Deputetë të Kosovës e ata evropianë u bënë bashkë të martën në sallën e seancave të Kuvendit të Kosovës për takimin e 11-të të Komisionit parlamentar për Stabilizim- Asociim mes BE-së e Kosovës. Aty u shpreh kërkesa që të ndërmerren hapa drejt pranimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në bllokun evropian. E derisa kërkuan përparim në dialogun Kosovë-Serbi, përfaqësues evropianë bënë thirrje për përmbushjen e reformave.
Përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian e kërkuan të martën përfaqësues shtetërorë në mbledhjen e përbashkët BE-Kosovë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim.
Ata e shprehën qëndrimin se integrimi i Kosovës në BE ndikon në mbrojtjen e vendit nga ndikimet e jashtme, kryesisht nga Rusia.
E kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se Kosova e ka të qartë punën që duhet ta bëjë drejt reformave të nevojshme, përderisa përmendi angazhimin në kuadër të dialogut me Serbinë.
“Ne besojmë se vetëm njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë është pjesë thelbësore e marrëveshjes përfundimtare gjithëpërfshirëse, si parakusht i domosdoshëm që të dyja vendet të përparojnë në rrugën e tyre drejt integrimeve evropiane”, tha Konjufca.
E zëvendëskryeministri Besnik Bislimi theksoi që në rrugën drejt marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, Kosova nuk e ka asnjë pengesë.
“Kosova mbetet vendi i vetëm në 6-shen e Ballkanit Perëndimor pa status kandidati. Ne besojmë që trajtimi i aplikimit të Kosovës është i mundshëm dhe para së gjithash i merituar. Nuk ka asnjë problem teknik që Kosovës t’i dërgohet pyetësori në mënyrë që kapacitete tona institucionale të vlerësohen”, tha Bislimi.
Derisa iu bashkua thirrjes për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, eurodeputeti Lukas Mandl vlerësoi se dështimi në dialog do të përbënte dështim edhe për BE-në.
“Dialogu Kosovë-Serbi do të ketë kuptim vetëm kur të mbahet në frymën e mirëbesimit dhe të kompromisit për të arritur një marrëveshje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve. Ftoj që të ketë zbatim të plotë të Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme”, tha Mandl.
E AnnaCarin Platon, që në mbledhje mori pjesë në emër të përfaqësuesit të BE-së, Josep Borrell, i numëroi kërkesat që duhen përmbushur drejt heqjes së masave.
“Heqja e tyre varet nga progresi i mëtutjeshëm i Kosovës në përmbushjen e kërkesave të BE-së. Së dyti, Qeveria duhet të angazhohet në mënyrë konstruktive në normalizim, në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Ky është parakusht për përkrahjen e BE-së nën planin e rritjes. Dhe e treta, Qeveria duhet që të marrë veprime në rrugën e reformave që synojnë fuqizimin e sundimit të ligjit, që stimulojnë zhvillimin ekonomik dhe sigurojnë energji të qëndrueshme dhe mbrojtjen e mjedisit”, tha shefja e sektorit politik, ekonomik për integrim evropian.
Takimi i Komisionit parlamentar për Stabilizim-Asociim mes Kosovës dhe BE-së është i 11-ti me radhë, derisa punimet do t’i vazhdojë edhe të mërkurën.