Arbëri

LDK: Reduktimet e rrymës pasojë e paaftësisë dhe dështimit të Qeverisë

Visar Azemi nga Lidhja Demokratike e Kosovës k

Foto: Alban Bujari

Visar Azemi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se reduktimet e rrymës në qytetet e ndryshme janë pasojë e paaftësisë dhe dështimit të Qeverisë që nuk ka arritur ta zgjidhë problemin në këtë sektor.

Reduktime të rrymës janë raportuar në disa qytete të Kosovës ditëve të fundit. Dje, Ferizaj ishte në terr pothuajse gjatë gjithë ditës e natës. Ministria e Ekonomisë bëri thirrje që të kursehet rryma për shkak të mbingarkesës së rrjet. Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) të martën u ka dërguar mesazhe qytetarëve në telefona duke u bërë thirrje ta kursejnë rrymën. Probleme të ngjashme me rrymë pati edhe vitin e kaluar.

Në një konferencë për media të enjten, Azemi ka thënë se Qeveria i ka mbyll sytë karshi këtij problemi pavarësisht thirrjeve që të merren masat e nevojshme për t’u përballur me krizën energjetike.

“Janë bërë disa ditë e kjo gjendje po na përcjell çdo vit, që po kemi probleme serioze me energji elektrike. Reduktimet që kanë filluar në shumë qytete e fshatra janë shumë të ashpra dhe kjo bëhet më e vështirë, duke marrë parasysh motin e ftohtë. Këto reduktime dhe probleme janë pasojë e paaftësisë dhe dështimit të kësaj Qeverie. LDK-ja ka bërë thirrje qe disa kohë që të merren masat e nevojshme për t’u përballur me problemet e energjisë elektrike. Qytetarët janë lodhur nga jeta në errësirë, përderisa Qeveria mbyll sytë karshi këtij problemi”, ka thënë Azemi.

Në konferencë, kandidati për deputet i LDK-së u shpreh se në gjendje edhe më të rëndë janë bizneset, “veçanërisht ato prodhuese, ku mungesa e energjisë elektrike po u shkakton probleme të mëdha financiare”.

“Mungesa e energjisë elektrike eliminohet vetëm me ndërhyrjen e centralit me gaz, projekt që është në planin e LDK-së dhe do të ndërtohet sapo të vijmë në pushtet. Kjo do ta hiqte varësinë energjetike nga importi. Qytetarët do të kenë rrymë me kosto të përballueshme”, ka shtuar ai.

E Azemi ka shtuar se Qeveria e tanishme s’ka vizion e as plan për ta zgjidhur problemin me rrymën.

“(Qeveria) ka vendosur njerëzit më joprofesionalë për të udhëhequr institucionet e energjisë për ta degraduar tërë këtë sektor shumë të rëndësishëm për vendin. Ka hequr dorë nga përgjegjësia për të ofruar zgjidhje për energjinë elektrike. Për çdo vit qeverisje të tyre, qytetarë u është rritur çmimi i energjisë elektrike”, ka thënë ai.