Arbëri

Loja e Serbisë me dialogun

Dialogu

Dhe derisa Perëndimi flet me dy mendje dhe pas zbehjes së shpresave për integrim të afërt të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, Serbia po vazhdon të paraqitet si palë negociuese, por pa gatishmëri për kompromis për të kaluar presionin në anën e Bashkimit Evropian për përshpejtimin e integrimit të rajonit, të përfshirë në tensione të reja për shkak të përzierjes së drejtpërdrejtë të Serbisë në shtetet fqinje nëpërmjet mekanizmave fetarë e politikë

Dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk po i shihet kurrkund fundi.

Krejtësisht të kundërta i kanë qëllimet palët. Serbia e Aleksandër Vuçiqit vazhdimisht përsërit se nuk do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur, derisa Kosova nuk lëshon pe në kërkesën e saj për njohje reciproke. Për këtë, Kosova ka mbështetjen amerikane në procesin dialogues të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, që Kosovës ende nuk ia ka njohur pavarësinë.

Dhe derisa Perëndimi flet me dy mendje dhe pas zbehjes së shpresave për integrim të afërt të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, Serbia po vazhdon të paraqitet si palë negociatore, por pa gatishmëri për kompromis për të kaluar presionin në anën e Bashkimit Evropian për përshpejtimin e integrimit të rajonit, të përfshirë në tensione të reja për shkak të përzierjes së drejtpërdrejtë të Serbisë në shtetet fqinje nëpërmjet mekanizmave fetarë e politikë.

Rikthimi i tensioneve

Dhe alarmi për rikthimin e mundshëm të tensionove mes Kosovës e Serbisë është përmendur në përmbylljen e diskutimeve në kuadër të Forumit të Sigurisë në Beograd. Derisa zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë thënë se varet prej palëve se deri ku duan të shkojnë me marrëveshje, ata të shoqërisë civile kërkuan ndryshimin e qasjes së BE-së, në mënyrë që dialogu të jetë më produktiv.

Përplasja e nivelit më të lartë, reflektohet edhe në perceptimet e qytetarëve në Kosovë e Serbi. Në kuadër të Forumit është prezantuar edhe një hulumtim që konfirmon dallimet e mëdha mes qytetarie nga të dyja anët. Derisa për serbët, kërkesa kryesore vazhdon të jetë themelimi i Asociacionit, kërkesa kryesore për kosovarët vazhdon të jetë njohja e ndërsjellë dhe ulësja në OKB.

“Shqiptarët dhe serbët ndajnë histori të përbashkët, ndajnë perspektivën e përbashkët të integrimit evropian, por ndajnë edhe problemet që përditë burojnë nga korrupsioni, varfëria, institucionet e brishta, mungesa e sundimit të ligjit”, ka thënë Marija Milosheviq, nga Kragujevci.

Ajo ka thënë se nëse zgjidhja e problemeve, do t’i kontribuonte theksueshëm pajtimit eventual dhe normalizimit të marrëdhënieve. Milosheviq nuk beson se dialogu, qysh po zhvillohet tani, i kontribuon zgjidhjes së problemit. “Por, vetëm sa e thellon atë, dhe pajtimi i sinqertë kërkon vullnet politik të elitave politike që do të përçonin sinjal të mirë te qytetarët, dhe që do të reflektonte në jetën e përditshme dhe marrëdhëniet e përbashkëta”.

Image
Alarmi për rikthimin e mundshëm të tensioneve mes Kosovës e Serbisë është përmendur në përmbylljen e diskutimeve në kuadër të Forumit të Sigurisë në Beograd

Me rrugë të ndara drejt qëllimit të përbashkët

Ndërkaq Kujtim Ademi nga Mitrovica, ka thënë gjatë prezantimit të videos se shqiptarët dhe serbët i përbashkon rruga e integrimit evropian, porse qëndrimet politike për qëllimin e përbashkët janë krejtësisht të ndryshme. Sipas tij, edhe dallimet kulturore dhe fetare kanë ndikuar në raport fqinjësore.

“Dhe mungesa e fqinjësisë së mirë, assesi nuk kontribuon në rrugën e përbashkët evropiane”, ka thënë Ademi, duke shtuar se problemi nuk është vetëm politik, porse ka edhe mungesë të vullnetit për integrim të përbashkët evropiane dhe se kanë dallime shumë të mëdha. “Dhe sovraniteti territorial është problem shumë i madh dhe mendoj se edhe për një kohë do ta pengojë rrugën e përbashkët të këtyre dy popujve”.

