Kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan në samitin e Procesit të Berlinit një plan të ri për tregun e përbashkët rajonal, si dhe një marrëveshje të re për lëvizshmërinë, e cila përfshin qasjen në arsimin e lartë.

Nën udhëheqjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, samiti u mbajt të hënën në Berlin.

Të pranishëm ishin edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe përfaqësues të vendeve partnere.

Scholz tha se marrëveshjet e reja "do ta bëjnë jetën e njerëzve më të lehtë".

"Procesi i Berlinit është instrumenti më i mirë jo vetëm për bashkëpunimin rajonal, por edhe për përshpejtimin e integrimit evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor", tha ai.

Plani i ri për tregun e përbashkët rajonal është pjesë integrale e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili u miratua nga Bashkimi Evropian në muajin maj dhe ka vlerën e gjashtë miliardë eurove.

Ky plan synon t'i mbështesë reformat e rajonit, që lidhen me BE-në, si dhe rritjen e tij ekonomike.Vendet anëtare të BE-së i miratuan më 11 tetor agjendat e reformave të pesë vendeve të rajonit - përveç Bosnje e Hercegovinës - duke i hapur kështu rrugë Komisionit Evropian që t'i bëjë pagesat e para nga paketa në fjalë.

Bosnja duhet të presë ende për miratimin e agjendës së saj, pasi që dokumenti që ky vend dërgoi në BE, nuk ishte komplet dhe nuk i adresonte të gjitha sugjerimet e dhëna nga Komisioni Evropian.

Sipas një përllogaritje jozyrtare, Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga Plani i Rritjes. Mbi 250 milionë euro, asaj do t’i ndaheshin si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme.

Gjatë adresimit të tij në samit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, foli mes tjerash për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke njoftuar se Kosova, nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm, do t'u mundësojë qytetarëve të Bosnje e Hercegovinës të hyjnë në vend me vetëm letërnjoftime.

Aktualisht, qytetarët e të dyja vendeve duhet të pajisen me viza për të hyrë në territorin e njëra-tjetrës.

Një marrëveshje për lëvizje të lirë me letërnjoftime mes vendeve të Ballkanit Perëndimor u arrit në vitin 2022, por nuk u zbatua plotësisht.

Qytetarët e Kosovës mund të lëvizin me letërnjoftime në Maqedoni të Veriut, Shqipëri, Serbi dhe Mal të Zi. Bosnje e Hercegovina, e cila - sikurse Serbia - nuk e njeh shtetin e Kosovës, nuk e ratifikoi marrëveshjen për lëvizje të lirë./REL

Lajçak: Ka ardhur koha që ta bëjmë realitet integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE

6 muaj më parë / 14 tet 2024 17:51
Miroslav Lajçak ne Samitin e Procesit te Berlinit

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se është koha që të bëhet realitet integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE. 

Lajçak të hënën mori pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit. 

“Me ftesën e kancelarit gjerman Olaf Scholz mora pjesë sot në Samitin e Procesit të Berlinit. Në 10 vjetorin e tij, mesazhet ishin shumë të qarta: është arritur shumë për njerëzit e rajonit, por koha ka ardhur që ta bëjmë realitet integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE”, ka shkruar Lajçak në platformën “X”.

Bregu: Lajm i mirë heqja e njëanshme e vizave për qytetarët e Bosnjës

6 muaj më parë / 14 tet 2024 16:10
Majlinda Bregu

Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC Kosova), Majlinda Bregu, e ka cilësuar lajm të mirë vendimin e autoriteteve të Kosovës për heqjen e njëanshme të vizave ndaj qytetarëve të Bosnjë-Hercegovinës.

Në një komunikatë për media, RCC Kosova ka thënë se ky është shembull i një lëvizjeje pozitive drejt ndërtimit të urave të bashkëpunimit.

