Bordi i Drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) në mbledhjen e së enjtes ka marrë vendim ta lirojë nga detyra ushtruesin e detyrës së kryeshefit ekzekutiv Bekir Gërguri dhe ushtruesin e detyrës të zëvendëskryeshefit ekzekutiv, Ramadan Budakova.
Bordi i drejtorëve të KEK-ut në njoftimin e dërguar për media të premten ka thënë se këto vendime janë marrë në përputhje me përgjegjësitë dhe kompetencat që rrjedhin nga Ligji për Ndërmarrjet Publike, si dhe parimet e njohura ndërkombëtare për qeverisjen korporative të ndërmarrjeve publike.
Gjithashtu është bërë e ditur se menaxhmenti është udhëzuar ta hapë konkursin për kryeshef ekzekutiv të hënën, 3 mars.
Gramos Hashani do ta ushtrojë detyrën e kryeshefit ekzekutiv deri në emërimin e një të riu, ndërsa Gëzim Paci do të jetë përkohësisht zyrtar kryesor financiar dhe i thesarit.
“Bordi i Drejtorëve ka falënderuar z. Gërguri dhe z. Budakova për kontributin e tyre të deritanishëm, e sidomos për menaxhimin e situatës së krijuar pas sulmit në Kanalin e Ibër Lepencit, dhe u ka uruar suksese në angazhimet e mëtutjeshme brenda Korporatës”, thuhet në njoftim.
KEK-u udhëhiqet me ushtrues detyre që kur u arrestua Nagip Krasniqi në prill të vitit 2023.