Arbëri

LDK-ja do të shkojë në Kuvend të enjten

LDK

Foto: Driton Paçarada

Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se të enjten me fillim prej orës 10:00 do të jetë e pranishme në Kuvendin e Kosovës. 

Në një komunikatë për media, kjo parti ka thënë se do të shkojë në Kuvend sepse “seanca konstituive e Kuvendit të Republikës duhet të mbahet e të thirret më së largu çdo 48 orë”. 

“LDK-ja i fton të gjithë deputetët e certifikuar dhe të gjitha partitë parlamentare, të jenë prezent në këtë seancë. Njëkohësisht, ftojmë kabinetin qeveritar, që pretendojnë se janë dorëhequr por ende, dhe paradoksalisht, mbajnë mbledhje qeveritare dhe marrin vendime, të dorëhiqen dhe këto dorëheqje t’i deponojnë te organet e Kuvendit të Kosovës. Të tjerët anëtarë të Qeverisë që s’janë apo s’duan të betohen si deputetë, vazhdojnë punën në Qeveri; deri në zgjedhjen e Qeverisë së re”, shkruhet në komunikatën e LDK-së.

Tutje LDK-ja ka thënë se zvarritjet “janë veçse kalkulime politike me qëllim të dëmtimit të shtetit, demokracisë dhe rendit kushtetues”.

“Nesër, nga ora 10:00, mblidhemi në seancë. Le të kuptohen qartë bllokuesit institucional e mosrespektuesit e Rregullores, Ligjit e vet Kushtetutës!” thuhet në komunikatë.

Një ditë më parë, Kuvendi dështoi t’i verifikonte mandatet e deputetëve të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Opozita e deritashme tha se votoi kundër me pretekstin se kryeministri dhe ministrat, duan të marrin post të deputetit “ende pa dhënë dorëheqje”. E zyrtarët qeveritarë kanë thënë se pas përfundimit të mandatit, para certifikimit si deputetë, llogaritet të jenë efektivisht të dorëhequr. Kësisoj, edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se e ka dërguar një letër të konfirmimit të dorëheqjes te kryetari i deritashëm i Kuvendit.

Pas dështimit të verifikimit të mandateve, seanca u ndërpre.

Pas verifikimit të mandateve, në rend dite seanca pati betimin e deputetëve e më pas zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve.

Rregullorja e Kuvendit parasheh që seanca konstituive nuk mund të ndërpritet më gjatë se 48 orë.