Arbëri

LDK-ja premton zhvillimin e Banjës së Istogut e promovimin e saj si vend turistik

Promovimin e zhvillimin e Banjës së Istogut e ka premtuar kandidati i LDK-së për kryeministër Lumir Abdixhiku gjatë një tubimi elektoral me banorë. Ai premtoi angazhim për gjetjen e burimeve termale në këtë rrethinë që tha se do ta bëjnë atraksion turistik. Para tyre Abdixhiku tha se e ardhmja e Kosovës përcaktohet me votën pro LDK-së.

Kandidati i Lidhjes Demokratike për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka premtuar promovimin e zhvillimin e Banjës së Istogut.

Ky vend Abdixhiku tha se nën qeverisjen e tij do të promovohet si një nga destinacionet më turistike të Kosovës.

Për këtë dha zotim para banorëve të Banjës.

“Zotohem se qeveria jonë e LDK-së do të angazhohet fort për zhvillimin dhe promovimin e Banjës si një nga destinacionet më të rëndësishme turistike. Jo vetëm në këtë anë por në të gjithë Republikën e Kosovës. Sepse kjo zonë e juaja ka pasuri të jashtëzakonshme natyrore që mund të shfrytëzohen për tërheqje të turistëve gjithandej por edhe për zhvillimin ekonomik që iu duhet juve në veçanti e Kosovës tonë në përgjithësi”, ka deklaruar Abdixhiku.

Abdixhiku tha se investimet në këtë rrethinë do të kontribuojnë në rritje të ekonomisë e përmirësimit të jetës së banorëve.

Në funksion të kësaj dha një premtim konkret.

“Do të angazhohemi për burime termale që do ta bëjnë banjën tuaj e banjën tonë një vend atraktiv për turistët jo vetëm kosovarë por edhe ata të rajonit e të Evropës”, është shprehur ai.

Tek kërkoi besimin e tyre, Abdixhiku tha se vota për LDK-në do të jetë përcaktuese e kthimit të shpresës në Kosovë.

Pas Istogut, Abdixhiku mbajti edhe tubimin elektoral në Pejë.

Nga Peja Abdixhiku “ia ka kthyer borxhin” kryeministrit aktual Albin Kurti.

“Ka shumë diçka të veçantë në këtë sallë sikur Bjeshkët e Rugovës. Duhet të mbahesh mirë e mbarë para se t’ia mësyni asaj, por kur e nënvlerëson, kur e lënë atë të thatë, ia humb gjithë magjinë dhe madhështinë kjo sallë edhe ta kthen, ta humb kontrollin aq shumë sa dikur ia nis me mbyt miza imagjinare në këtë sallë në Karagaç”, ka shtuar ai.

Abdixhiku tha se LDK-ja do të merret me të ardhmen dhe jo të shkuarën, duke e thumbuar qeverisjen aktuale.