Arbëri

Lidhjet politike e familjare, “kritere” dominuese për një vend pune

*Teksti dhe storja janë përgatitur në kuadër të projektit “Dëgjonani”!

Në shkurt të këtij viti, Komuna e Drenasit, hapi konkurs për punësimin e 15 infermierëve. Në këtë proces rekrutimi përfituan kryesisht njerëz të angazhuar politikisht e të afërt me përfaqësues të pushtetit lokal. Përfaqësues të shoqërisë civile thanë se praktika e nepotizmit është e përhapur kudo në Kosovë

Kualifikimi, përvoja e punës dhe përgatitja për test, nuk i mjaftuan një infermiereje nga Drenasi që të sigurojë marrëdhënie të rregullt pune në qendrën kryesore të mjekësisë familjare “Hafir Shala”.

Ajo flet në kushte anonimiteti, nga frika e hakmarrjes, dhe ankohet se nga konkursi i fundit për infermierë, përfituan kryesisht njerëz të angazhuar politikisht e të afërt me përfaqësues të pushtetit lokal.

“Ai që ka vetëm shkollë të mesme, doli më i aftë se ne që kemi përvojë 8-vjeçare. Jemi mësuar me këto që po ndodhin, edhe pse unë në kohën e pandemisë kam qenë vullnetare dhe kam punuar me mundin më të madh”, ka thënë ajo.

Rreth 100 kandidatë aplikuan në konkurs dhe u pranuan 15 nga ta. E, nga të pranuarit, ka asamblistë të partisë që mban pushtetin në komunë e edhe anëtarë të stafit të kryetarit, si dhe familjarë të tyre. 
Kjo është evidentuar edhe në një ankesë që kryetarit të komunës ia ka përcjellë rrjeti i organizatave joqeveritare “Avonet”, e në të cilën është konstatuar se edhe vetë kriteret e konkursit nuk janë bazuar në parimin e mosdiskriminimit.

“Komuna e Drenasit për konkursin e QKMF-së..., te kriteret për infermier ka kërkuar diplomë Bachelor në Infermieri, gjë e cila ka rënë ndesh me Udhëzimin Administrativ MFPT – nr. 01/2024 për Rregullimin e procedurave të Konkursit në Sektorin Publik, neni 4, paragrafi 1: Procedura e konkursit në sektorin publik duhet të jetë e hapur dhe publike, si dhe të zhvillohet duke u bazuar në pranimin e mosdiskriminimit, të mundësive të barabarta, të meritës dhe integritetit profesional, dhe të përfaqësimit të drejtë dhe proporcional të komuniteteve”, thuhet mes tjerash në shkresën adresuar Lladrovcit.

Në të theksohen se një kandidate e pranuar është asambliste nga radhët e PDK-së që mban pushtetin në komunë, një është motër e një asamblisteje të po kësaj partie, si dhe një tjetër është zyrtare e kabinetit të kryetarit Lladrovci.

“Kandidatet e lartcekura për ne mbesin dyshim i arsyeshëm që komisioni përkatës nuk ka trajtuar gjithë kandidatët barabartë për shkak të lidhjeve familjare, të cilat cenojnë parimin e barazisë në këtë konkurs”, thuhet në shkresën e “Avonet”. 

Zyrtarë të komunës, prej ditësh nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS për këtë konkurs.

E, për pranim në baza nepotizmi, folën përfaqësues të opozitës.

Egzona Tërdevci është kryetare e grupit të anëtarëve të Kuvendit Komunal nga radhët e Vetëvendosjes, dhe thotë se së paku gjashtë nga të pranuarit ose janë zyrtarë të zgjedhur a të emëruar politikë, ose familjarë të tyre.

“Përveç që ka infermierë që nuk i plotësojnë kriteret ligjore, ka një nepotizëm dhe familjarizim të skajshëm të Komunës së Drenasit në këtë konkurs. Shkeljet e tilla nuk lejohen”, ka thënë Tërdevci.
Pretendimet janë mbështetur edhe nga Mehedin Salihu, i cili ka qenë punëtor shëndetësor në qendrën kryesore të mjekësisë familjare dhe tani është asamblist i një tjetër subjekti politik opozitar – Demokratëve për Drenasin.

“Larg këtyre listave të pranuarve kanë mbetur shumë persona të merituar. Në mesin e tyre kemi 8-9 persona që kanë përvojë 8-vjeçare dhe është dashur të futen në listë të të pranuarve”, ka thënë Salihu.

Edhe në kuadër të hapësirës ECR që KOHA ua ka ofruar qytetarëve për t’i shprehur mendimet dhe shqetësimet e tyre për diskriminimin, shumë syresh janë ankuar për padrejtësitë që u bëhen në konkurse punësimi.

Në shoqërinë civile thanë se punësimi në baza partiake dhe familjare demotivon të rinjtë që të aplikojnë në institucione publike.

“Kjo çështje mund ta sjellë punësimin në këto baza pa e plotësuar kriterin e meritës dhe të profesionalizmit. Rrjedhimisht kjo mund t’i demotivojë të rinjtë që të aplikojnë në institucione për të cilat Kosova ka nevojë që të punësojë njerëz të mirë, të aftë dhe të përgjegjshëm dhe me integritet për të udhëhequr një pozitë të caktuar”, ka thënë Naim Jakaj, hulumtues i Institutit të Kosovës për Drejtësi.

Demotivimin e përmendi edhe kandidatja që u ankua se u diskriminua me konkursin për infermierë në qendrën kryesore të mjekësisë familjare në Drenas. 

“Jemi me kolegët që kemi përvojë pune dhe nuk jemi të aftë për të na pranuar, në mënyrë që të kemi një vend të punës. Kjo gjë është mjaft shqetësuese, demotivuese, pasi që ne nuk mund të presim gjithë jetën për një vend të punës”, ka thënë ajo.

Edhe raporte kredibile, përfshirë atë të përvitshëm të Komisionit Evropian, evidentojnë si problem diskriminimin në punësim dhe nepotizmin.