Arbëri

LDK-ja dorëzon në Kushtetuese ndryshimet në Ligjin për zyrtarët publikë

Shkëmb Manaj & Armend Zemaj

Shkëmb Manaj & Armend Zemaj

Foto: Driton Paçarada

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj dhe anëtari i kësaj partie Shkëmb Manaj të enjten kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese plotësim/ndryshimet në Ligjin për zyrtarët publikë.

Deputeti Zemaj para mediave ka thënë se LDK-ja mendon se nuk duhet të jetë administrata e politizuar, e cila dëmton edhe Kosovën.

 

“LDK, bashkë me ekspertët tanë dorëzuam kundërshtimin tonë për plotësim/ndryshimet në Ligjin për zyrtarët publikë. Një ligj i cili ka kaluar në Kuvendin e Kosovës, dhe i cili poashtu ka qenë edhe si vendim i Gjykatës Kushtetuese për papranueshmërinë e disa akteve të cilat kanë të bëjnë me ndërhyrje në administratën publike”, u shpreh Zemaj.

Më 30 tetor, deputetët e pushtetit miratuan ndryshimet në Ligjin për zyrtarët publikë, që mes tjerash, lejojnë mbajtjen e pozitës së ushtruesve të detyrës një vjet plus një vjet, nga 6 plus 6 muaj sa është tash.

Gjatë votimit të këtij Ligji, deputetët e opozitës nuk ishin në seancë. Megjithatë, në deklarimet e tyre, kishin kritikuar qasjen e Qeverisë për ndryshimin e këtij ligji.

“Sot çdo zyrtar i mesëm dhe i lartë ndihet i rrezikuar prej presionit politik dhe provizionit të normimit me ligj të ushtruesit të detyrës, 1+1. Mos harroni, secila qeveri që vjen do të mundohet ta ketë 1+1 ushtruesin e detyrës, me një email ta mbajë në detyrë dhe me një email ta shkarkojë”, pati thënë shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.