Arbëri

Lobistët e pakoordinuar nga shteti

Në dekadat e fundit, roli i lobit shqiptaro-amerikan ka evoluuar duke i reflektuar ndryshimet në kontekstin politik dhe diplomatik të Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare. Me gjithë rëndësinë, ndikimi i tij ka qenë i kufizuar dhe shteti i Kosovës nuk ka arritur t’i shfrytëzojë maksimalisht mundësitë që ky lob i ofron. Kjo është shoqëruar me kritika mbi aftësinë e shtetit të Kosovës për të menaxhuar dhe koordinuar efektivisht lobimin

Roli i lobit shqiptaro-amerikan ka qenë një faktor i rëndësishëm për çështjen e Kosovës, sidomos gjatë krizave të mëdha. Nga vitet ‘90 e deri në shpalljen e pavarësisë, lobimi i tyre ka ndihmuar në ndërgjegjësimin dhe në arritjen e qëllimeve të mëdha për Kosovën - fillimisht çlirimin e më pas krijimin e shtetit. 

Në dekadat e fundit, roli i lobit shqiptaro-amerikan ka evoluuar duke reflektuar ndryshimet në kontekstin politik dhe diplomatik të Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare. Me gjithë rëndësinë, ndikimi i tij ka qenë i kufizuar dhe shteti i Kosovës nuk ka arritur t’i shfrytëzojë maksimalisht mundësitë që ky lob i ofron. Kjo është shoqëruar me kritika mbi aftësinë e shtetit të Kosovës për të menaxhuar dhe për të koordinuar efektivisht lobimin. Mungesa e një politike të konsoliduar dhe koordinimi i dobët me lobistët ka ndikuar negativisht në diplomacinë kosovare, rrjedhimisht forcimin e pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Aktivistë të lobit shqiptaro–amerikan, të cilët prej vjetësh janë pjesë e këtyre zhvillimeve, thonë se lobimi i Kosovës në SHBA, që mbështetet kryesisht nga diaspora shqiptaro-amerikane, po përballet me vështirësi dhe me fragmentim. Sipas tyre, lobimi nga diaspora dhe nga shteti i Kosovës ka qenë më i ngathët në krahasim me periudhat e mëparshme, ndërsa polarizimi politik në SHBA ka krijuar ndasi edhe mes vetë lobuesve shqiptarë. Në SHBA, disa grupe të diasporës janë të lidhura me Partinë Demokrate e të tjerë me atë Republikane, duke krijuar ndarje sipas përkatësive politike dhe gjeografike.

Lobimi për sensibilizim

Gjatë viteve ‘90, lobi shqiptaro-amerikan ishte kryesisht i përqendruar në sensibilizimin e administratës amerikane dhe botës perëndimore për situatën e shqiptarëve të Kosovës, që po përballeshin me shtypje nga regjimi i Millosheviqit. Në këtë periudhë, lobi ishte i organizuar kryesisht nga grupe të diasporës shqiptare që kishin lidhje të ngushta me politikanët amerikanë. Kjo periudhë shënoi një fillim të fuqishëm për lobin, pasi figura të njohura, si Bob Dole e Joseph Dioguard, arritën të ndërtojnë ura të fuqishme mes Kosovës dhe SHBA-së, duke lobuar për çlirimin e Kosovës dhe për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s. 

Naim Dedushaj, një nga aktivistët e lobit shqiptar në SHBA, thotë se lufta për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës ishte betejë e vazhdueshme dhe e gjatë që u mbështet nga një komunitet i palodhur i shqiptarëve në Amerikë. 

