Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, ka mbajtur konferencë për media, pasi edhe të enjten Policia e Kosovës ka vazhduar me intervistimin e zyrtarëve që udhëhiqnin komunat paralele, me dyshimin për falsifikim të dokumenteve. Sipas Listës Serbe, komunat e mbyllura që funksiononin me sistem të Serbisë nuk janë ilegale në Kosovë
Policia e Kosovës ka intervistuar të enjten kryetarin e Komunës paralele të Mitrovicës, Ivan Zaporozhac, njëherësh anëtar i Listës Serbe.
Intervistimi i tij u bë në funksion të hetimit për falsifikim që po zhvillohet pas mbylljes së pesë zyrave ilegale në veri, përfshirë katër komunat paralele.
Zaporozhac u shpreh krenar pas intervistimit, derisa u bëri thirrje serbëve të veriut për qetësi.
“Jam krenar që po vazhdoj ta kryej detyrën e shefit të organit të përkohshëm me nder dhe absolutisht e kryej këtë punë me ndershmëri. Tensionet janë të mëdha, gjëra të mëdha ndodhën para pak ditësh. E vetmja gjë që mund ta them është që këtu jam, se i gjithë populli serb në Mitrovicën e Kosovës duhet të jetë këtu, se të gjithë duhet të jenë të qetë dhe besojmë se e gjitha kjo do të kalojë dhe që ne do të vazhdojmë të qëndrojmë e të mbijetojmë në këtë anë”, ka thënë ai.
Të enjten është intervistuar edhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe anëtar i kryesisë së Listës Serbe, Igor Simiq.
Ai në një konferencë të organizuar nga Lista Serbe e akuzoi kryeministrin e Kosovës se po e përdor forcën kundër serbëve. Ai ka thënë, po ashtu, se institucionet e Serbisë nuk po bëjnë asgjë të paligjshme në Kosovë.
“Kur flasim për këto institucione, ekzistenca e tyre ka qenë e ditur, autoritetet e Kosovës gjithnjë kanë pasur dijeni. Nuk ka asgjë të re që këto institucione ekzistojnë në këtë qytet dhe është diskutuar ndërkombëtarisht e negociuar në Bruksel se si do të funksionojnë këto institucionet në të ardhmen. Pra asgjë e re. E dyta, gjëja më e rëndësishme është se këto institucione kanë ofruar shërbime të ligjshme për të gjithë qytetarët dhe nuk kanë shkelur asnjë ligj”, ka thënë Simiq.
Një ditë më herët u intervistua edhe ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut e po ashtu edhe ish-ministër në Qeverinë e Kosovës, Milan Radojeviq, që bashkë me Simiqin kanë pozita menaxhuese në Fondin e Sigurimeve Pensionale të Serbisë për Kosovë.
Më 30 gusht janë mbyllur zyrat e institucioneve të Serbisë në veri që funksiononin ilegalisht: si ajo e Qarkut të Mitrovicës dhe të komunave paralele të Mitrovicës, Zveçanit, Zubin-Potokut e Leposaviqit.
Në to tash janë vendosur tabelat e institucioneve të Kosovës. Pas aksionit të policisë, autorizuar nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, bashkësia ndërkombëtare e ka kritikuar Qeverinë për, siç është thënë, “veprime të pakoordinuara dhe që shkojnë në drejtim të kundërt të zotimeve për shtensionim të veriut”.