Arbëri

LDK-ja e AAK-ja refuzojnë të takohen me Kurtin, kërkojnë dorëheqjen ose shkarkimin e tij

Megjithëse ftesa për takim nga ana e kryeministrit Kurti ka mbetur e hapur, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk kanë ndryshuar qëndrim. Ato nuk kanë ndryshuar qëndrim edhe për mënyrën se si të shkohet në zgjedhje. Vazhdojnë të kërkojnë shkarkimin ose dorëheqjen e Kurtit. E deputetët e koalicionit nga komunitetet joshumicë, thonë se do ta mbështesin opsionin që përkrahet nga shumica e grupeve parlamentare, cilido qoftë ai.

Nisma e kryeministrit Albin Kurti për t’u takuar me opozitarët është përmbyllur me Partinë Demokratike të Kosovës.

Realizimin e një takimi të ngjashëm me drejtues të Lidhjes Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pushteti e ka lënë në gatishmërinë e të dyja subjekteve për t’u takuar me Kurtin.

“Siç jeni në dijeni, kryeministri Kurti ka zhvilluar një seri të darkave të punës me liderë e përfaqësues të partive politike e të grupeve parlamentare për të diskutuar rreth agjendës legjislative dhe rëndësisë së dinamikës së miratimit të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe ligjet e rëndësisë së veçantë. Ftesën deri më tani e ka refuzuar Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, për arsye të cilat i kanë bërë të njohura ata vetë. Një darkë pune eventuale varet tërësisht nga vullneti i tyre”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Vullnet për t’u takuar me kryeministrin Kurti nuk ka në LDK e AAK.

“Ne nuk presim asnjë takim, ne presim vetëm dorëheqjen e Kurti dhe vendi të shkojë në zgjedhje. Nuk përkrahim asnjë mocion e kemi pas edhe qëndrimin si LDK. E kemi pa takimin që është mbajt, nuk kemi shku për arsye se presim që kryeministrit Kurti pas dështimeve të njëpasnjëshme duhet të japë dorëheqje”, ka thënë deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.

“Aleanca për tema që janë të interesit nacional, që ndërlidhen me interesin e qytetarëve të Kosovës pa dallim me një teme të një rreziku të sigurisë apo me një temë që do të ndihmonte anëtarësimin në Këshillin e Evropës, takohet bash kur të don dhe kur don kryeministri Kurti. Por s`ka logjikë me të thirrë në takim për agjendën legjislative…”, ka deklaruar Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së.

Pas Partisë Demokratike të Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka takuar partnerët e koalicionit, drejtuesit e GUXO-s derisa të martën edhe deputetët e grupit multietnik.

Krahas agjendës legjislative, shefi i deputetëve të grupit multientik, Enis Kervan, ka thënë se kanë diskutuar edhe për kohën më të përshtatshme të shkuarjes në zgjedhje.

Ai tha se si grup parlamentar mbështesin opsionin që përkrahet nga shumica e grupeve parlamentare, cilido qoftë ai.

“Ne si grup parlamentar nuk jemi kurrë që të dëmtojmë por të ndihmojmë proceset në Republikën e Kosovës dhe në qoftë se me të vërtetë pozita dhe opozita në tërësi mendojnë se data më e përshtatshme është shumë afër për zgjedhjet ne natyrisht që i bashkangjitemi”, ka thënë shefi i grupit multietnik, Enis Kervan.

LDK-ja dhe AAK-ja nuk kanë ndryshuar qëndrim sa i përket formës së shkuarjes në zgjedhje. Derisa PDK-ja sikurse edhe pushteti mbështesin shpërndarjen e Kuvendit, dy partitë e tjera opozitare kërkojnë dorëheqjen ose shkarkimin e kryeministrit Kurti.