Arbëri

Liria e ktheu gjallërinë edhe në varreza

Dëshmitë e personazheve të librit “Mirupafshim në Kosovë” të Ana Exposito Valles (VII)

Liria kishte kthyer gjallërinë edhe në varreza. I madh e i vogël kishin dalë rrugëve të Vushtrrisë, duke përshëndetur ekipin e Television de Galicia që po marshonte para trupave të NATO-s, derisa forcat serbe po tërhiqeshin në drejtim të kufirit në qershorin e vitit 1999.

Derisa vushtrriasit, shumica fëmijë, po festonin publikisht orët e para të çlirimit, një djalosh fytyrëqeshur ishte ulur sipër gurit të varrit të Sherif Vinarcit, jo fort larg rrethojës së varrezave në formë hajmalie në qytezën e vjetër. Ekipi televiziv në krye me Ana Exposito Vallen do ta “ngrinte” me aparat këtë moment të jashtëzakonshëm. Me të njëjtën fotografi në celular në dhjetor, reporterja e luftës është kthyer në Vushtrri për ta gjetur djaloshin, që tash duhet të jetë në fund të njëzetave. Dy shtëpi me plan të njëjtë e ngjitur janë shenja e vetme që e përdorim si referencë për ta gjetur këndin prej ku mund të jetë shkrepur aparatit 23 vjet më parë.

“Është e rëndë të flitet për vdekjen”

Djaloshin e atëhershëm nuk e njohin kalimtarët, por pasi ndarjes së ekipit të KTV-së, Valles e Nexhat Bexhetit, përkthyesit nga Tetova, që e kishte shoqëruar ekipin galician në qershorin e 1999-s, kameramani vushtrrias, Besart Ujkani, e gjen varrin e Vinarcit.

“Është e rëndë të flitet për vdekjen dhe për gjëra të shëmtuara, e edhe për fëmijë që e kanë humbur shpresën”, thekson Valle, jo fort larg varrit të Vinarcit e pranë rrethojës. “Prandaj edhe dua të ofroj edhe rrëfime lumturie”.

Ajo e sheh jetën si përzierje të çasteve të gëzimit e të mërzisë. “Dhe si fëmijë duhet të kalosh nëpër të dyja”.

Dy qytete i vizitoi Valle brenda një dite të vetme mesdhjetori, derisa mundohej të takonte sa më shumë personazhe të librit “Mirupafshim në Kosovë!”, botuar më 2001 në galicisht e tani edhe në shqip nga Botimet KOHA. Janë histori që përthekojnë dëshmi të shqiptarëve në rrethanat e tyre më të vështira e pas humbjes së më të dashurve të tyre në luftë. Valle do t’i intervistonte në kampet e refugjatëve në Shqipëri e Maqedoni të Veriut, por edhe në ditët e para të çlirimit të Kosovës. Rrëfimeve u shkon deri në fund.

Rrugës drejt Mitrovicës, derisa kalojmë pranë një palë varrezash ndanë rrugës magjistrale , Valle e Bexheti tregojnë se si shqiptarët po varrosnin viktimat e luftës. Tani, dytë janë nisur drejt qytetit të ndarë për të takuar të burgosurit e luftës, që Valle i kishte intervistuar e xhiruar në kampin e refugjatëve në Hamallaj të Kukësit. Te xhamia e madhe i presin Hamit Preteni e Ramadan Ibishi, dy prej shtatë burrave të grupit të Mitrovicës, që do të qëndronin në shatorin 407.

“Vetëm u kam thanë ‘mos u mërzitni’”

Image
Hamit Preteni dhe Ramadan Ibishi ishin pjesë e grupit prej shtatë mitrovicasve të burgosur që do të dëboheshin drejt kampeve të refugjatëve në Shqipëri, ku Valle do t’i intervistonte

Ende pa ua lëshuar xhirimet në laptop në njërën prej kafeneve, mitrovicasit i tregojnë se Ibrahim Pushkolli ka ndërruar jetë. Valle nuk mund ta besojë.

