Jeta Loshaj nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka vlerësuar se pezullimi i ndihmës ushtarake nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Ukrainën ka pasoja të mëdha dhe ndikon në dinamikën e luftës.
Sipas saj, ky vendim krijon një situatë të pasigurt për Ukrainën, ndërsa Rusia mund të shfrytëzojë këtë vakum për të intensifikuar sulmet.
“Fjalët kryesore të çerekut të parë të këtij viti janë paqartësia, paparashikueshmëria dhe paqartësia. Lajmet e tilla janë provë e kohërave në të cilat po jetojmë tani”, ka thënë Loshaj në “Interaktiv”.
Ajo theksoi se pezullimi i ndihmës është një goditje e madhe për Ukrainën, e cila që nga fillimi i luftës ka demonstruar rezistencë shembullore.
“Mbështetja ushtarake dhe morale nga SHBA-ja dhe Evropa ka qenë një faktor kyç për Ukrainën. Me pezullimin e ndihmës, morali i ukrainasve mund të ndikohet, por shpresojmë se kjo ndihmë do të rikthehet”, shtoi ajo.
Nga ana tjetër, Loshaj theksoi se ky pezullim i ndihmon Rusisë dhe presidentit Vladimir Putin, duke i dhënë hapësirë për të shfrytëzuar boshllëkun e krijuar.
“Kjo situatë i shkon për shtat Rusisë, e cila mund të intensifikojë sulmet dhe të avancojë më tej”, theksoi ajo.
Në lidhje me reagimin e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili i ra pishman për që i ndodhi me Trumpin, Loshaj ka thënë se ai po vepron në mënyrë pragmatike, duke kërkuar çdo mundësi për të siguruar ndihmën e domosdoshme për vendin e tij.
“Zelensky e ka jetike këtë ndihmë dhe është shprehur i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjen për mineralet në çfarëdo forme”, përfundoi ajo.