“Me kënaqësi kemi dëgjuar nga Kryeministri kosovar që Kosova në mënyrë unaliterale ka vendosur të heqë vizat për qytetarët e Bosnjës. Ky është një sinjal i mirë që duhet të lëvizë edhe vendimmarrja në Bosnje, sa i përket zbatimit të njërës prej marrëveshjeve që është firmosur e nuk është zbatuar deri më tani. Procesi i Berlinit ka mbajtur gjallë frymën dhe perspektivën e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, kur zgjerimi ishte thuajse fjalë e ndaluar dhe shumë e dëshiruar”, ka thënë Bregu të hënën.

Ajo ka shtuar se plani për katër vjetët e ardhshme nga liderët e Ballkanit Perëndimor është kuadër unifikues i bashkëpunimit rajonal për interesa të përbashkëta.

“Liderët e Ballkanit Perëndimor nënshkruan sot planin që do të respektojnë për 4 vitet e ardhshme – faza e dytë e Tregut të Përbashkët Rajonal është një plan për rritje të qëndrueshme. Ai është një kuadër unifikues i bashkëpunimit rajonal për mirëqenien e përbashkët ose interesat e përbashkëta në lojën globale. Në të gjitha fushat–digjitalizimi, tregtia, investimet, inovacioni, politikat e gjelbërta etj – që filluan të bëhen të dukshme gjatë fazës së parë të CRM, puna për integrimin ekonomik rajonal përmes planit CRM të nënshkruar sot, ankorohet fort në Planin e Rritjes së BE-së,” ka thënë tutje Bregu.

Liderët e Ballkanit Perëndimor nënshkruajnë marrëveshje të reja në Berlin

6 muaj më parë / 14 tet 2024 15:31 Nga: Radio Evropa e Lirë
Procesi i Berlinit

Kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan në samitin e Procesit të Berlinit një plan të ri për tregun e përbashkët rajonal, si dhe një marrëveshje të re për lëvizshmërinë, e cila përfshin qasjen në arsimin e lartë.

Nën udhëheqjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, samiti u mbajt të hënën në Berlin.

Të pranishëm ishin edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe përfaqësues të vendeve partnere.

Scholz tha se marrëveshjet e reja "do ta bëjnë jetën e njerëzve më të lehtë".

"Procesi i Berlinit është instrumenti më i mirë jo vetëm për bashkëpunimin rajonal, por edhe për përshpejtimin e integrimit evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor", tha ai.

Plani i ri për tregun e përbashkët rajonal është pjesë integrale e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili u miratua nga Bashkimi Evropian në muajin maj dhe ka vlerën e gjashtë miliardë eurove.

Ky plan synon t'i mbështesë reformat e rajonit, që lidhen me BE-në, si dhe rritjen e tij ekonomike.Vendet anëtare të BE-së i miratuan më 11 tetor agjendat e reformave të pesë vendeve të rajonit - përveç Bosnje e Hercegovinës - duke i hapur kështu rrugë Komisionit Evropian që t'i bëjë pagesat e para nga paketa në fjalë.

Bosnja duhet të presë ende për miratimin e agjendës së saj, pasi që dokumenti që ky vend dërgoi në BE, nuk ishte komplet dhe nuk i adresonte të gjitha sugjerimet e dhëna nga Komisioni Evropian.

Sipas një përllogaritje jozyrtare, Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga Plani i Rritjes. Mbi 250 milionë euro, asaj do t’i ndaheshin si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme.

Gjatë adresimit të tij në samit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, foli mes tjerash për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke njoftuar se Kosova, nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm, do t'u mundësojë qytetarëve të Bosnje e Hercegovinës të hyjnë në vend me vetëm letërnjoftime.

Aktualisht, qytetarët e të dyja vendeve duhet të pajisen me viza për të hyrë në territorin e njëra-tjetrës.

Një marrëveshje për lëvizje të lirë me letërnjoftime mes vendeve të Ballkanit Perëndimor u arrit në vitin 2022, por nuk u zbatua plotësisht.