“Mbase për shkak se për mua, prej të gjithë njerëzve që planifikoja t’i takoja, më së paku do të më kishte shkuar mendja se Pushkolli mund të ketë vdekur”, thekson Valle, që u është kthyer dëshmive të personazheve të librit për të xhiruar dokumentarin “Mirupafshim në Kosovë!”, tashmë të transmetuar në KTV e që do të emetohet edhe në mediumin ku punon ajo, Television de Galicia. Projekti është mbështetur nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS). “Mbase kisha këtë ndjenjë për shkak të bindjes që të krijonte Ibrahim Pushkolli, ky burrë komunikues dhe me vetëbesim kur e takova në mars, derisa po kalonin pikën kufitare të Morinës në marsin e vitit 1999”.

Këto momente i kanë parë me sytë e tyre Preteni e Ibishi në laptopin e Valles.

“Çfarë mendoni se ka ndodhur me gruan dhe me fëmijën tuaj kur ju ndanë?” – e pyet Valle Ibishin në intervistën e vitit 1999. “A thua çfarë mund të ketë bërë?”

“Nuk e di çfarë ka mujtë me ba, veç shtirë u kanë boll. Djalin njëmbëdhjetë muajsh ma kanë marrë prej durve dhe kanë thanë jepja nanës së vet dhe më thanë dil atje”, thotë Ramadan Ibishi në intervistën e atëhershme. “Çfarë ju thatë në momentin e fundit?” – pyet Valle. “Mos u mërzitni, çka me ba”.

Të burgosurit në Burgun e Mitrovicës ishin rrahur e lënë pa ushqim. Në xhirime shihen shenjat e dajakut në trupin e një burri, që trajtohet nga një mjeke e organizatave ndërkombëtare të ndihmës.

“Gruan me fëmijë, edhe ata i kanë pru njëherë deri në burg, nuk i kanë shti në burg. Qaty i kanë lanë te dera një natë. Të nesrit i kanë depërtu. Kah i kanë çue, unë masnej nuk e di”, do t’i thoshte Hamit Preteni Valles në intervistë.

“A ju kujtohet çfarë i keni thënë për herë të fundit gruas?”

“Vetëm u kam thanë ‘mos u mërzitni’”, thekson Preteni, i cili përpjekjes së radhës së Valles për ta vazhduar intervistën i përgjigjet prerazi: “Nuk muj ma!” I lidhet nyja në fyt.

Ana jugore, “Mitrovica e vërtetë”

Image
Valle ua tregon Pretenit e Ibishit xhirimet e intervistave me ta dhe pesë mitrovicasit e tjerë, zhvilluar në mars 1999, në tendën 407, në kampin e Hamallajve në Kukës. Ibrahim Pushkolli ka ndërruar jetë

Preteni tani tregohet më i fortë kur i sheh xhirimet, ndryshe nga Ramadan Ibishi.

“Meja, Prekazi, Studimja, Reçaku, edhe ata apet ma nalt se na”, thotë Preteni duke ia përmendur Valles disa prej masakrave të luftës së fundit e duke iu referuar serbëve që nuk u nxorën para drejtësisë. “Thuajse unë jam fajtor n’shpi tem, me m’vra, me ma sos shpinë tem, edhe apet fajtor”, rreh tavolinën Preteni pa ia ndarë shikimin Valles. “Qysh? Ku?”

“A po mërziteni?” – i drejtohet pas pak Valle Ibishit që nuk mbahet. “Por ja ku jeni. Keni mbijetuar për të rrëfyer”.

“Nuk na ka dalë qysh kena menue”, thotë Ibishi fjalëpakë.

“As Ramadani e as Hamiti nuk i kanë shëruar plotësisht plagët e tyre”, thotë Valle pas takimit.

Në qytetin e ndarë, ku lumi është kthyer faktikisht në kufi ndëretnik e ura e rinovuar nga Bashkimi Evropian shenjë e ndarjes, Valle përshkon sheshin e pjesës veriore. Gjithandej flamuj të Serbisë.

“Ajo që më lë përshtypje është se përse insistojnë ta theksojnë nacionalitetin e tyre”, thotë ajo. “E nga ana tjetër e qytetit sheh gjithë atë lëvizje, kurse këtu krejt thatë. Mbase për shkak se ajo anë është realja”.