Të burgosurit politikë shqiptarë në burgjet serbe nxirrnin në dritë nëpërmjet gomave të karrocave të invalidëve, sapunëve, letrave higjienike, shiritave të ndryshëm të aparateve të skanimit dhe rrobave letrat “e ndaluara”. Ishin mënyrat e vetme për të nxjerrë jashtë grilave dëshmitë e tmerrit, pikëpamjet politike, por edhe frymëzimet krijuese dhe ndjenjat e dashurisë për njerëzit e zemrës.
Rreziku për publikimin e bindjeve dhe përjetimeve të shokut të burgut merreshin vullnetarisht përsipër prej atyre që po liroheshin, shkruan sot Koha Ditore.
Xhavit Nuhiu po vuante në burgun e Nishit muajt e fundit të dënimit prej tre vjetësh pse kishte shkruar “Kosova Republikë” nëpër Preshevë pas demonstratave studentore të vitit 1981. Dikur shofer autobusi, Nuhiu kishte mbetur invalid pas një aksidenti trafiku.
Bashkë me të po vuante dënimin prej pesëmbëdhjetë vjetësh ish-kryeministri Bajram Kosumi, si pjesë e organizimit të revoltës studentore. Haxhiu ishte lexuesi i parë i poezive të Kosumit. Mendonte se poezitë duhej të shihnin disi dritën.
“Duhet t’i ruash këto poezi’”
“Nuk di a ka qenë dy muaj pa e përfunduar dënimin, kur më tha se ‘duhet t’i ruash këto poezi’”, kujton Kosumi, tani rektor i Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”. “Tha: Shkruaj në letra të holla dhe unë t’i ruaj’. I thashë se janë tekste të mira, porse nuk ia vlente të rrezikohej”.
Nuhiu nuk po hiqte dorë prej kërkesës për të marrë mbi shpatulla një rrezik që mund ta kthente në burg, në ditën kur pritej të lirohej. “Më tha se nuk del pa i marrë poezitë, kështu që unë i shkrova dhe ai i mori, dhe natën e kishte çarë gomën e karrocës, i kishte futur brenda dhe e kishte ngjitur gomën me ngjitës. I ka bartur më shumë se një muaj në goma”, shton Kosumi.
Kosumi po priste në ethe në ditën kur ia dha lamtumirën Nuhiut. “Kam pritur në ankth derisa e pashë se nuk u kthye, sepse druaja se do ta zinin dhe do ta kthenin prapë në burg”.
Poezitë ia ishin dërguar pas disa muajsh familjes Kosumi....(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)