Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka anuluar zgjedhjet në Komunën e Hanit të Elezit, pas ankesës së kandidatit të pavarur, Rufki Suma. Teksa Suma ka thënë se shpreson që në rivotim të mos ketë “presion mbi qytetarët”, kandidati i PDK-së, të cilin votat e së dielës e nxorën fitues, ka paralajmëruar ankesë
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka anuluar zgjedhjet në Komunën e Hanit të Elezit.
Ky institucion të enjten ka miratuar ankesën e kandidat të pavarur, Rufki Suma, i cili pretendonte se kundërkandidati i tij nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Mehmet Ballazhi, ka ushtruar “presion ndaj votuesve për ta votuar subjektin e caktuar politik”.
PZAP-ja nëpërmjet një vendimi e ka pranuar ankesën e Sumës, duke e anuluar procesin zgjedhor, me arsyen e “minimit të integritetit të procesit”.
“Anulohet procesi i votimit për zgjedhjet lokale të datës 17.10.2021, vetëm për kryetar komune, për shkak të minimit të integritetit të zgjedhjeve si rezultat i presionit dhe organizimit me qëllim të përfitimit të mbështetjes së votuesve”, shkruhet në vendimin e këtij institucioni.
Pas vendimit, Suma i ka dhënë KOHËS detaje lidhur me pretendimet e ngritura. Sipas tij, kundërkandidati Ballazhi i kishte vizituar ditën e zgjedhjeve të katër vendvotimet ekzistuese në Han të Elezit.
“Ai vizitoi të gjitha vendvotimet, kinse në cilësinë e shefit të Shtabit Zgjedhor. Sipas ligjit, nuk lejohet që një kandidat për kryetar apo për asamble të vizitojë vendvotimet e tjera, përveç aty ku duhet të votojë vetë”, ka thënë ai.
Suma ka folur edhe për rivotimin, duke thënë se shpreson të mos ketë “presion mbi qytetarët”.
“Është vendim i popullatës se a fitoj apo jo tash në rivotim. Unë vetëm shpresoj që të mos ketë presione dhe ndikim te votuesit”, është shprehur ai.
Vendimi i së mërkurës që doli nga PZAP-ja e detyron Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ta përsërisë votimin vetëm për kryetar komune.
“Urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), me seli në Prishtinë, ta përsërisë votimin vetëm për kryetar komune në Qendrat e Votimit (QV) Nr. 3301d, 3302d, 3303d dhe 3304d të gjitha në Komunën e Hanit te Elezit”, sqarohet tutje në vendim të PZAP-së.
Mirëpo, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk mund të caktojë ende një datë të mbajtjes së këtij procesi.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, thotë se duhet të konsumohen afatet ligjore para se të dilet me një vendim.
“Në vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rivotim për kryetar komune në Han të Elezit, në të gjitha qendrat e votimit të kësaj komune, ka këshillë juridike sipas së cilës lejohet ankesa në Gjykatën Supreme. Prandaj, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve do të presim që palët t’i shterojnë mundësitë brenda afateve të përcaktuara ligjore, para se të bëjmë deklarime të tjera”.
Të drejtën e tij për ankesë në Gjykatën Supreme e ka proklamuar edhe Mehmet Ballazhi, kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Hanit të Elezit që zgjedhjet e 17 tetorit e nxorën fitues. Ai nuk pajtohet me vendimin e Panelit për Ankesa dhe Parashtresa. Ka thënë se të premten do të ankohet në Supreme, duke deklaruar se “Supremja s’është në nivelin e Sumës që të marrë vendim për anulim”. Po qe se Supremja vendos sikur PZAP-ja për të përsëritur zgjedhjet, Ballazhi ka thënë se do të fitojë edhe më thellë.
“Do të turpërohet nëse ndodh të ripërsëriten zgjedhjet, sepse do të ketë humbje edhe më të thellë. Ne do të kemi fitore edhe më bindëse. Do të doja ta falënderoja zotin Suma, sepse do të festojmë për herë të dytë. S’është fakt, sepse unë i kam përshëndetur ata që ishin në vendvotime dhe s’kam shkelur diçka. Zoti Suma mund të bëjë insinuata e mashtrime, por s’mund të besoj se Supremja bie në lajthitje e t’u besojë fakteve të pabaza. Besoj shumë në vendim të drejtë të saj”, ka thënë ai teksa ka përfunduar se “tashmë qytetarët e kanë pa se Suma po e tepron me pushtetin duke mos i përmbushur kërkesat e tyre”.Ballazhi ka 24 orë kohë të ankohet pranë Gjykatës Supreme, institucion ky që brenda tri ditëve duhet të marrë një vendim mbi rastin.