“Komuniteti shqiptar ka vepruar si në tërësi. Askush s'ka pyetur se kush nga është dhe të gjithë së bashku - organizatat, kishat, xhamitë - kemi vepruar me një organizim. Janë organizuar demonstrata, takime me kongresistë, me senatorë dhe në çdo takim tjetër kemi bërë lobim, sepse fronti ka qenë që Kosova të çlirohet nga një terror, nga një dhunë që ushtronte sistemi i ish-kriminelit Milosheviq. Në vitin 1999, kur situata në Kosovë kishte arritur në një pikë kritike dhe nevoja për ndërhyrje ndërkombëtare ishte urgjente, shqiptarët e Amerikës dhe miqtë e tyre në Kongres ishin bërë një zë i fuqishëm. Në Kongres, mbështetja për Kosovën ishte në rritje; demokratë dhe republikanë të shumtë ishin pro ndërhyrjes për ndalimin e dhunës ndaj civilëve. Pothuajse të gjithë senatorët dhe kongresistët mbështetën bombardimet e NATO-s kundër Serbisë, një vendim historik që ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës dhe hapi rrugën drejt lirisë”, thotë Dedushaj, që tani e drejton Rrjetin e Bizneseve të Diasporës Shqiptare.

Sistemi politik i SHBA-së u mundëson qytetarëve që të marrin pjesë në proceset vendimmarrëse, nëpërmjet ndikimit apo lobimit për çështje të caktuara.

Agim Aliçkaj, nga Lidhja qytetare shqiptaro-amerikane, thotë se nami që kishte lobi shqiptar në vitet ‘90 ishte i madh dhe shpesh krahasohej me lobin hebre apo grek. 

“Në atë kohë, kemi pasur përkrahje të jashtëzakonshme të komunitetit dhe kemi mbërritur që të përfitojmë shumë senatorë e kongresistë. Gjithmonë është vepruar nëpërmjet Kongresit amerikan, pra nëpërmjet Shtëpisë së Përfaqësuesve, ku janë 435 kongresistë, dhe Senatit ku janë 100 senatorë, dy nga secili shtet në Amerikë. Tash ne veprojmë nëpërmjet tyre në Departamentin e Shtetit, për arsye se gjatë gjithë historisë, prej se ka filluar problemi shqiptar të dalë më shumë në publik është bërë më i njohur, nëpërmjet shumë senatorëve, për arsye që kemi mbërritur të depërtojmë te shumë prej tyre, duke filluar nga Komiteti për Marrëdhënie me Botën e Jashtme dhe në Shtëpinë e Përfaqësuesve. Siç e dini, ka qenë senatori Bob Doll, ndër më të rëndësishmit, deri vonë senatori Joe Biden e shumë të tjerë. Ndërsa nga ana e kongresit, kemi pasur kongresistin Tom Llantosh e Ben Gillmen, pastaj senatorin Ros Lajtnan edhe shumë senatorë të tjerë, me të cilët kemi kontakte edhe sot, pa përmendur edhe kongresistin Engel, të cilët kanë qenë shumë aktivë”, është shprehur Aliçkaj.

Rënia e aktivitetit, mungesa e koordinimit nga ana e shtetit 

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008, aktiviteti i lobit shqiptaro-amerikan u zvogëlua. Këtë Aliçkaj e ndërlidh me faktin se shumë shqiptarë në SHBA menduan që përgjegjësitë për përfaqësimin e Kosovës duhet të kalonin në duart e shtetit të ri. Megjithëkëtë, një nga sfidat kryesore të lobit shqiptaro-amerikan ishte avancimi i raporteve të Kosovës me SHBA-në. Por lobistët thonë se përkundër mbështetjes së fuqishme nga SHBA-ja, nuk ka mekanizëm të duhur institucional për ta shfrytëzuar plotësisht potencialin e lobit. Sipas tyre, Kosova ishte e përqendruar më shumë në menaxhimin e problemeve të brendshme sesa në zhvillimin e një strategjie afatgjate për lobimin dhe diplomacinë. Kjo mungesë e planifikimit dhe e koordinimit la shumë mundësi të pashfrytëzuara. 

Viteve të fundit, lobi nuk ka pasur një strukturë të qartë dhe të qëndrueshme për koordinimin dhe menaxhimin e lobimit nga shteti i Kosovës. 

Besnik Pula, profesor i shkencave politike në “Virginia Tech” në SHBA, ka folur për ngathtësinë e dy aspekteve të lobimit të Kosovës në raport me administratën amerikane. 

