Prej se ishte nisur për në Poloni, gazetarja Saranda Ramaj thotë se e kishte në mendje të hynte në Ukrainë. Dhe ia arriti qëllimit. U fut në Lviv, duke kaluar fshatrat në këmbë e me autobus, përderisa kufirin e kaloi me pasaportën pa vizë për në Ukrainë. Kameramani Vigan Morina mbeti në Poloni, e prej aty nuk do të bënte vetëm punën që kryen tash e sa vjet. Mori edhe detyrën e gazetarit
21 marsi 2022 do të ngelet përjetësisht në mendjen e gazetares së Grupit KOHA, Saranda Ramaj. Është dita kur me pasaportë të Kosovës kaloi kufirin ndërmjet Polonisë dhe Ukrainës dhe nisi raportimin nga ish-republika sovjetike në luftë, që ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
“Në fakt, unë kur jam nisur prej Kosove në Poloni për raportimin për luftën në Ukrainë, ndoshta nuk u kam thënë shumë njerëzve, por në mendjen time, mendimi i parë dhe kryesor ka qenë që duhet të arrij në Ukrainë, megjithëse ka shumë vështirësi për shkak se ata nuk e njohin pasaportën e Kosovës”, thekson Ramaj për emisionin COSMO të KTV-së.
Dhe me të arritur në kufirin ndërmjet shtetit anëtar të BE-së dhe Ukrainës, vetëm sa do t’i shtoheshin kureshtja dhe adrenalina që të gjente një shteg për të kaluar matanë kufirit ku po zhvillohet lufta që po ndan Evropën demokratike dhe Rusinë e Vladimir Putinit, të cilit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i referohet si kriminel lufte.
Këmbë nëpër fshatrat ukrainase
Bashkë me Ramajn në Poloni ishte edhe kameramani Vigan Morina. Ai thotë se ekipi ishte përgatitur paraprakisht psikologjikisht duke pasur parasysh se edhe vetë ata kujtojnë fare mirë tmerret e luftës së vitit 1999 në Kosovë.
“Është dashur të ishim të përgatitur se po shkonim në një vend ku ka refugjatë, ku ka emocione të përziera krahasuar me vendet e tjera ku s’ka luftë, ose me vendin tonë momentalisht”, thekson Morina, i cili nga Polonia do të bënte njëherësh edhe gazetarin pas kalimit të Ramajt matanë kufirit.
“Kur kam arritur në pikën kufitare për këmbësorë, e di që kam biseduar diçka në gjuhën ukrainishte, natyrisht unë nuk e kam kuptuar dhe e kam parë se ka provuar disa herë ta konfigurojë pasaportën në sistem”, tregon Ramaj. Pas disa përpjekjesh, zyrtarja kufitare do t’i kontrollonte distinktivin e gazetares së Grupit KOHA. “Nuk ka pasur pyetje në lidhje me pasaportën. Një koment i saj, e di që ka qenë pasi ma ka vulosur, ka qenë: ‘Pasaporta juaj është shumë jokualitative’”.
Ramaj, pas kalimit nëpërmjet pikës për këmbësorë, do të niste në këmbë udhëtimin përgjatë fshatit të parë ukrainas, Shehyn. Do të kalonte edhe fshatin e dytë para se të priste një biletë në një stacion të vogël për qytetin e parë të madh në perëndim të Ukrainës.
Me një autobus të vjetër e duke kaluar nëpër shumë postblloqe ushtarake, do të rrugëtonte drejt Lvivit, qyteti më i madh perëndimor i Ukrainës, që po përballet me bombardimet ajrore e pushtimin tokësor të ushtrisë ruse prej 24 shkurtit. Periferia e Lvivit ka qenë cak i bombardimeve ajrore, por qyteti vazhdon të mbetet vendi ku po strehohen shumë ukrainas të pjesës qendrore e lindore dhe po përballen me sulme e masakra të kryera nga trupat ruse.

