Arbëri

LDK-ja premton QKMF të re për Vitinë e punësim të garantuar për mjekët

Lumir Abdixhiku ne Viti

Paga më të larta për mjekët, punësim të garantuar, sigurime shëndetësore, digjitalizim të shërbimeve e QKMF të re në Viti premtoi kandidati i LDK-së për kryeministër Lumir Abdixhiku, para stafit shëndetësor të kësaj komune, të hënën. Plani për shëndetësinë i kësaj partie, u tha se është në nivel të praktikave evropiane

Premtimet për shëndetësinë kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, i shpalosi të hënën në Viti.

Në vizitën që ia bëri stafit shëndetësor, Abdixhiku premtoi qendër kryesore të mjekësisë familjare të re për këtë komunë, që udhëhiqet nga kandidati për deputet i kësaj partie, Sokol Haliti. 

Tha se për qeverinë qendrore të LDK-së mjetet nuk do të jenë problem. 

“Pra një QKMF e re moderne, sepse e kam pyet Sokolin a bën të rinovohet, më ka thënë, më mirë e kemi një lokacion të ri. Sokol, ju ndajeni lokacionin e ri Qeveria qendrore ndan mjetet financiare, besoj për dy tre vite e përfundoni QKMF e re, e më pas vijmë e përurojmë siç e kemi bërë në secilën Komunë tjetër ku LDK qeverisë”, tha Abdixhiku. 

E kryetari i kësaj komune tha se programi politik “Rruga e re” ka plan evropian për shëndetësinë.

“Programi qeverisës i LDK në krye me kryetarin Abdixhiku, është tejet premtues dhe i realizueshëm dhe praktik. Besoj që do ta bëjë një ndryshim të jashtëzakonshëm sa i përket infrastrukturës, sa i përket aspekteve të tjera, parakushte dhe kushte për një shëndetësi vërtetë të organizuar siç e kanë edhe vendet evropiane”, tha Haliti. 

Para mjekëve të Vitisë, Abdixhiku dha edhe disa premtime të tjera, që prekin profesionistët shëndetësorë anembanë Kosovës.
“Paga më të larta, spital i ri në Kosovë, sigurime shëndetësore, digjitalizim, QKMF e re për Vitinë, punësim i garantuar për mjekët dhe më shumë mjekë familjarë. Këto janë zotimet tona. Nuk janë të fushatës elektorale, janë të programit politik Rruga e Re i shkruar tash e dy vjet”, tha Abdixhiku. 

Në përfundim të kësaj vizite në Viti, prej Abdixhikut u kërkua mesazh edhe për simpatizantët nga komunat më të largëta.

Gjatë të hënës Abdixhiku bashkë me disa kandidatë për deputetë, pos stafit shëndetësor, në Viti takoi edhe mësimdhënësit, kurse në orët e mbrëmjes mbajti tubim në Kamenicë.