Arbëri

Lokalizohet zjarri në Fushë-Kosovë, u dogjën sipërfaqe hamullore

Një zjarr i shkaktuar të dielën mbrëma në Fushë-Kosovë, është lokalizuar nga ekipet e zjarrfikësve.

Ndihmësi i komandantit të Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi, i ka thënë KOHËS se zjarri u shkaktua në afër deponisë së mbeturinave dhe se ekipet kanë dalë menjëherë në vend të ngjarjes. Shkaktar i zjarrit sipas tij është faktori njeri.

“Zjarri tashmë është nën kontroll. Ai kishte përfshirë sipërfaqe me hamullore dhe bari të thatë. Ekipet janë angazhuar nga ora 20:40 dhe kanë arritur ta kontrollojnë”, ka thënë ai.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, duke i thënë KOHËS se kanë asistuar në shuarjen e zjarrit.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, u ka bërë thirrje fermerëve të mos i djegin hamulloret, pasi përpos ndotjes së ambientit, mund të rrezikojnë jetën e qytetarëve. Ai ka paralajmëruar masa ndaj personave që shkaktojnë zjarre të tilla.