Arbëri

Lista “Guxo” regjistrohet si parti politike

Lista “Guxo” është regjistruar si parti politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Përfaqësuesja e kësaj partie, Donika Gërvalla, deklaroi se “Guxo”, e nisur nga presidentja Vjosa Osmani, sot i ka hyrë rrugës institucionaliste.

“Kam kënaqësinë e veçantë të ju përshëndes sot nga kjo seli. Iniciativa qytetare lista ‘Guxo’, e nisur nga presidentja Vjosa Osmani, ajo sot i ka hyrë rrugës institucionaliste. Kjo iniciativë ka sukses të jashtëzakonshëm. Platforma politike e ‘Guxo’, si parti me demokracinë e brendshme të zgjeruar”, deklaroi tutje ajo.

Gërvalla, që mban postin e ministres së Punëve të Jashtme në Qeveri, deklaroi se “Guxo” do të merret me një varg temash, me theks të veçantë arsimi dhe sistemi shëndetësor.

Pjesë e kësaj partie është edhe ministri i Ministrisë së Bujqësisë, Faton Peci.

“Duhet të guxojmë dhe mundemi të guxojmë. Ne nuk vrapojmë, nuk bëjmë eksperimente duhet të bashkojmë sa më shumë njerëz, e njëjta vlen edhe për tema të tjera, pra për sistemin shëndetësor si ta modernizojmë, e të mos përqendrohemi vetëm në Prishtinë, por në të gjitha rajonet e Kosovës”, deklaroi Gërvalla.

"Guxo" ende nuk i ka caktuar pozitat në parti, e këtë sipas Gërvallës, do ta bëjnë në Kuvendin zgjedhor.

“Vjosa Osmani është themeluese e kësaj partie. Është e pazëvendësueshme për skenën e partisë e për listën Guxo. Presidentja është zgjedhur me një votë masive për t’u bërë presidente, Ne me Lëvizjen Vetëvendosje jemi se bashku grup parlamentar. Kryetar e nënkryetar e të tjera, unë kam marr përsipër deri në Kuvendin zgjedhur. Dallimi mes nesh dhe LDK-së është se ne jemi më transparent dhe programi ynë shumë më demokratik dhe jam pjesë e atij grupi që kam luftuar për ta bërë më demokratik. Por nuk shohim ndonjë bashkëpunim, por në vitet e ardhshme do ta thellojmë partnerin me LVV”, deklaroi Gërvalla.

Ajo shtoi si Qeveri janë të përkushtuar në temën e dialogut Kosovë-Serbi.