Arbëri

Lladrovci thotë se Drenasit i merren mbi 7 milionë euro për shkak të kontratave kolektive

Ramiz Lladrovci

Ramiz Lladrovci

Udhëheqësit e komunës së Drenasit dhe asaj të Skenderajt kanë hedhur akuza në adresë të Qeverisë Kurti duke e quajtur të papërvojë e të korruptuar.

Shkak për pakënaqësitë e kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci si dhe nënkryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku është bërë sidomos kontrata kolektive. Mbi 7 milionë euro janë dëmet vetëm të Komunës së Drenasit të shkaktuara nga kontrata kolektive. 

Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci. Lladrovci ka thënë se si shkak i kontratës kolektive ka dorëzuar padi ndaj dy ministrave të Qeverisë Kurti. 

Ndërsa vetëm këtë vit dëmi nga kjo kontratë, ai tha se është 3 milionë euro.

Javë më parë, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, bëri të ditur se ka bërë padi ndaj dy ministrave të Shëndetësisë dhe të Arsimit për dëmet e kontratave kolektive.

Lladrovci ka thënë se ka paguar një çmim të madh të kontratave kolektive, ku deri në këtë moment janë marrë 3 milionë e 89 mijë euro.

“Komuna e Drenasit ndër vite ka paguar një çmim të madh të kontratave kolektive. Vetëm këtë vit, deri në këtë moment 3 milionë e 89 mijë na i kanë marrë. E keqja është se ne po mbesim, po na i marrin ashtu ku më së shumti po na dhemb në investime kapitale. Nuk rrezikojmë ne sepse tashmë jemi në muajin e 11-të dhe muaji i 12-të, e ka obligim për pagat qeveria që t’i sistemojë. Më 13 shtator e kemi mbajt një mbledhje të jashtëzakonshme të të hyrave vetanake, ku i kemi alokuar, i kemi marrë vendimet, i kemi dërguar në qeveri. Dhe qeveria na e ka kthyer pas 28 ditëve që i bie të premten, kur më nuk mundemi që t’i alokojmë ato mjete dhe që ato për t’u krijuar mundësia që të na llogariten që ne nuk e kemi shpenzuar buxhetin pastaj, kështu që na e ka kthyer, por nuk na vyejnë veç ishalla i merr kontrata kolektive”, ka thënë ai.

Ai tregoi për shumën e përgjithshme që ka paguar për pagën kolektive.

“Shuma e përgjithshme është mbi 7 milionë sepse përmendësh nuk e di me saktësi, por mbi 7 milionë euro”, është shprehur ai.

Lladrovci po ashtu theksoi edhe rastin e komunave tjera. Sipas tij komunat e tjera nuk kanë faj pasi qeveria ka lidhur memorandum me sindikatat dhe se qeveria është dashur t’i japë mjetet e jo t’ua marrë komunave të tjera, veprim të cilin, ai e quan të padrejtë.

Lladrovci ka folur edhe për Qeverinë Kurti duke hedhur kritika si një qeveri, sipas tij e papërvojë dhe e korruptuar. 

“Qeveri e pa përvojë, qeveri e korruptuar, qeveri pa xhipa të bardhë, por krejt me xhipa të zinj”, u shpreh Lladrovci.

Po ashtu edhe ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Zonën e Drenicës dhe nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku ka thënë për qeverinë Kurti se gjithçka mund të jetë, por vetëm qeverisje jo.

“Gjithçka mund të jetë po Qeverisje jo, dmth që pesë vite qeverisje nuk e ka asnjë projekt që duhet me u mburr një qeveri, pastaj kjo duhet me ik sa më shpejt prej Kosovës”, ka thënë Lushtaku./EO