Qytetarët e Kosovës mund të lëvizin me letërnjoftime në Maqedoni të Veriut, Shqipëri, Serbi dhe Mal të Zi. Bosnje e Hercegovina, e cila - sikurse Serbia - nuk e njeh shtetin e Kosovës, nuk e ratifikoi marrëveshjen për lëvizje të lirë./REL

Kurti në samitin e Berlinit paralajmëron për rritjen e ndikimit të Kinës, nëpërmjet Serbisë

6 muaj më parë / 14 tet 2024 12:19
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në adresimin e tij në samitin e Procesit të Berlinit ka paralajmëruar edhe për rritjen e ndikimit të Kinës në rajon, duke përmendur nënshkrimin e marrëveshjes për tregti të lirë mes Kinës e Serbisë. 

“Lidhshmëria është e domosdoshme për Procesin e Berlinit, por duhet të ruhemi nga ndikimi i huaj, veçanërisht nga Kina, e cila ka investuar thellë në fqinjin tonë verior, duke nënshkruar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë dhe një zotim për një të ardhme të përbashkët me Kinën. BE-ja duhet të sigurohet që fondet e BE-së janë të lidhura me vlerat e BE-së – është Procesi i Berlinit ai që e afron rajonin tonë me BE-në, jo "Procesi i Pekinit", i cili çon drejt BRICS-it”, ka deklaruar Kurti.

“ Kosova ka qenë dhe do të jetë një zë i arsyeshëm dhe një flamurtar në këtë Proces, por nuk duhet të qëndrojmë të vetëm në shtyrjen përpara dhe mbrojtjen e vlerave themelore të BE-së”, ka shtuar Kurti.


Kurti në samitin e Berlinit: Koha e fundit që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat për BE

Ai ka thënë se është koha e fundit që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE). 

“Pas dy muajsh do të shënojmë dy vjet prej kur Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE. Ndërsa ne deklarojmë se zgjerimi është përsëri në agjendë, ka ardhur koha që Kosova të marrë statusin zyrtar të kandidatit. Në këto tre vite e gjysmë të fundit, kemi shënuar rritje të jashtëzakonshme ekonomike, progres demokratik dhe stabilitet institucional, duke menaxhuar suksesshëm disa kërcënime serioze të sigurisë. Njohja e përparimit dhe të arriturave të Kosovës po ashtu afirmon përkushtimin e BE-së ndaj zgjerimit dhe vlerave të saj”, ka thënë ai gjatë fjalimit, të cilin e ka shpërndarë edhe në rrjetin social Facebook

Ai ka folur edhe për Procesin e Berlinit duke thënë se për një dekadë ka luajtur një rol kyç në afrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor me BE-në. 

“Tregu i Përbashkët Rajonal (CRM) është një nga të arriturat më të mëdha të këtij procesi. Një momentum i ri është fituar pas kapërcimit të ngërçit brenda CEFTA-s. Tash mund të përparojmë me një ritëm të ndryshëm, me barazi në qendër dhe qytetarët si përfituesit e fundit. Plani i Rritjes i BE-së është tani një Agjendë e miratuar e Reformave; zbatimi i tij duhet të ndjekë qasjen e "garës për në majë”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka theksuar se gjatë një dekade është bërë përparim i rëndësishëm në Procesin e Berlinit, por se sipas tij nevojiten edhe më shumë veprime. 

Kurti ka quajtur paradoksale që qytetarët e Kosovës që nga janari lëvizin pa viza në vendet e zonës Schengen, nuk mund të shkojnë në Bosnjë-Hercegovinë pa viza.



Kurti: Nga janari Kosova lejon hyrjen e qytetarëve të Bosnjë-Hercegovinës me letërnjoftim

Ai ka thënë se Kosova nga janari do ta zbatojë njëanshëm marrëveshjen për lëvizje të lirë e cila është arritur në kuadër të Procesit të Berlinit. 

“Përderisa entiteti i Republikës Serbe refuzon ratifikimin e marrëveshjes së mobilitetit për lëvizjen e lirë me letërnjoftime, të cilën vendi im ishte i pari në rajon që e ratifikoi në parlament, unë kam vendosur t’i jap fund pritjes. Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Republika e Kosovës, do të lejojë në mënyrë të njëanshme lëvizjen e lirë me letërnjoftime të qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës.”, ka deklaruar Kurti. 

