Arbëri

LDK-ja në Prizren thotë se individë në emër të Nismës ua uzurpuan zyrën

Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Prizren, ka deklaruar se disa individë në emër të partisë Nisma, ua kanë uzurpuar zyrën. Nëpërmjet një njoftimi në Facebook, LDK-ja ka publikuar pamje ku shihet logoja e Nismës nga brenda dhe disa punimet që po kryhen.

reagim thuhet se zyra që është përdorur për vite nga Dega, duhet t'i kthehet në shfrytëzim partisë, ashtu siç është shfrytëzuar për vite.

“Pas ndërrimi të pushteteve në komunën e Prizrenit, ka tendencë që të përdoret koha e pushimeve të fundvitit dhe vakumi deri në konsolidimin e plotë të kabinetit qeveritar lokal, si dhe fillimit të punës së Kuvendit Komunal. Zyra jonë në qendër të qytetit, në të cilën ne kemi zhvilluar aktivitetin tonë partiak ndër vite, e cila është në proces të rikthimit, po tentohet të uzurpohet dhunshëm nga individë që shfaqen në emër të partisë politike, Nisma”, thuhet në reagimin e LDK-së në Facebook.

"Janë zyrat që i kemi shfrytëzuar deri në verë kur Haskuka na largoi. Kryetari i ri ka premtuar se do t'ua rikthejë partive politike me një marrëveshje tjetër, kuptohet kontratë të re. Sot kemi parë që aty janë vendosur disa pllakata të Nismës, pra në zyrat që i ka shfrytëzuar partia jonë për shumë vite dhe që janë në proces për t'u rimarrë”, i ka thënë KOHËS zëdhënësja e partisë, Afërdita Morina.

Akuzat i ka mohuar kreu i Degës së Nismës në Prizren, Zafir Berisha, duke thënë se LDK-ja në këtë komunë kundërmon si kosh i plehrave me të pavërteta, shpifje e linçime.

"Në përpjekje për ta arsyetuar dështimin e radhës politik që patën dje, sot në mëngjes paskan filluar një fushatë mbi ëndrrat që i kanë parë mbrëmë, në adresë të Nismas. Vërtetë LDK në Prizren është bërë për keqardhje me nivelin e njerëzve, të cilët thirren në emër të saj, vlera e të cilëve është sa e mbetjeve të mbeturinave në koshin e plehrave të spitalit gjinekologjik”, thuhet në reagimin e tij në Facebook.

E Morina ka deklaruar se ndjehen të revoltuar me këto veprime dhe presin që sa më parë të qartësohet situata.

LDK-ja i ka bërë thirrje kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj, që ta kthejë normalitetin, duke ua rikthyer partive hapësirat ku i kanë shfrytëzuar.

Tash e disa vjet, partitë politike që kanë pasur përfaqësues në Kuvendin Komunal në Prizren, me caktim të këtij institucioni, kanë pasur në shfrytëzim nga një zyrë. Pagesa për të në shenjë “simbolike” është bërë nga 1 euro çdo muaj.