Gazetari i sportit, Driton Latifi, është shprehur deri në dy-tri vjetët e fundit, sporti në Kosovë është trajtuar sikur rast social, duke u shprehur se s’e ka pasur përkrahjen e duhur institucionale. Ai ka shtuar se infrastruktura sportive është investim kapital, e jo “arnim aty-këtu”.
“Sporti deri në dy-tri vitet e fundit, thënë realisht, në trajtimin në nivel të shtetit kujdesin e ka pasur sikur rast social. S'e ka pasur përkrahjen e duhur institucionale të investimit dhe trajtimit adekuat. Infrastruktura e sportit është investim kapital, nuk është investim i arnimit aty-këtu. Kemi kampionë të notit që trajtohen vetëm me iniciativa private e s'ka investime adekuate. Kemi marrë të drejtën e Lojërave Mesdhetare që vijnë menjëherë pas lojërave olimpike”, ka deklaruar Latifi në “Konfront”.
Për Lojërat Mesdhetare që pritet t’i organizojë Kosova pas gjashtë vjetësh, Latifi ka potencuar se jemi vonë me disa procedura në aspektin infrastrukturor.
Ai ka shtuar se Kosovës i ka ardhur një moment politik ku iu mundësua pjesëmarrja në sportin ndërkombëtar.
Krasniqi: Të gjashtë sportistët me norma olimpike janë pretendentë për medalje
Zëdhënësi për media në Komitetin Olimpik të Kosovës, Kushtrim Krasniqi, ka thënë se gjashtë sportistë që do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike në Paris janë me norma olimpike, që do të thotë se janë pretendentë për medalje.
Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Krasniqi ka thënë se pesë nga këta garues janë nga sporti i xhudos dhe një nga boksi.
“janë nëntë sportistë që do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike në Paris, gjashtë prej tyre janë me norma olimpike, pesë i kemi nga xhudoja – sporti më i suksesshëm në vendin tonë. Këtë herë kemi për herë të parë një të kualifikuar nga sporti i boksit që është Donjeta Sadiku dhe që të gjashtë janë potencialë për të fituar medalje. Të kesh normë olimpike në Lojërat Olimpike je potencial për të hyrë në zonën e medaljeve. Synimet si KOK janë që të paktën të kthehemi me një medalje dhe çka do që vjen më shumë do të jetë e mirëseardhur.
Haliti: Sukses do të ishte përmirësimi i rekordeve tona, synimi ynë është “Los Angeles 2028”
Astrit Haliti, trajner i notares Hana Bejiqi, që do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”, ka thënë në emisionin “Konfront” të enjten, se në këtë garë nuk pritet ndonjë sukses i madh për sportisten që udhëheq.
Sipas tij, sukses do të ishte edhe nëse përmirësohen rekordet kombëtare në Paris.
Synimi me Bejiqin, është më i largët, pas katër vjetësh.
“Ne synimin e kemi në Lojërat e ardhshme olimpike, në ato ‘Los Angeles 2028’, ku shpresojmë të shkojmë me normë olimpike, jo me ftesë. Qysh tash i jemi afruar shumë normës”, ka thënë trajneri Haliti.
18 vjet lobim për njohje dhe medalja në debutim, rrëfimi i ish-presidentit të KOK-ut
Ish-presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani, ka folur për rrugëtimin e Kosovës në lojërat olimpike, duke përmendur sukseset në xhudo.
Ai ka thënë se xhudistja Majlinda Kelmendi ua ka trasuar rrugën të g jithë sportistëve të Kosovës për të arritur suksese.
“...Ka qenë sensacion arritja e medaljes dhe arritje e jashtëzakonshme e Majlindës. Ishin 60 vjet që nuk kishte ndodhur që dikush kur merr pjesë për herë të parë në lojëra olimpike, të godasë dhjetëshen. Majlinda u bë frymëzim jo vetëm për sportistët shqiptarë, por u bë simbol i suksesit për çdo femër në botë, e çdo sportisti dhe normalisht krejt ata që kanë mundësi të jenë afër Majlindës, janë të frymëzuar”, ka thënë ai të enjten në “Konfront” të KTV-së.