“Në njërën anë është lobimi nga diaspora shqiptaro-amerikane dhe e dyta nga vetë shteti i Kosovës. Fatkeqësisht të dyja këto kanë qenë mjaft të ngathëta, të paktën në krahasim me periudhat e mëhershme. Nga diaspora shqiptaro-amerikane nuk është se nuk ka fare lobim, por lobimi tani reflekton fragmentimin ose edhe polarizimin politik, i cili ekziston në SHBA, domethënë kemi palë të cilat lobojnë me demokratët, dhe palë të cilat lobojnë me republikanët. Kjo dallon edhe gjeografikisht, varësisht se ku gjenden pjesëtarët e diasporës: në Miçigan apo në Teksas, në Nju-Jork apo kudo tjetër. Por, në anën tjetër, prapë mendoj se lobimi kryesor duhet të vijë nga shteti i Kosovës dhe këtu dua të them se ka pasur ngathtësi, fatkeqësisht, sepse shteti i Kosovës nuk arriti që t’i instrumentalizojë mjetet lobuese në Uashington”, ka thënë ai. 

Qeveria e Kosovës është kritikuar për mungesë angazhimi dhe koordinimi me organizatat e diasporës dhe lobistët shqiptarë, të cilët do të kishin një rol më aktiv dhe më direkt në promovimin e interesave të Kosovës. Aktualisht, ajo ka kontraktuar dy kompani lobuese që paguhen për ta kryer të njëjtën punë në SHBA. Sipas kontratave të publikuara në uebfaqen e Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA), të Departamentit amerikan të Drejtësisë, Avni Mustafaj – pronar i kompanisë “Ambal LLC” dhe Afërdita Rakipi – pronare e kompanisë “Afërdita Rakipi Communications” janë kontraktuar individualisht, me nga 147 mijë euro. Nga fillimi i këtij viti deri në fund të verës, ata kanë funksionuar sikur të ishin një kompani e vetme. Kontaktet dhe takimet e raportuara nga Mustafaj janë të njëjta me ato të raportuara nga Rakipi. Edhe pse shumica e takimeve janë raportuar thjesht si diskutime për marrëdhëniet mes Kosovës e SHBA-së, në disa raste nuk kanë munguar as kritikat lidhur me qëndrimet e SHBA-së. Mes tjerash, Rakipi e Mustafaj patën thënë se “ndëshkimi i Kosovës për masat e saj të sigurisë ndaj Serbisë e minon qeverisjen e saj, ia dobëson pozitën negociuese me Serbinë dhe ia rrezikon aspiratat euroatlantike”. 

Ky qëndrim është i ngjashëm me atë të Qeverisë së Kosovës, e cila në disa raste u kritikua nga SHBA-ja për veprime të njëanshme dhe mungesë koordinimi për vendimet që lidhen me veriun dhe me Serbinë. Madje zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, si Jim O’Brien, patën vënë në pikëpyetje partneritetin me Kosovën. 

Mustafaj, Rakipi dhe MPJD-ja nuk iu përgjigjën pyetjeve lidhur me aktivitetin e deritashëm lobues e përfitimet që i janë sjellë Kosovës. 

Qeveritë, edhe në të kaluarën kanë pasur kontrata lobimi. Që nga vitet ‘90, parti politike e institucione qeveritare kanë shpenzuar miliona euro për lobim në SHBA. Kryesisht të kontraktuara për lobim kanë qenë kompani të njohura amerikane, si “Podesta Group” dhe “Ballard Partners”. 

Lobistët thonë se shteti i Kosovës nuk ka arritur t’i përdorë në mënyrë efikase mjetet e lobimit në Uashington dhe ka dështuar të vendosë marrëdhënie strategjike me administratën aktuale dhe me atë në ardhje. 

