Arbëri

Llumnica: Paga më e ulët në KEK duhet të jetë 1000 euro

Nexhat Llumnica

Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, ka kërkuar që paga më e ulët brenda Korporatës Energjetike të Kosovës të jetë 1000 euro, duke thënë se do të organizojnë protesta e greva deri në realizimin e kërkesave.

Sipas Llumnicës, punëtorët e KEK-ut përballen me rrezikshmëri të madhe në vendin e punës dhe kushte të rënda pune. Ai ka shtuar se punëtorët e KEK-ut janë më  të rrezikuarit në Evropë.

“Kërkojmë që të paguhet rrezikshmëria që është me Ligjin e punës. E kemi shtruar kërkesën, por thonë se s’po mund ta bëjnë vlerësimin e rrezikshmërisë. Dyshoj se ka keqpërdorim të detyrës zyrtare nga menaxhmenti. Ka punëtor që vijnë e punësohen, por nëse nuk ua bën standardin ikën prapë”, është shprehur Llumnica në "Interaktiv" të KTV-së.

Kreu i Sindikatës së KEK-ut ka theksuar tutje se rritja e pagës duhet të bazohet me rritjen e çmimeve në Kosovë.

“Këtu nuk e di kush s’po bindet që punëtorët e KEK-ut duhet ta kenë pagën më të ulët 1000 euro, në mënyrë që të plotësohet standardi dhe të kërkohet disiplina...Kryeshefi Bekim Gërguri ka thënë se s’ka rritje të pagave, s’ka pagesa të rrezikshmërisë, s’ka pagesa të fundjavës. Ka thënë s’do të ketë rritje për shkak se gjoja ne i kemi pagat e larta”, ka shtuar ai.

Sipas tij, 20 për qind e punëtorëve në KEK janë me sëmundje, e 15 për qind prej tyre me kancer për shkak të kushteve dhe punës së rëndë.

“Në KEK, një mjeshtër i ka 676 euro me pagën bazë, kurse një mjeshtër në sektorin privat i merr mbi 1000 euro. Kjo lë të kuptojë se punëtorët e KEK-ut kanë një rrezikshmëri të madhe, kanë vështirësi dhe kushte të rënda. Paga bazë mesatare brenda KEK-ut është 737 euro, që mund të jetë paga e një kamerieri në restorante. Punëtorët e KEK-ut kanë kushte të vështira”, ka theksuar ai.