Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se partia që e udhëheq nuk ka marrëveshje për qeverisje me askënd deri më tani.
“Nisma nuk ka marrëveshje me askënd deri më sot, dhe Nisma është e gatshme që të punojë fort që Kosova t’i krijojë institucionet, që të mos ketë krizë parlamentare, por ajo që mund të them është që deri më tani nuk kemi asnjë marrëveshje me asnjë grupacion politik”, është shprehur Limaj, në një deklarim për media para së të hyjë në ndërtesën e Kuvednit për t’u regjistruar si deputet. "Deri më tani ne nuk kemi asnjë marrëveshje politike me askënd dhe natyrisht kushdo që ofrohet ne jemi të gatshëm të ulemi dhe të bisedojmë për krijimin e institucioneve", ka shtuar Limaj.
Ai ka thënë se presin që Qeveria dhe institucionet të krijohen sipas afateve kushtetuese.
“Ne do të luajmë rolin tonë në krijimin e këtyre institucioneve, për aq sa neve na takon dhe kërkohet nga ne dhe këtu përfundon detyra jonë kushtetuese ... do të jemi forcë politike e gatshme për të bashkëpunuar për interesa nacionale, në dimë t’i dallojmë dëshirat, ambiciet personale me aktivitetin politik, me marrëveshjet, me takimet, me nevojat e përbashkëta”, ka theksuar Limaj.