“Për të arritur këtë, qoftë në administratën aktuale, e cila tani po përfundon mandatin, atë të presidentit Biden, qoftë me atë të administratës së ardhshme dhe në këtë pikë, sidomos në krahasim me Serbinë, për shembull Kosova qëndron mjaft keq. Mendoj se arsyeja kryesore është se nuk ka pasur strategji lobuese. Ndoshta nuk është vlerësuar vetë lobimi ose aktiviteti i lobimit, i cili në SHBA realizohet përmes kompanive lobuese, të cilat kanë kontakte direkte me persona të administratës, domethënë persona të lartë të administratës amerikane dhe përmes këtyre krijohen kontakte ku pastaj mundësohet komunikimi, qarkullimi i informacionit. Është mirë që janë angazhuar njerëz, të cilët janë pjesë e diasporës, sikurse zonja Rakipi dhe z. Mustafaj, por ky rrjet duhet të zgjerohet edhe me ata njerëz, të cilët kanë kontakte direkte me njerëzit e lartë të administratës apo me figura qendrore, me njerëz që kanë përvojë të gjatë në Uashington, domethënë e kanë profesion punën e lobimit. Ky aspekt i strategjisë ka qenë ndoshta i ngathtë dhe i pamenduar deri në fund”, ka potencuar Pula. 

“Këta i kanë zgjedhur dy grupe lobuese, që janë shqiptarë, të cilët i njoh dhe nuk ua mohoj aktivitetin e tyre, që e kanë bërë gjatë viteve të 90-ta. Absolutisht jo. Por ua mohoj forcën që kanë. Më thuaj se sa kongresistë dhe sa senatorë janë pjesë e tyre, më thuaj se çka ka ndodhur në Uashington, nga ardhja e Qeverisë së re, nga ardhja e Joe Bidenit, çka ka ndodhur për Kosovën? Çfarë lobimi është bërë? Më shumë është bërë lobim nga individët e tjerë. Është bërë nga Federata e Parë Shqiptare “Vatra” e Elmi Berishës. Është bërë nga Liga e Qytetarëve dhe Joe Diougardit, është bërë nga Vehbi Bajrami dhe gazeta Iliria, shqiptaro-amerikane. Është bërë nga Rrustem Geci, Nazar Mehmeti, në Dallas të Teksasit...Por jo nga këto grupe të zgjedhura nga Qeveria e Kosovës. Unë nuk them se nuk duhet të shpenzohen para, po duhet të bashkorganizohet me komunitetin shqiptar atje, sepse të lobosh nga Kosova, nuk lejohet. U lejohet shqiptarëve që i kanë organizatat aty, njerëzit që kanë forcën në mënyrë që të bashkëbisedojmë dhe të organizohemi”, thotë Dedushaj.

Sfidat me administratën e Trumpit

Me rikthimin e presidentit Donald Trump, lobi shqiptaro-amerikan mund të përballet me sfida të reja. 

Komunikimi jo i duhur diplomatik, përtej veprimeve që nxitën reagim të gjerë ndërkombëtar, po konsiderohet si diçka që duhet ndryshuar nga Qeveria pas ndryshimeve në Shtëpinë e Bardhë. Pasi mori për herë të parë detyrën në fillim të vitit 2020, Kurti pati përplasje të shpeshta me Richard Grenellin, ish-emisarin e Trumpit për dialogun Kosovë–Serbi. Grenelli e pati cilësuar Kurtin si “antiamerikan”, duke thënë se ai ka kundërshtuar politikat amerikane të sugjeruara edhe nga ish-presidentët Bill Clinton e Barack Obama. Edhe pas përfundimit të mandatit të parë të Trumpit, Grenelli i cilësoi disa herë veprimet e Kurtit si rrezik për stabilitetin e rajonit. Një post të lartë në administratën Trump është paralajmëruar se do ta marrë edhe Grenelli. Pasi u konfirmua triumfi i Trumpit në garën presidenciale në SHBA, atij i janë përcjellë urime nga udhëheqësit shtetërorë të Kosovës dhe liderët e subjekteve opozitare. 

Tensionet mes Trumpit dhe Kurtit kanë pasur ndikim jo vetëm në marrëdhëniet dypalëshe, por edhe në mënyrën se si lobimi shqiptar ka operuar në SHBA. Megjithëkëtë, Aliçkaj thotë se ka lobistë shqiptarë që para zgjedhjeve kanë komunikuar edhe me Grenellin dhe me republikanë të tjerë. Prej tyre, ai pret që të avokojnë për proceset, nëpër të cilat po kalon Kosova, veçmas për dialogun me Serbinë. 

