Ermina Lekaj-Përlaskaj, këshilltare e posaçme e ministrit të Jashtëm kroat, ka thënë se Kosova duhet të rri zgjuar dhe të jetë e kujdesshëm nga provokimet që mund të vijnë nga Serbia.
Në një intervistë në “Interaktiv” të premten, Lekaj-Përlaskaj ka theksuar se për shkak të situatës në skenën globale është e vështirë që siguria të jetë e 100 përqindtë.
“Kosova duhet të ketë kujdes të madh nga provokimet që do të vijnë nga Serbia. Presidenti Vuçiq ka probleme të njëjta në shtetin e vet, dhe do të përpiqet t’i gjuajë edhe në territorin e Kosovës. Duke shikuar atmosferën në skenën globale, është shumë e vështirë të thuhet se siguria të jetë 100 për qind. Duhet të rrimë zgjuar dhe të jemi të kujdesshëm nga provokimet”, ka thënë ajo.
Lekaj-Përlaskaj që ka shërbyer edhe si deputete e Parlamentit të Kroacisë ka thënë se gjatë vizitës së sotme të kryeministrit Albin Kurti në Zagreb u arritën disa marrëveshje që kanë rëndësi të madhe.
“Kemi pasur deri tash disa marrëveshje, por nuk janë zbatuar. Këto marrëveshje të nënshkruara sot do të jenë shumë jetike për popullatën. Shembull, marrëveshja për njohjen e stazhit të punës gjatë kohës kur qytetarët kanë punuar në Jugosllavi. Prej ditës së nesërme qytetarët mund të kërkojnë procedurat për të aplikuar për pranimin e stazhit. Tjetra është marrëveshja për njohjen e patentë shoferëve e shumë të tjera. Disa marrëveshje ndonëse nuk kanë qenë të nënshkruar, por në praktikë meqë kanë qenë marrëdhëniet e mira, janë zbatuar kur ka qenë nevoja”, ka theksuar ajo.
Ish-deputetja e Parlamentit kroat ka thënë se Kroacia është gjithmonë ndër vendet e para që mbështet Kosovën kur ka pasur sulme si ajo në Banjskë apo i fundit në kanalin e “Ibër-Lepencit”.
“Edhe Kroacia e sheh Serbinë si shtet që nuk dëshiron të ketë raporte të mira fqinjësore. Të gjithë e dimë të kaluarën mes Serbisë dhe Kroacisë. Kroacia është shumë e kujdesshme kur flet për Serbinë dhe është gjithmonë e gatshme për ndonjë të papritur që vjen nga ana e Serbisë”, ka thënë Lekaj-Përlaskaj.
Ajo ka bërë të ditur se të hënën ministri i Mbrojtjes i Kroacisë do ta vizitojë Kosovën, ku do të vizitojë ushtarët kroatë të KFOR-it dhe homologun Ejup Maqedonci “me qëllim të gjetjes së gjuhës së përbashkët se si duhet të ngrihet siguria jo vetëm në Kosovë, por edhe në Kroaci”.