I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, është takuar të hënën edhe me përfaqësues të opozitës në Kosovë. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka shkruar në Facebook se kanë diskutuar mbi zhvillimet politike, procesin e dialogut dhe integrimin evropian.
Abdixhiku ka thënë se LDK-ja i jep përkrahje procesit të dialogut me ndërmjetësim të BE-së dhe me përfshirje të drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“E urova për detyrën e marrë dhe e njoftova emisarin Sorensen me qëndrimet e Lidhjes Demokratike rreth dialogut; se LDK i jep përkrahje procesit të dialogut me ndërmjetësimin e BE-së dhe me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës; me theks të veçantë në arritjen e njohjes së ndërsjellë. E njoftova në veçanti dhe me pozicionin tonë për refuzimin e draft statutit të Asociacionit të pranuar nga Qeveria në largim; si dokument i autonomisë territoriale brenda Kosovës”, ka shkruar ai.
Kryetari i LDK-së i ka kërkuar Bashkimit Evropian që Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese që tha se “po dëmtojnë procesin e integrimit”.
Me Sorensenin është takuar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ramush Haradinaj shkroi në Facebook se e ka çmuar rolin e tij dhe të BE-së, duke theksuar rëndësinë për partneritetin BE-SHBA për sukseset në Kosovë