Legjislatura e shtatë nuk do të mbahet mend vetëm si më jetëshkurtra që e ka pasur Kosova prej çlirimit e këtej. Ajo ka miratuar më së paku ligje në historinë e pasçlirimit të Kosovës – vetëm 17.
Është ky një numër ligjesh shumëfish më i vogël krahasuar me atë që është votuar në secilën prej gjashtë legjislaturave paraprake.
Në dy mandatet e para, numri i ligjeve të miratuara kishte shkuar deri te rreth 100, e në secilin prej dy mandateve pasuese ishin miratuar mbi 200 ligje. Në mandatin e pestë ishin nxjerrë 115 ligje, e në të gjashtin 109.
Artan Murati, këshilltar i kryeparlamentares Vjosa Osmani, ka drejtuar gishtin kah koalicioni qeverisës për shterpësinë në ligjvënie.
“Problemi kryesor te miratimi i ligjeve qëndron pikërisht te mungesa e shumicës parlamentare nga ana e koalicionit qeverisës”, ka thënë Murati. “Të gjitha ligjet që kanë kaluar, qofshin marrëveshje ndërkombëtare, qofshin edhe ligjet më të thjeshta, kanë kaluar edhe me votën e subjekteve të cilat kanë qenë opozitë, ose të deputetëve që nuk kanë qenë pjesë e koalicionit qeverisës”.
Në shoqërinë civile thonë se brishtësia në koalicione po bën që Kuvendi të mos mund ta përmbushë në shkallë të duhur misionin që ka.
“Zakonisht, janë në fakt shumicat parlamentare që janë të brishta për nga numri i deputetëve që kanë, shkaktarët kryesorë pse Kuvendi në vazhdimësi është duke mos arritur që të kalojë më shumë se një të tretën e agjendës legjislative të paraparë”, ka thënë Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës.
Në fundvit, Kuvendi ka mbajtur një seancë në të cilën e ka miratuar buxhetin dhe dy marrëveshje për kredi ndërkombëtare. Kryeparlamentarja Osmani ka treguar se ajo do të jetë seanca e fundit e kësaj legjislature, meqë do të shpallen zgjedhjet e parakohshme me ta shpallur Gjykata Kushtetuese aktgjykimin e plotë rreth pavlefshmërisë së zgjedhjes së qeverisë.
Bazuar në një dokument të Kuvendit, 35 projektligje ndodhen në shqyrtim dhe proceduralisht ato duhet të kthehen te sponsorizuesit.
Eugen Cakolli ka thënë se kjo do t’ia shtojë punën legjislaturës së re.
“Do ta ngarkojnë edhe legjislaturën pasardhëse për shqyrtimin e tyre, meqenëse shumica e tyre, qoftë kanë qenë të iniciuara nga deputetët, mirëpo një pjesë kanë qenë të sjella edhe nga ana e ekzekutivit”, ka thënë ai.
E, puna e menaxhuar nga kryeparlamentarja Osmani është lavdëruar nga Artan Murati.
“Nën udhëheqjen e kryetares së Kuvendit, znj. Osmani, këtë vit, pra në vitin kalendarik 2020, është realizuar numri më i madh i seancave plenare, është realizuar numri më i madh i mbledhjeve të Kryesisë së Kuvendit, pra që janë rekorde sidomos në katër vjetët e fundit”, është shprehur këshilltari i kryetares së Kuvendit.
Legjislatura e shtatë ka prodhuar dy qeveri. Qeveria Kurti kishte shumicë të konsoliduar, por u rrëzua me mocion mosbesimi. E, Qeveria Hoti, e cila e pasoi, ka pasur probleme me numrat në Kuvend që nga dita e parë e punës.