Joseph Pandur, këshilltar politik i Emisarit për Dialog, Miroslav Lajçak, ka thënë se zhvillimet e fundit duhet të shërbejnë si pikë kthese për arritjen e marrëveshjes. Ai ka thënë se gjatë viteve të kaluara janë shënuar edhe suksese në dialog, porse “rrallëherë ndodh brenda natës” të arrihet ndonjë marrëveshje historike.

“Këtë e kemi parë së fundmi ngritjen e tensioneve në veri të Kosovës për çështjen e targave të makinës, por edhe për çështjen e operimit të policisë”, ka thënë Pandur pas shfaqjes së video-intervistave me qytetarë të dy shteteve. “Këto çështje e bëjnë dialogun edhe më të rëndësishëm, sikurse e kemi parë nën ndërmjetësimin e BE-së kur në shtator, dy palët arrtën marrëveshje për këto çështje dhe për përshkallëzimin e tensioneve”.

Këshilltari i Lajçakut e ka pranuar se duhet të ketë koordinim më të mirë ndërmjet aleatëve transatlantikë për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet dy vendeve.

S’ka zgjidhje pa njohje

Por, njohësit e dialogut thonë se pa fuqizim të rolit amerikan në dialog nuk mund të ketë marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Brukseli ngulmon se ka përkrahjen e fuqishme të Washingtonit në procesin e ndërmjetësimit, por edhe marrëveshja për targat u arrit vetëm pas përfshirjes së Shteteve të Bashkuara.

Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se njohja de jure e Kosovës nga Serbia do të zgjidhte problemet ndërmjet dy vendeve.

“Dialogu shënoi pak më shumë se një dekadë, edhe rezultate e tij janë goxha të mangëta krahasuar me misionin dhe objektivat që janë vendosur që në fillim nga ndërmjetësuesi Bashkimi Evropian, por edhe nga të dyja vendet veçanërisht”, thekson Fetahu, duke shtuar se “dialogu duhet të përfundojë me një zgjidhje politike, që në thelb ka njohje de jure nga Republika e Serbisë për Republikën e Kosovës”.

Fetahu mendon se njohja e pavarësisë dhe hapja pranimi eventual nga Kombet e Bashkuara do të etablonte shtetësinë e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Por Vuçiqi e ka përsëritur ngulmueshëm se nuk do ta njohë asnjëherë pavarësinë e Kosovës

Bashkimi Evropian këmbëngul se ka mbështetjen e mjaftueshme amerikane, ani pse Marrëveshja e Washingtonit nën presidencën e Donald Trumpit zuri në befasi edhe zyrtarët më të lartë të Brukselit. Por, shumëkush beson se me kthimin e Joe Bidenit në Shtëpinë e Bardhë, tani si president, Kosova mund të përfitojë prej përvojës së tij në Ballkan.

“Ne jemi në kontakte të rregullta me palën amerikane. Kemi pasur vizita të përbashkët kur zoti Lajçak dhe zoti Palmer e vizituan bashkë rajonin. Zoti Escobar ishte në Bruksel për marrëveshjen e targave, dhe po, mendoj se bashkëpunim është thelbësor. Dhe më duhet të them se po shkon më mirë sesa ishte më parë”, ka deklaruar Pandur gjatë diskutimeve të panelistëve të Forumit të Sigurisë së Beogradit.

Image
Zhbllokimi i pikës kufitare në Jarinje më 2 tetor të këtij viti (Foto: Driton Paçarada)

Serbia në duar të Vuçiqit

Maja Bjelosh, hulumtuese në Qendrën e Beogradit për Politika te Sigurisë, ka vënë dyshim seriozitetin e Bashkimit Evropian për ndërmjetësimin e një zgjidhje përfundimtare.

Ndërkaq, Donika Emini nga Platforma “Civikos” ka thënë se parakusht për zgjidhjen e të gjitha problemeve të tjera është njohja reciproke. Ajo ka theksuar se derisa në Kosovë ka më shumë faktorë që e diversifikojnë rolin e Kosovës në dialogun e Brukselit, krejt roli i Serbisë është personalizuar në duar të presidentit Vuçiq.

“E mbështes faktin që në Kosovë, jo vetëm bashkësia ndërkombëtare, por ka faktorë të shumëfishtë, gjë që nuk ndodh në Serbi, ku gjithçka varet nga një person, nga Vuçiqi dhe nga agjenda politike e një personi, Kosova ka më shumë diversitet, ka më shumë aktorë si sistem, që në njëfarë forme, nuk lejojnë që procesi të kontrollohet ose të monopolizohet, sidomos pas presidentit Thaçi dhe idesë për shkëmbim territoresh, dhe pas nyjës kritike të dialogut në vitin 2018”, ka deklaruar Emini.

Por, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, dialogu është uzurpuar nga politikanët duke krijuar edhe tensione në terren. Këtë e mendojnë edhe qytetarët e intervistuar në dy shtetet.

