Arbëri

LDK: VV-ja s’i ka numrat, s’mund të fshihet pas akrobacive procedurale

ldk

Foto: Driton Paçarada

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se dështimi i Lëvizjes Vetëvendosje për të zgjedhur kryeparlamentarin të shtunën në dy tentativa, tregon se kjo parti nuk e ka shumicën në Kuvend. Duke komentuar seancën në të cilën ku miratua raporti për verifikim mandatesh të deputetëve, por dështoi hapi për zgjedhjen e kryeparlamentarit, LDK-ja ka thënë se VV-ja s’mund të fshehë mungesën e numrave “pas akrobacive procedurale apo improvizimeve parlamentare”.

Në deklaratën për media, LDK-ja ka dhënë pozicionin për 6 pika.

Sipas saj, komisioni për verifikim të mandateve i hapi rrugë konstituimit pas “pranimit të dorëheqjeve verbale nga anëtarët e Qeverisë të certifikuar si deputetë”.

Pozicion i dytë i LDK-së është që “të mos marrë pjesë në asnjë proces që cenon rendin kushtetues, procedurat demokratike dhe vullnetin e lirë parlamentar”.

LDK-ja ka paralajmëruar po ashtu veprime ligjore ndaj zyrtarëve qeveritarë që edhe pse të certifikuar si deputetë kanë marrë vendime ekzekutive nga 27 marsi e këndej.

Kjo parti ka thënë se VV-ja ka bërë përpjekje përmes presioneve e kalkulimeve të dyshimta që të ndikojë mbi vullnetin e deputetëve.

Megjithatë, pavarësisht kësaj, sipas LDK-së realiteti është se “Vetëvendosje nuk i ka numrat”. “Dhe ky fakt nuk mund të fshihet pas akrobacive procedurale apo improvizimeve parlamentare”, thuhet në reagim të LDK-së.

Në pikë të pestë, LDK-ja ka thënë se çdo përpjekje për të shtyrë përpara agjenda politike pa u bërë 61 vota minimale, “përfaqëson cenim të demokracisë dhe shkelje të rregullave të lojës parlamentare”.

Në pikë të fundit, LDK-ja ka thënë se vendi ka nevojë urgjente për stabilitet institucional e legjitimitet të plotë politik.

“Ne nuk do të lejojmë që Republika e Kosovës të bllokohet për interesa të ngushta partiake. Rruga e vetme përpara është respektimi i plotë i Kushtetutës dhe ligjit”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Në dy tentativa për të emëruar Albulena Haxhiun kryeparlamentare, pro votuan 57 deputetë. Shumica e thjeshtë bëhet me 61 vota.

 

Lexo përditësimet tjera
Kuvendi

Haxhiu dështon të bëhet kryeparlamentare, seanca vazhdon të hënën

LIVE: