Arbëri

Lladrovci kërkon shpërndarjen e Kuvendit të Drenasit

Ramiz Lladrovci

Ramiz Lladrovci

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka kërkuar shpërndarjen e Kuvendit të kësaj komune.

Në një shkrim në Facebook, ai ka thënë se ka kërkuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal që ta njoftojë Qeverinë për “mosfunksionimin e Kuvendit të Komunës së Drenasit sot e 71 ditë”.

“Për shkak të mosfunksionimit të Kuvendit, është në mandatin e Qeverisë ta shpërndajë Kuvendin e Komunës së Drenasit dhe legjitimiteti të kthehet te qytetari. Kam konstatuar se me mosfunksionimin e Kuvendit, është rrezikuar buxheti i Komunës, bartjet e mjeteve buxhetore për realizimin e shumë projekteve kapitale, rrjedhimisht papërgjegjshmëria e Kuvendit po rrezikon ushtrimin e të drejtave themelore të qytetarëve të komunës së Drenasit”, ka shkruar ai.

Lladrovci ka thënë se Kuvendi s’ka kryesues që nga shkarkimi i Milaim Hajdarit më 6 qershor. 

“Kam kontestuar vlefshmërinë e votës së asamblistit Drin Halilaj, votë e cila ishte vendimtare për shkarkimin e Kryesuesit. Halilaj, pasi u punësua në Ministrinë e Mbrojtjes, nuk e ka pezulluar pozitën në atë Ministri dhe ka mbajtur të dyja pozitat njëkohësisht. Ministritë përkatëse kanë mbyllur sytë për këtë çështje dhe nuk kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme. Nga ajo datë, iniciuesit e shkarkimit të Kryesuesit, nuk kanë tentuar që të zgjedhin kryesuesin e ri. Kuvendi i Komunës së Drenasit është jo funksionues dhe rrezikon ushtrimin e të drejtave themelore të qytetarëve të saj. Kanë kaluar 71 ditë, pa u mbajtur asnjë mbledhje e Kuvendit, ndërsa kanë kaluar 43 ditë nga kthimi i ligjshmërisë së vendimit nga MAPL për shkarkim të Kryesuesit të Kuvendit dhe asnjë veprim nuk është ndërmarr nga Kuvendi për zgjedhje të Kryesuesit”, ka thënë Lladrovci më tej.

Lladrovci ka thënë se pret që të marrë fund “pengimi i punës së ekzekutivit të komunës së Drenasit”.

Në letrën drejtuar MAPL-së, Lladrovci ka thënë se “papërgjegjshmëria e anëtarëve të Kuvendit po e rrezikon ushtrimin dhe realizimin e të drejtave themelore të qytetarëve të komunës së Drenasit”.

Ai ka thënë se nëse nuk funksionalizohet shpejt ky Kuvend, atëherë rrezikohet miratimi i buxhetit për vitin 2025.