46 ankesa në PZAP
Për ditën e zgjedhje në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa janë paraqitur gjithsej 46 ankesa. Të enjten, ky organ ka marrë disa vendime. Në mesin e tyre edhe anulimin e disa prej ankesave të kandidatit të pavarur për Komunën e Skenderajt, Bekim Jashari. Ai kishte paraqitur dhjetë ankesa, ku kishte kërkuar edhe përsëritje të votimit në vendvotime të caktuara me pretendimin se ishte ushtruar presion mbi votuesit nga ana e Partisë Demokratike të Kosovës.
Gjashtë prej këtyre ankesave janë refuzuar, në mesin e tyre edhe ato ku kërkohej rivotim. Refuzimi nga ana e PZAP-së u bë nën arsyetimin se janë ta pabazuara. Katër ankesat e tjera që u pranuan pjesërisht ishin për keqpërdorim me fletëvotime e vendvotime, ku katër personave u është ndaluar puna në zgjedhje e kandidimi për pesë vjetët e ardhshëm.
“I ndalohet pjesëmarrja në zgjedhje, si kandidat apo edhe si pjesë administrative e ndonjë organi zgjedhor për periudhën kohore në kohëzgjatje prej 5 (pesë) vjetësh, nga dita e marrjes se vendimit”, shkruhet në vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Një pjesë tjetër e ankesave që u dërguan pranë këtij institucioni kishin të bënin me thyerje të heshtjes zgjedhore në ditën kur zhvilloheshin zgjedhjet. PZAP-ja ka shqiptuar 16 dënime me gjobë për thyerje të heshtjes zgjedhore e Kodit të Mirësjelljes. Më së shumti është dënuar Lidhja Demokratike e Kosovës, ku janë shqiptuar shtatë gjoba në vlerë totale prej 7 mijë e 500 eurosh. Me tri gjoba në vlerë prej 3 mijë e 400 eurosh është dënuar Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës është dënuar me 2 mijë e 200 euro për dy gjoba, pasuar nga Iniciativa Qytetare në Obiliq që ka marrë dy gjoba në vlerë prej 1 mijë e 250 eurosh. Partia Liberale Egjiptiane dhe Organizata Balli Kombëtar Demokrat janë dënuar me nga 300 euro, ndërkaq Lista e Pavarur e Bekim Jasharit është gjobitur me 1 mijë e 800 euro për shkelje të Kodit të Mirësjelljes për subjektet politike.
Rinumërim në 23 vendvotime
Përpos vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për rinumërimin e 23 vendvotimeve. Prej tyre, tetë janë për kryetarë të komunave e 15 për kuvende komunale.
“Sipas vendimit të KQZ-së, 8 vendvotime që do të rinumërohen u takojnë zgjedhjeve për kryetarë të komunave dhe u takojnë këtyre komunave: Kaçanik (1 vendvotim), Klinë (1), Mitrovicë e Jugut (1), Podujevë (1), Prishtinë (2), Prizren (1) dhe Skenderaj (1). Po sipas vendimit të KQZ-së, 15 vendvotimet e tjera që do të rinumërohen u takojnë zgjedhjeve për kuvende komunale dhe u takojnë këtyre komunave: Mitrovicë e Jugut (1 vendvotim), Novobërdë (1), Podujevë (1), Prishtinë (4), Prizren (4), Skenderaj (3) dhe Ferizaj (1)”, ka sqaruar Elezi, zëdhënësi i KQZ-së.
Nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve gjithashtu është kërkuar anulimi në disa vendvotimeve i votave me kusht. Për këtë, anëtarët e KQZ-së kanë kërkuar që të përfshihen edhe institucionet e hetuesisë.
“Secila votë është e shenjtë, prandaj mendoj se këto si të tilla i kemi edhe numrat dhe duhet të bëhen gati për Prokurorinë për hetime”, ka deklaruar Sami Kurteshi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ.
Ndërkohë, Florian Dushi, përfaqësues i LDK-së në këtë institucion, ka kërkuar nga Sekretariati dhe QNR-ja t’i analizojnë me vëmendje rastet e keqpërdorimeve të mundshme.
“Unë pajtohem që të shqyrtohen më tutje, por gjithsesi kërkoj nga Sekretariati dhe QNR-ja, të cilët kanë krijuar një përvojë profesionale, t’i analizojnë me vëmendje këto raste, nëse ata vijnë në konkludim që rastet për të cilat po flasim dhe duhet të marrim vendim për anulimin e tyre, janë raste për tentim të manipulimit me procesit zgjedhor, atëherë të dërgohen në prokurori”, ka thënë Dushi.
Zgjedhjet lokale u mbajtëm më 17 tetor, ku në 16 komuna u përcaktua kryetari i ri, derisa në 21 të tjera do të ketë balotazh më 14 nëntor