Scholz në samitin e Berlinit: Duhet dinamikë e re në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

6 muaj më parë / 14 tet 2024 11:20 Nga: Radio Evropa e Lirë
Procesi i Berlinit

Foto: AP

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen më aktivisht në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, duke u zotuar se do të punojë edhe personalisht me të dyja vendet.

Scholz i bëri komentet në hapje të samitit të Procesit të Berlinit, ku marrin pjesë përfaqësues të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe të vendeve partnere.

“Na duhet një dinamikë e re... do t’u thosha miqve nga Beogradi dhe Prishtina sot: Ju lutem mos lejoni që e kaluara t’ju frenojë në rrugën drejt një të ardhmeje paqësore dhe prosperuese. Jam i bindur se kjo e ardhme gjendet në BE dhe ekziston vetëm një rrugë që çon atje: zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura”, tha Scholz gjatë fjalës hyrëse.

“Unë do të vazhdoj të angazhohem personalisht me të dyja vendet, për t’u siguruar se ato e shfrytëzojnë këtë mundësi”, shtoi ai.

I lansuar në vitin 2014 nga kancelarja e atëhershme gjermane, Angela Merkel, Procesi i Berlinit shënon sivjet dhjetë vjet.

Synimi i samiteve të tij, të cilat mbahen çdo vit, është që gradualisht ta afrojnë Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Bosnje e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut më pranë BE-së.

Nga gjashtë shtetet e rajonit, vetëm Kosova nuk është kandidate zyrtare për anëtarësim në BE.

Duke folur për rëndësinë e Procesit të Berlinit, Scholz tha se ai “është instrumenti më i mirë jo vetëm për bashkëpunimin rajonal, por edhe për përshpejtimin e integrimit evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

“Bashkimi Evropian është i kompletuar me Ballkanin Perëndimor si pjesë të tijën”, tha ai.
Scholz, po ashtu, paralajmëroi nënshkrimin e dy dokumenteve të reja në samitin e sotëm, që, siç tha, do ta bëjnë jetën e njerëzve më të lehtë.

I pari, sipas tij, ka të bëjë me një plan të ri veprimi për tregun e përbashkët rajonal, ndërsa i dyti ne një marrëveshje të re për lëvizjen, që përfshin edhe qasjen në arsimin e lartë.

Kurti pritet nga Scholzi: Pres me padurim rezultatet nga samiti i Procesi i Berlinit

6 muaj më parë / 14 tet 2024 10:25
Albin Kurti, Olaf Scholz

Albin Kurti dhe Olaf Scholz në Berlin javën e kaluar (Foto: Albin Kurti - Facebook)

Kryeministri Albin Kurti, është pritur nga kancelari gjerman Olaf Scholz, në prag të nisjes së samitit të Procesit të Berlinit. 

Për pritjet Kurti ka shkruar në rrjetin social X, duke e vlerësuar lartë rolin që sipas tij ka luajtur Procesi i Berlinit për të sjellë më afër BE-së vendet e Ballkanit Perëndimor. 

“Ne kemi punuar shumë për ta bërë samitin e këtij viti të Procesit të Berlinit një sukses. Për një dekadë, ai ka luajtur një rol kyç në mbajtjen e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor së bashku dhe për ta sjellë atë më afër BE-së. Pres me padurim diskutimet dhe rezultatet”, ka shkruar Kurti në rrjetin social X.

Në takimin e sotme në kuadër të Procesit të Berlinit, në të cilin do të marrë pjesë edhe Kurti, është paralajmëruar nënshkrimi i disa marrëveshjeve dhe deklaratave në mes të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Tri nga pesë marrëveshjet e nënshkruara në vitin 2022 në kuadër të Procesit të Berlinit nuk kanë gjetur zbatim ende.

Mes tyre është edhe marrëveshja për heqjen e regjimit të vizave mes Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës.

Referuar këtij rasti, por edhe ngecjeve në marrëveshjet e tjera, zyrtarë të Komisionit Evropian janë skeptikë për përfitimet që mund t’i sjellë takimi i radhës në Berlin.