Alarmi i frikshëm i sulmeve
Me gjithë gjallërinë nga ngritja e përnjëhershme e numrit të banorëve, Lvivi më nuk është qytet i zakonshëm. Rreziku për sulme paralajmërohet disa herë në ditë.
“Kur zbrita në Lviv mu duk fillimisht një qytet krejt normal, me gjallëri, shumë njerëz, por kjo do të zgjaste vetëm dyzet minuta”, thekson ajo, duke treguar për momentin kur do të dëgjonte alarmin. “Dhe kam parë se si qyteti zbrazej shumë shpejt dhe i kthehej ajo zymtësia e luftës”.
Ramaj ka biseduar me policë e ushtarë të Ukrainës nëpër pika të ndryshme të qytetit, derisa të gjithë qytetarët nga 18 deri në 60 vjeç po lajmëroheshin vullnetarisht që të luftonin kundër forcave ruse.
Në këtë qytet janë vendosur shumë ekipe televizive nga të gjitha qoshet e botës. Të pakta janë vendet e lira në hotele e bujtina, pasi që përparësi i jepet strehimit të refugjatëve. Edhe në Lviv është rritur frika se mund të intensifikohen sulmet.
Dhe tashmë edhe nga ky qytet ka nisur të shtohet numri i atyre që duan të largohen nga vendi në luftë. Por lufta për një vend në autobus e trena është sfidë më vete. Sidomos për pleqtë, fëmijët e gratë.
KOHA ka udhëtuar me mijëra refugjatë që kanë pritur për orë të tëra të natës në stacion për të zënë vend në trenin që shpie drejt qytetit të parë kufitar në Poloni. Temperaturat janë të ulëta. Ka vetëm një sallë të mbyllur. Treni niset fiks në katër të mëngjesit.
“Ka më shumë se tri orë që po presim në stacionin e trenit për të zënë një vend në tren dhe për të shkuar drejt Polonisë”, do të thoshte Ramaj gjatë një stand-up-it nga qyteti ukrainas, duke sjellë pamje të nënave që me foshnja në prehër presin në platenë e betonuar në orët e para të mëngjesit.
Toka e shpresës
Shkelja në tokën e Bashkimit Evropian është shpresa e fundit për refugjatët ukrainas. Ata ia kanë kthyer shpinën luftës, por me vete kanë kujtimet e tmerrit e frikën për më të dashurit e tyre që po luftojnë për lirinë e vendlindjes.
Ramaj, e cila do të udhëtonte bashkë me refugjatët ukrainas, në Poloni po e priste kameramani Morina, i cili përditë po sillte dëshmitë e të mbijetuarve të luftës në Ukrainë.
“Gjendja emocionale ka qenë shumë e rëndë. Mua më ka rastis me pa vetëm gra, njerëz të shtyrë në moshë dhe fëmijë të vegjël. Njerëz që nuk po e dinin se nga po shkonin. Pa orientim, pa gjëra elementare për ta”, ka thënë Morina.
Refugjatët i kanë treguar ekipit të KOHË-s se nga mendja nuk po u ndahen shpërthimet e bombave, krismat e plumbave dhe jehona e alarmeve. Javë të tëra i kanë kaluar të mbyllur në strehimore të errëta e me mungesë ushqimi elementar. Vetë kanë shpëtuar, por druajnë se më nuk do t’i shohin të gjallë më të dashurit e tyre.
“Kam dëgjuar jehona e shpërthime bombash vazhdimisht. Jeta ime ishte gjithnjë në rrezik”, i thotë një plak ukrainas Ramajt e Morinës në Medyka, pikë kufitare në Poloni.
Një grua ukrainase tregon se si disa javë i kaloi duke u strehuar në Kiev e Bua, qyteza në rrethinën e kryeqytetit ukrainas, ku janë ekzekutuar e masakruar më shumë se treqind civilë nga trupat ruse.
