Dy serbë të arrestuar të dielën në Prizren e që ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se janë oficerë aktivë të sigurisë së Serbisë, tani janë të lirë, e ka konfirmuar për KOHËN Prokuroria Themelore në Prizren.
Sveçla pati shkruar në Facebook se ata synonin të shkaktonin “tensione ndëretnike/fetare në Kosovë”, derisa Prokuroria tha se nuk ekziston dyshimi i bazuar.
“Lidhur me rastin e fundit, ju informojmë se pas ndalimit të të pandehurve për 48 orë, prokurori i çështjes ka analizuar të gjitha provat dhe rrethanat e paraqitura gjatë fazës fillestare të hetimit. Bazuar në këtë vlerësim profesional dhe të pavarur, është konstatuar se aktualisht nuk ekziston dyshimi i bazuar, si standard i nevojshëm ligjor për të justifikuar paraqitjen e kërkesës për masën e paraburgimit apo ndonjë masë tjetër për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë. Prokurori i çështjes, ka ndërmarrë të gjitha veprimet tjera hetimore duke përfshirë edhe marrjen në pyetje të të pandehurve. Prokuroria mbetet e përkushtuar të veprojë me përgjegjësi të lartë, duke respektuar të drejtat e palëve dhe duke siguruar zbatimin e ligjit në mënyrë të drejtë dhe objektive”, shkruhet në përgjigjen e kësaj prokurorie.
Fillimisht në Prizren u arrestuan 12 serbë e më pas u liruan 10 në procedurë të rregullt. Ndërsa dy personat që tashmë janë të lirë u ndaluan për 48 orë.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të dielën shkroi në Facebook se policia i ka arrestuar dy grupe të ndryshme, një në Prizren e një në Gjakovë, që udhëtonin në katër vetura me targa të Kragujevcit dhe tha se ndër ta kishte pjesëtarë të strukturave të strukturave të sigurisë së Serbisë që synonin të bënin aktivitete destabilizuese ndaj Kosovës.
“Grupi i dytë, me 12 persona, është ndaluar në Prizren, teksa po strehoheshin në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë. Edhe në këtë grup ishin dy oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe. Hetimet paraprake kanë konfirmuar se një zyrtar i policisë serbe me gradë të togerit policor, ka lidhje të afërta familjare me anëtarin e grupit terrorist të Banjskës, Nemanja Radivojevic, nofka ‘Gandi’. Ky i fundit është i afërt i Vladimir Radivojevic, nofka ‘Mami’, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e rreshterit policor të Kosovës, Afrim Bunjaku. Zyrtari tjetër ushtarak, i cili bartë gradën e kapitenit të klasit të parë, është lidhje e ish-gjeneralit të inteligjencës ushtarake serbe, Jovan Milanovic, i njohur për përfshirjen në rrjedhjen e të dhënave të NATO-s para bombardimeve mbi caqet serbe. Fakti që u strehuan në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë mund të tregojë për një tentativë për të shfrytëzuar institucione fetare për kamuflim ose për të shkaktuar tensione ndëretnike/fetare në Kosovë, duke përdorur ngjarje të sajuara për të nxitur reagime të dhunshme ose trazira”, ka deklaruar Sveçla.
E katër të dyshuarve të cilët u arrestuan në Gjakovë në rastin që po njihet si “pelegrinët”, mbrëmë Gjykata Themelore në Gjakovë ia caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Ata po dyshohen për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Me vete ata kishin një thikë sharrë, një thikë dhe një sëpatë. Në seancën për caktimin e masës së paraburgimit i dyshuari Branko Rakiq tha se ato nuk janë armë, por mjete që i mbante në çantën e mjeteve të punës në bagazhin e veturës. E prokuroria gjatë kësaj seanca tha se nëse lihen në liri, të pandehurit do t’i rrezikonin pelegrinët në manastiret ortodokse të Kosovës.
Gjykata vlerësoi, ndër të tjera, se të pandehurit mund të ikin në Serbi për t’iu shmangur procedurës penale, andaj duhet të qëndrojnë në paraburgim.
“Gjyqtari i procedurës paraprake Samedin Cena, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurit në fjalë, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurve në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale dhe rreziku i ikjes”, shkruhet në komunikatën e Themelores në Gjakovë.