Drejtues të Komunës së Prishtinës dhe ata të kompanisë “Pastrimi” kanë vazhduar “luftën”, pas situatës së krijuar në kryeqytet me mosgrumbullimin e mbeturinave. Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci akuzoi ndërmarrjen publike se ka dëmtuar qëllimshëm kamionët e rinj. E kryeshefi i “Pastrimit”, Petrit Reçica, theksoi se komuna nuk i testoi kamionët, para se ta bënte pranimin
Drejtori i Shërbimeve Publike i Komunës së Prishtinës, Bekim Brestovci, ka akuzuar të enjten menaxhmentin e kompanisë “Pastrimi” se ka dëmtuar kamionët e rinj, të cilët u janë dorëzuar me datën 6 shkurt.
Në një konferencë për medie, ai vazhdoi me akuza ndaj drejtuesve të ndërmarrjes publike për, siç tha, situatën që është krijuar nga mosgrumbullimi i mbeturinave në kryeqytet, duke shtuar se po e rrezikojnë edhe shëndetin e qytetarëve.
Sipas Brestovcit, një gjë e tillë po bëhet qëllimshëm për arsye politike.
“Me datën 6 shkurt premtimi i tyre ka qenë që në atë mbrëmje të dalin në operim me kamionët e rinj dhe le që nuk kanë dalë, por kanë krijuar defekte të tilla me kamionë të rinj, për të cilët nuk e di se cili është halli i tyre. Situatë e krijuar qëllimisht për aspekte politike. Kamionët kanë shkuar duke u vozitur e nuk i kanë tërhequr zvarrë. Ndërsa tani ata as nuk lëvizin”, ka thënë Brestovci.
Një deklaratë të tillë e ka quajtur të pabazë kryeshefi i kompanisë “Pastrimi”, Petrit Reçica, dhe ka ngritur kundërakuza. Sipas tij, pranimi i këtyre kamionëve është bërë pa u testuar në terren.
“Është një e pavërtetë shumë e madhe sepse kamionët punojnë, mund t’i shihni edhe tash që ata punojnë. Problemet janë paraqitur gjatë operimit, sepse ne nuk kemi pasur mekanizëm për t’i shikuar në fillim sepse këto janë blerë nga komuna dhe ajo e ka bërë pranimin. Është mirë të pyeten ata se në çfarë mënyre e kanë bërë pranimin – me sy, se në terren jo”, ka thënë Reçica.
Brestovci dhe Reçica folën edhe për akuzat dhe kundërakuzat mes tyre edhe sa u përket mosshpërndarjes së 2500 kontejnerëve të rinj.
“Është e pabazë dhe vetëm për ta hedhur fajin diku tjetër në pamundësi për ta ofruar vetë këtë shërbim. Nëse deklarohen dhe thonë se nuk kemi mundësi t’i shpërndajmë pasi edhe vetë kryeshefi e ka potencuar këtë gjë, mirëpo e kanë mbajtur situatën pezull. Unë i kam bërë thirrje publike edhe në mediet që kemi qenë së bashku me z. Reçica”, ka thënë Brestovci.
E, Reçica ka thënë të jetë joserioze që komunikimet bëhen përmes konferencave dhe medieve.
“Ne nuk mundemi me një fjalë që e shohim në medie të shkojmë dhe të thyejmë drynin e t’i marrim kontejnerët. Neve na duhet një leje, duhet të shohim se çka po pranojmë. Thuhet se janë 2500, por ne nuk e dimë aty. Jemi bazuar në njoftimin që vetë Brestovci e ka proklamuar se kanë ardhur 2500, po ne nuk e dimë. Ata po duan të sjellin një të pavërtetë se kinse ne e kemi krijuar këtë situatë”, ka thënë ai.
Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar masa të ashpra ndaj kompanisë “Pastrimi” për atë që e ka kualifikuar si sabotim nga ndërmarrja, për të grumbulluar mbeturinat.
Polemikat për bërllokun kanë marrë intensitet në fillim të muajit.
Më 5 shkurt, Komuna e Prishtinës ka njoftuar se qytetarët nuk janë të obliguar t’i paguajnë faturat e lëshuara nga ndërmarrja “Pastrimi”, për muajin janar.
Në fund të dhjetorit, asambleja komunale me inicimin e PDK-së dhe me ndihmën e LVV-së, kanë votuar plotësimndryshimin për rregulloren e re për mbeturina. Nëpërmjet ndryshimeve, inkasimi i faturave për kryeqytetasit bëhet nga KRM “Pastrimi” dhe jo nga Komuna e Prishtinës.
Edhe pse Ministria e Mjedisit e pati cilësuar rregulloren e ndryshuar në harmoni me ligjin për mbeturinat, në shenjë pakënaqësie ekzekutivi i komunës e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin, por gjykata ende nuk ka marrë ndonjë vendim.
Pavarësisht kësaj, Komuna të mërkurën ka dalë me njoftim, në të cilin thuhet se qytetarët, tash faturat duhet t’i paguajnë në komunë e jo në KRM “Pastrimi”.
Kryetari Përparim Rama ka thënë se rregullorja e Kuvendit Komunal është pezulluar dhe këtë e ka bërë duke u konsultuar vetëm me zyrën ligjore komunale.
“Pas pezullimit të plotësimndryshimit të rregullores për menaxhimin e mbeturinave, njoftojmë të gjithë qytetarët e Komunës së Prishtinës se faturat për grumbullimin e mbeturinave të lëshuara nga ndërmarrja KRM ‘Pastrimi’ nga data 1 janar 2025 nuk janë të obliguar t’i paguajnë. Nga tani e tutje, pagesat për këtë shërbim duhet të realizohen përmes Komunës së Prishtinës deri në një vendim të ri”, thuhet në njoftimin e Komunës.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, ka konfirmuar se Zyra ligjore e Komunës ka rekomanduar pezullim të menjëhershëm të rregullores.
Ndërkaq, shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, e ka cilësuar antiligjor vendimin për pezullim të rregullores.
Edhe në Institutin e Kosovës për Demokraci e kanë vlerësuar si antiligjor vendimin e fundit, të marrë nga Komuna.
Paraprakisht, Komuna e Prishtinës shpalli gjendje të jashtëzakonshme me mbeturinat, në ditën kur i skadoi kontrata operatorit “Alko Impex”, që për një vit i ka grumbulluar mbeturinat e qendrës së qytetit.