Fitorja në zgjedhjet e 9 shkurtit është minimumi që kërkon kandidati i Lidhjes Demokratike për kryeministër, Lumir Abdixhiku.
Gjatë tubimit elektoral në Fushë -Kosovë, Abdixhiku u shpreh se formulën e fitores e merr nga ky qytet, që udhëhiqet prej paslufte nga LDK-ja.
“Po shkojmë veç për fitore dhe asgjë më pak se kaq”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku tha se LDK-ja do të ofrojë zgjidhje për të gjitha hallet e qytetarëve pa u ankuar për to.
“Tabelat qeveritare nuk bëjnë sofra familjare, faturat elektrike të dimrit nuk mbulohen me shpërthime euforike të piskamave elektorale, hallet e popullit nuk zbuten me ofendime elektorale. Problemet qytetare në shkolla shëndeti, rruga e rroga nuk tjetërsohen me ndërtimin e luftërave imagjinare”, tha Abdixhiku.
Në këtë komunë, para të pranishmëve Abdixhiku premtoi mësimin tërëditor për nxënësit.
“Aty ku ata tjerët kanë ofruar radhë të gjata për blerjen e librave ne e kemi mësimin tërëditor për fëmijët kosovarë. Shpresën e ardhshme të këtij vendi. Shujta të ngrohta, 8 orë në shkollë, fëmijë të dijshëm e të shëndoshë”, tha Abdixhiku.
U zotua edhe për shëndetësi më të mirë e për paga më të larta.
“Aty ku ata kanë ofruar meremetime klinikash e lyrje sallash ne kemi ndërtimin e spitalit të ri në Kosovë kushte moderne nga shekulli i ri përkujdesje me sigurime shëndetësore e me digjitalizim. Aty ku ata kanë vështruar rritjen e çmimeve e sfidën e përballueshmërisë ne do të forcojmë paga të larta e të ardhura me dinjitet. Prandaj koeficienti 150 që në javën e parë të qeverisë së re është zotimi i ynë”.
Para tubimit elektoral, Abdixhiku pati takim edhe me klubin e volejbollisteve nga Fushë-Kosova, prej ku premtoi edhe sallë kombëtare të sporteve me dorë.
“Ne kemi paraparë në programin tonë të ndërtojmë sallën e madhe kombëtare të sporteve me dorë. Që do të thotë volejboll, basketboll edhe hendboll. Po flasim për një sallë moderne me kapacitet 8 mijë ulëse, në Bërnicë, afër stadiumit të ri kombëtar dhe është njëra prej projekteve identitare që e kemi sot”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku të martën në mbrëmje mbajti tubim elektoral edhe në fshatin Mazgit të Obiliqit.