët të Kuvendit, e cila mbledhje edhe nga ju është konstatuar se mbledhja si e tillë është e jashtëligjshme, si dhe veprimet dhe vendimet e asaj mbledhjeje nuk mund të prodhojnë asnjë efekt juridik”, ka shkruar Kupina.

Ai ka theksuar se kjo mbledhje nuk është thirrur në përputhje me dispozitat procedurale të legjislacionit në fuqi dhe si e tillë nuk duhet të mbahet fare.

“Unë si kryesues i Kuvendit të kryeqytetit, Prishtinës, nuk kam pranuar fare asnjë kërkesë për mbledhje të jashtëzakonshme nga askush, ashtu siç parashihet me ligj, dhe nuk kam ftuar asnjë mbledhje të tillë, as këtë të cilën po e kontestojmë paraprakisht”, ka thënë ai në shkresën dërguar këshilltarëve komunalë. “Gjithashtu, ju paralajmëroj se për çdo veprim apo akt në njohjen eventuale të kësaj mbledhjeje apo vendimeve a veprimeve të saj, unë do të atakoj deri në një vendim përfundimtar. Shpresoj që shqetësimi dhe kërkesa ime do të merret parasysh nga ju dhe do t’i ndërmerrni veprimet e duhura”.

Edhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka reaguar për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme nga opozita e Kuvendit Komunal të Prishtinës për caktimin e kryetarit të ri të Kuvendit Komunal.

Në shkresën e dërguar asamblistit Ajet Brajshori dhe kryetarit aktual të Kuvendit, Fehmi Kupina, thuhet se “mbledhja e V-të e kryeqytetit e mbajtur më 27 qershor ka përfunduar në atë moment kur kryesuesi i Kuvendit e ka shpallur të mbyllur mbledhjen për shkak të rrethanave të krijuara të cilat kanë pamundësuar vazhdimin e mbledhjes. E njëri nga vendimet që nuk krijon efekt juridik është edhe vendimi për shkarkimin e kryesuesit të Kuvendit të kryeqytetit”.

Në shkresë MAPL-ja ka theksuar se Kuvendi i Komunës së Prishtinës ligjërisht ka kryesues dhe ka rekomanduar të mos mbahet seancë për zgjedhjen e një kryesuesi të ri, pasi ka theksuar se fillimisht duhet të zhvillohen procedura për shkarkimin e tij.

Kupina ishte zgjedhur në fillim të mandatit me votat e asamblistëve të subjekteve politike që e bëjnë pushtetin lokal në Prishtinë. Muajin e shkuar ai dha dorëheqjen nga LDK-ja dhe bashkoi votat me opozitën për t’i shkarkuar aksionarët e ndërmarrjeve publike.