Ardita Xhemajli nga Mitrovica thotë se ka mungesë të informacionit. Mendon se pa pranimin e së kaluarës dhe vënien e drejtësisë në vend nuk mund të ketë të ardhme paqësore ndërmjet dy popujve. Dhe padyshim se procesi i dialogut ndikon theksueshëm në raportet ndërmjet qytetarëve të rëndomtë.

“Ky proces natyrisht se nuk është i mjaftueshëm dhe ka shumë mangësi, sidomos mungesa e transparencës që ndonjëherë po çon edhe në ngritjen e tensioneve ndërmjet dy komuniteteve”, thotë Xhemajli, që jeton në qytetin e ndarë, e ku serbët e veriut vënë barrikada me mbështetjen e politikanëve lokalë e të Serbisë sa herë që autoritetet e Kosovës mundohen ta shtrijnë plotësisht sovranitetin në këtë pjesë të vendit.

Manipulimi i serbëve

“Unë mendoj se elitat aktuale politike janë përgjegjëse për krijimin e armiqësisë dhe përshkallëzimit të përhershëm të problemeve shoqërore. Dhe gjithashtu mendoj se popujt dhe individët bashkërisht mund të ndërtojnë të ardhmen e tyre të përbashkët, por kjo do të marrë pak kohë”, thekson i riu Boris Alijeviq nga Smedereva.

Ai mendon se liderët politikë në dy vendet po abuzojnë me dialogun për hesape të ngushta politike. “Në Kosovë njerëzit duhet të jetojnë në paqe pavarësisht prejardhjes etnike, dhe pranë njëri-tjetrit, dhe është e tmerrshme dhe e turpshme se si ata njerëz po manipulohen”, thekson ai.

Fetahu thotë se politika po e përdor retorikën nacionaliste edhe për nevoja zgjedhore. Ai kërkon nga liderët që të frenohen prej gjuhës që nxit pasiguri në terren. Kjo është vërejtur sa herë që ka pasur ngritje tensionesh.

“Retorikat nacionaliste me nivel pak më të lartë dhe më të tensionuar, gjithsesi se krijojnë zbrazëti dhe i largojnë palët nga njëra-tjetra, sesa krijojnë afërsi. Prandaj edhe palët në dialog është mirë të krijohet një lloj diskursi më përafrues që nuk çon në deklarata maksimaliste”, thotë Fetahu, duke shtuar se gjuha euforike gjithnjë i largon palët.

A mund të ketë ardhme në paqe ndërmjet dy popujve dhe shteteve, pavarësisht se Serbia vazhdon ta mohojë shtetësinë e Kosovës?

“Shiptari” i politikanëve serbë

Por, sipas Miodrag Miliçeviq, që udhëheq organizatën joqeveritare “Aktiv”, e cila vepron në Mitrovicë e Prishtinë, ngecjet rreth diskutimeve për njohjen reciproke po pengojnë zgjidhjen e problemeve të tjera.

“Ka mungesë mirëbesimi mes palëve, prandaj përfshirja e ndërkombëtarëve shihet si e domosdoshme nga të dyja palët. Në Bruksel po vazhdohet me qasjen e njëjtë që nuk sjell konstruktivitet, e ku palët dalin fajësojnë njëra-tjetrën për ngecjet”, ka thënë Miliçeviq gjatë diskutimit të Forumit të Sigurisë së Beogradit.

Por a mund të ketë ardhme në paqe ndërmjet dy popujve dhe shteteve, pavarësisht se Serbia vazhdon ta mohojë shtetësinë e Kosovës?

“Çfarë kemi parë deri tani, ka qenë vetëm një përpjekje artificiale për dialog dhe kjo është arsyeja pse i kemi këto rezultate”, ka thënë në video-intervistë Ivan Nikoliq nga Graçanica.

Ndërkaq Milica Radovanoviq, nga Mitrovica, thotë se u beson fqinjëve e kolegëve shqiptarë, por jo edhe zyrtarëve shqiptarë në qytetin dhe shtetin e saj.

“Presidentja e Kosovës e pa të udhës të mësonte frëngjishten dhe përshëndeti francezët në përvjetorin e Rënies së Bastijës në gjuhën e tyre, për të treguar respekt, por ajo nuk më ka përshëndetur mua ose anëtarët e komunitetit tim për Krishtlindje ose Pashkë në gjuhën tonë”, thekson ajo.

Por, ndryshe nga liderët e Serbisë, që vazhdimisht shqiptarëve u referohen me shprehjen poshtëruese, “shiptari”, liderët e Kosovës nuk kanë përdorur gjuhë fyese ndaj serbëve.