“Së pari vijnë në shprehje një mori e shqiptaro-amerikanëve, sidomos në Miçigan e kemi një grup të madh të shqiptarëve, disa në Floridë, disa në Pensilvani që e kanë përkrahur presidentin Trump. Ata kanë pasur komunikim edhe me Grenellin. Shpresoj që lobimi i tyre nuk do të bëhet për të marrë detyra prej Grenellit se si të sulmohet Kosova, porse lobimi i tyre duhet të bëhet për ta bindur Grenellin që është duke gabuar me përkrahjen e tij për Serbinë. Atëherë, nëse kjo pjesë e shqiptarëve, të cilët kanë marrëdhënie të mira me presidentin Trump dhe e kanë votuar atë, nuk ia arrijnë qëllimit që ta bindin atë për një politikë që është e favorshme për çështjen e Kosovës, tani vijnë në shprehje lobistët e tjerë. Secili prej nesh ka mundësi të gjejë nga një kongresmen, janë 435 sosh. 200 të gjenden, secili prej nesh nga një, mund t’i shtyjmë qëndrimet tona nëpërmjet Kongresit, Komiteteve, Departamentit të Shtetit. Kjo është mënyra e veprimit që kemi pasur përpara”, ka thënë Aliçkaj. 

E Dedushaj thotë se Kosova duhet të tregojë maturi kur vjen puna te qëndrimet që i merr për politikanët në SHBA. 

“Duhet të organizohemi në Uashington, duhet të organizohemi si Qeveri, duhet të riorganizohemi sa më shpejt, menjëherë që është e mundshme, të jemi sa më afër administratës së Trumpit. Në mandatin e parë kur Trumpi u zgjodh president, një pjesë e madhe e njerëzve kanë thënë se ky po e shet Kosovën, po e ndanë Kosovën. Por asnjëherë nuk e përmend se në administratën e Trumpit është një njeri shumë i fuqishëm që ka qenë drejtor i Inteligjencës Kombëtare të Amerikës, John Ratcliffe, ish-kongresist dhe miku më i madh i shqiptarëve. Ai ka pasur shumë lidhje të ngushta me komunitetin shqiptar, në Dallas, Teksas. Pra, ne kishim njerëzit e sigurt aty. John Ratcliffe ka qenë drejtor i shtatëmbëdhjetë Agjencive të Inteligjencës, e kam ditur se njeriu ynë është aty. Prandaj kur u zgjodh, mediet serbe akuzuan Trumpin se ka zgjedhur një lobues shqiptar”, ka potencuar Dedushaj. 

Por Pula vlerëson se mbetet pikëpyetje se sa do të jetë Ballkani Perëndimor prioritet për Trumpin. 

“Mbetet të shihet se sa Administrata e Trumpit do t’i kushtojë rëndësi Ballkanit, në raport me vatrat e tjera të krizës. Dihet se prioritet janë Ukraina, Gaza, Izraeli, marrëdhënia me Kinën, domethënë këto çështje të cilat Trumpi i ka ngritur gjatë fushatës. Në Ballkan mund të shohim vazhdimësi të avazit të deritashëm, ku angazhimi amerikan është mjaft minimal. Por nëse Ballkani kthehet si prioritet, atëherë mund të shohim ndoshta rikthim të një politike më imponuese ndaj palëve dhe sidomos ndaj Kosovës. Mendoj se një gjë që mund të jetë me brengë për Kosovën, në përgjithësi, është se nën Trumpin, ekziston mundësia, nuk është se kam ndonjë informacion, por është mundësia se mund të mendohet tërheqja e trupave amerikane nga Kosova. Kjo gjë është paralajmëruar dhe më herët, gjatë administratës së parë, madje është kërcënuar edhe Gjermania se do tërhiqen trupat nga Gjermania”, ka thënë ai.  

Për t’i shmangur rreziqet dhe në funksion të ruajtjes së mbështetjes amerikane vlerësohet se lobimi nuk mund të bëhet prej brenda. Ashtu si në të kaluarën, bashkëpunimi me shqiptarët e Amerikës mbetet thelbësor në avancimin e raporteve të Kosovës me SHBA-në dhe në fuqizimin e saj në arenën ndërkombëtare.