“Shumica janë duke marrë autobusët dhe po largohen nga këtu dhe po lëvizin drejt qyteteve të Polonisë këtu, qoftë në shtetet që janë rreth Polonisë”, do të thoshte Morina në paraqitjen e drejtpërdrejtë nga Medyka në emisionin “60 Minuta” të KTV-së, derisa Ramaj ndodhej në Lviv.
“Normalisht duke qëndruar gjithnjë prapa kamerës, nuk e kam pasur atë ndjenjën qysh është përballë saj. Aspak nuk ishte e lehtë, ishte shumë e vështirë”, thotë Morina në studion e madhe të KTV-së.
Por Medyka, fshati kufitar i Polonisë, nga 24 shkurti është kthyer në portë shprese për ukrainasit. Këtu i presin njerëz të panjohur, por që dëshmojnë bujarinë e tyre. Refugjatët nuk e dinë se ku do të shkojnë.
Dikur vetë refugjatë, tani reporterë të refugjatëve të Ukrainës
Kameramani Morina gjatë luftës ishte refugjat në Maqedoni, ndërkaq Ramaj në Mal të Zi. Ata i dinin sfidat me të cilat do të përballeshin ukrainasit në vendet e huaja.
“Kam qenë tetë vjeçe gjatë luftës, dhe kam qenë refugjate si shumica e kosovarëve. Nuk besoj se ky fakt na bën më empatik, sepse gjithë bota është treguar empatike me refugjatët dhe viktimat e Ukrainës”, thekson Ramaj. “Por gjithsesi si të arrish në kufi të ringjallet ndjenja e të qenët refugjat dhe besoj se askush më mirë se ne gazetarët kosovarë, mund t’i kuptojnë refugjatët dhe qytetarët e Ukrainës”.
Morina do të raportonte sesi pesëmbëdhjetë britanikë kishin shkuar vullnetarisht në Medyka që të gatuanin e zienin ushqime të ngrohta për refugjatët ukrainas. “Dhe një storie tjetër e kam bërë për trenin në Przemysl, që brenda 24 orëve vinte dy herë nga Ukraina”, kujton Morina, derisa përshkruan gjendjen në stacionin e trenit në qytetin lindor të Polonisë. “Atë ditë kur i pyeta se sa herë po vjen, më thanë se nuk kemi asnjë evidencë se non-stop janë duke ardhur trena me refugjatë nga Ukraina”.
Refugjatët ukrainas po priten në mënyrë të organizuar nga organizatat joqeveritare e institucionet e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, duke iu ofruar strehim, punë e socializim.
Por Medyka, fshati kufitar me rreth 2.500 banorë, është i përgatitur, duke iu ofruar ukrainasve ushqim, numra telefoni, ndihmë mjekësore, rroba e lodra për fëmijë.
Babadimri i pazakonshëm
Chris Gural, instruktor auto shkolle, ka mbledhur të gjitha lodrat në shtëpi që sadopak t’ua kthejë buzëqeshjen fëmijëve ukrainas.
“Unë iu dhuroj buzëqeshje. Kjo është e gjitha. Fëmijët kur më shohin më buzëqeshin dhe ndoshta që për 20 a 30 minuta ta harrojnë luftën dhe të mendojnë për babadimrin ose për lodrat”, i thotë Gural ekipit të KOHË-s në pikën kufitare në Medyka.
Me të arritur aty, refugjatët e dinë se i kanë shpëtuar luftës, por me mendje asnjëherë nuk shkëputen prej saj, për shkak të familjarëve e bashkatdhetarëve në Ukrainën në luftë. E shumë prej tyre s’durojnë dot më dhe kthehen që ta mbrojnë vendlindjen e tyre.
“Jemi në pikën kalimtare në pikën kufitare në Medyka në Poloni, ku të shumtë janë refugjatët ukrainas që po vijnë në këtë shtet për të gjetur strehim”, do të përshkruante Ramaj në njërën prej paraqitjeve të saj nga pika kufitare për këmbësorë. “E sot për dallim nga ditët e tjera, siç kanë thënë vullnetarët e angazhuar në këtë pikë, ka qytetarë ukrainas që po kthehen në vendin e vet”.