Me hyrjen në fuqi të Ligjit për pagën minimale, do të ndryshojnë edhe shkallët tatimore varësisht prej pagës, bëri të ditur Administrata Tatimore e Kosovës të martën. Ligji parasheh që paga minimale të arrijë vlerën prej 264 eurove bruto për të punësuarit në sektorin publik e privat.
Deri tash, kushdo që kishte pagë mbi 250 euro, deri në këtë vlerë paguante 6.8 euro tatim. Por, me ndryshimet, tatim deri në këtë vlerë nuk do të ketë. Për pagat prej 251 euro deri në 450 euro, tatimi në pagë do të jetë 8%, e për pagat mbi 450 euro do të jetë 10%.
Por, sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, për sektorin privat kjo nuk do të ketë ndonjë ndikim.
“Sa i përket sektorit privat nuk ka asnjë impakt sepse sot në sektorin privat 99% të rasteve nuk mund të gjesh pagë më të ulët se 250 euro. Sa i përket ndryshimit të shkallëve tatimore kjo nuk e prek biznesin. Te bizneset e vogla ka efekt pozitiv. Brengosëse ka qenë se kemi mësuar prej mediave dhe kjo është shumë brengosëse se po vazhdon praktika e mospasjes së dialogut publiko-privat dhe moskonsultimit me sektorin privat”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta”.
Rafuna ka shtuar se bizneset nuk janë njoftuar për këtë vendim nga Qeveria dhe as që ka pasur diskutim me to paraprakisht. Sipas tij, mosnjoftimi në kohë mund t’u shkaktojë dëm të madh bizneseve aq sa t’i vë në vështirësi ekzistence.
“Mënyra si po sillet ligji është befasi e keqe për sektorin privat sepse po befasohet, brenda një ore sheh në media se po ndërron ligji, por nesër mund të ndërrojë Ligji për tatime në të ardhura në korporata apo Ligji për tatimin e vlerës së shtuar dhe mund të befasohen si sot që askush nuk ka qenë i konsultuar dhe nuk i ka dhënë kohë biznesit të përgatitet”, është shprehur ai.
Ai ka theksuar se Qeveria duhet të ketë plan konkret për ta ndihmuar prodhimin vendor për shkak të eksportit të ulët e importit të lartë.
“Ne si Kosovë na duhen 30 vjet për t’i arritur vendet e para posë vendet që janë ën zhvillim e sipër të integruara në BE, që merren Rumania, Bullgaria, etj. Ne duhet ta përshpejtojmë ritmin se kemi humbur shumë kohë”, ka përfunduar Rafuna.