Arbëri

Luftë meritash për transformimin e sallës së Pallatit të Rinisë

Ka qëndruar për shumë vjet si e djegur deri para disa jave, kur për pak kohë u shndërrua në një sallë të bukur, në të cilën u mbajt Festivali i Këngës i Radiotelevizionit të Kosovës.

E ishte ideja e profesorit Ardian Krasta që ky festival të mbahej në sallën në Pallatin e Rinisë, i cili nuk ka pranuar që të flasë për media.

Megjithatë kryeshefja e Pallatit të Rinisë, Mrika Gashi, deklaroi që kishin larguar rreth 150 kamionë me mbeturina nga kjo sallë dhe nga të gjitha kthinat e pallatit.

Kryetari Përparim Rama thotë që përveç kësaj, në plan kanë që ta rinovojnë komplet Pallatin e Rinisë dhe se projekti është duke u bërë nga arkitekti i qytetit.

Sipas kryetarit Rama, gjendja e sallës ka qenë shumë e keqe e edhe pse ka 2 vjet që qeveris me kryeqytetin ishte hera e parë për të që e kishte parë nga afër gjendjen e pallatit.

E edhe pse Komuna kishte ndarë para për këtë realizim, Ministria e Kulturës përmes një postimi në rrjetin social Facebook kishte shkruar se edicioni i parë i këtij festivali u mundësua me mbështetjen e MK-së.

Nuk është hera e parë që niveli qendror në Kosovë është në luftë meritash me nivelin komunal, saktësisht me Komunën e Prishtinës.

E në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, i cili u mbajt të enjten, me kërkesën e kryetarit Rama ishte futur në rend të ditës për miratim pika, e cila do t’ia lejonte vetë Ramës subvencionimin e projekteve sa herë që ai do.

Ndër projektet që u subvencionua ishte edhe ndërmarrja e Pallatit të Rinisë, me 115 mijë euro, nën arsyetimin që vetë kjo ndërmarrje nuk ka gjenerim të të hyrave dhe nuk po mund ta paguajë as stafin e saj.

Në seancë nuk ishte e pranishme kryeshefja Gashi për ta prezantuar buxhetin dhe të hyrat e ndërmarrjes, gjë që nxiti shumë reagime nga opozita, e cila ka kohë që nuk i voton pikat e rendit të ditës të Kuvendit Komunal.