Qeveria synon të rregullojë me ligj dërgimin dhe tërheqjen e ushtarëve të Forcës së Sigurisë nga misionet paqeruajtëse ndërkombëtare. Për këtë, të mërkurën është miratuar edhe një projektligj. Njohësit e fushës e vlerësojnë lart mundësinë e dërgimit të ushtarëve kosovarë në misione paqeruajtëse
Qeveria ka miratuar të mërkurën ndryshimet ligjore në Ligjin për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.
Kryeministri Albin Kurti tha se ky projektligj bën rregullimin e dërgimit dhe të tërheqjes së pjesëtarëve të FSK-së nga operacionet paqeruajtëse ndërkombëtare.
“Ky projektligj bën rregullimin e procedurave të dërgimit të FSK-së jashtë vendit si dhe marrjen pjesë në operacionet e paqes dhe operacioneve ndërkombëtare dhe aktivitete të tjera”, ka thënë Kurti.
E, duke folur rreth rëndësisë së këtyre ndryshimeve, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se Forca e Sigurisë është e gatshme të kryejë operacione ndërkombëtare.
“Duke marrë për bazë misionin aktual të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe gatishmërinë e ushtrisë sonë për pjesëmarrje në operacione ndërkombëtare, si dhe rritjen e interesimit për bashkëpunim me vendet mike, plotësim-ndryshimi i dispozitës që trajton veprimet që ndërmerren në kuadër të procedurës për pjesëmarrje të pjesëtarëve ushtarakë në aktivitete të tjera ushtarake është bërë me qëllim të lehtësimit dhe thjeshtëzimit të procedurave përkatëse, ashtu që të evitohet çdo vonesë apo pengesë e mundshme në drejtim të ofrimit të mundësisë së përgatitjes profesionale e akademike të pjesëtarëve ushtarakë”, ka thënë ai.
E ish–ushtaraku Hysen Gecaj u shpreh se dërgimi i pjesëtarëve të FSK-së në operacione të paqes dhe ndërkombëtare, ka rëndësi të madhe për Kosovën në fushën e mbrojtjes, derisa kjo dëshmon kapacitetet që ka Kosova.
“Kjo i hap rrugë FSK-së, që të jetë më aktive në sferën ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë dhe njëkohësisht i jep mundësi për fitimin e përvojave të cilat edhe deri më tani i ka përfituar, por në aspektin bilateral të bashkëpunimit me shtete të ndryshme, kurse kjo i hap rrugën FSK-së në angazhime të tjera dhe një përafrim edhe me NATO-n. Gjithashtu rrit kredibilitetin e vet sepse e ka mundësinë për të dëshmuar kapacitetet e saj operacionale dhe me pa që edhe Kosova ka një ushtri bashkëkohore”, ka thënë Gecaj.
FSK-ja është në procesin 10-vjeçar të transformimit në ushtri, fazë e nisur më 2018.
Më 2021 u bë nisja e pjesëtarëve të FSK-së në misionin e parë paqësor jashtë vendit. Ushtarët kosovarë iu bashkuan Gardës Kombëtare të Ajovas në misionin në Kuvajt.
Po ashtu, në qershor të këtij viti, Kosova ishte pjesë e grupit prej 12 shteteve që e mbështeti Mbretërinë e Bashkuar në operacionin “Interflex”, lidhur me trajnimin e ushtarëve ukrainas për t’u përgatitur për luftë ndaj Rusisë.