Arbëri

Latifi: Bordi i Fondit për Trajtim Jashtë Vendit do të ketë ndryshime serioze

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka paralajmëruar “ndryshime serioze” në Bordin e Fondit për Trajtim Jashtë Vendit.

Në komisionin për Shëndetësi ai u shpreh se telashet janë krijuar nga vetë shteti. Është ankuar se s’ka kontrata me ndonjë vend tjetër ose spital për t'i bërë shërbimet që në vend nuk i bëjnë.

Latifi ka thënë se pacientët po dërgohen jashtë vendit edhe për trajtime që mund të bëhen në Kosovë.

Sipas tij, tash e 12 vjet është një ekspert nga Australia që vjen për të ndihmuar më sëmundje të fëmijëve, duke pyetur se pse nuk është përgatitur dikush për këtë trajtim që 11 vjet.

Ai ka paralajmëruar masa ndaj atyre që mund ta kenë keqpërdorur pozitën.

“Të gjitha këto që janë shfaqur në media janë shumë problematike. Nëse vetëm edhe një pacient paguan më shumë se sa që duhet, është problematike. Organet përkatëse do të merren me këtë çështje. Bordi i fondit do të ketë ndryshme serioze dhe nëse dikush e ka keqpërdorur pozitën do të përgjigjet. Unë jam tmerruar kur kam shkuar në këtë Fond dhe kam parë në oborr dy dyqane që merren me rekrutimin e pacientëve që i dërgojnë jashtë vendit”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se çështja më e rëndësishme në shëndetësi është kujdesi parësor.

Sipas tij, janë gjashtë ligje, 18 udhëzime administrative dhe për secilën nga këto po punojnë grupet punuese. Ai ka thënë se nëse nuk rregullohet legjislacioni dhe mirëqenia e punëtorëve shëndetësorë nuk mund të ketë suksese në Shëndetësi.

Latifi ka thënë se janë duke punuar edhe në infrastrukturën e spitaleve.

“Ne kemi obligim moral që ta bëjmë prioritet shëndetësinë. Ne duhet ta luftojmë bazën për luftimin e konflikteve të interesit. Klinika Onkologjike ka bërë punë të jashtëzakonshme por i mungon hapësira dhe stafi teknik. Të gjitha këto duhet kohë të adresohen”, ka thënë ai.

KOHA ka nisur qe më shumë se një javë publikimin e serisë së hulumtimit për abuzimet me këtë program. Hulumtimi disamujor ka ngritur dyshime për keqmenaxhim e humbje të madhe të parasë në kurriz të pacientëve të sëmurë rëndë, e që s’gjejnë shërim në Kosovë. Hulumtimi zbardh raste kur faturat që vijnë nga spitalet, kryesisht në Turqi, janë më të shtrenjta se profaturat. Familjet e pacientëve në shumicën e rasteve s’kanë qasje në fatura. Ka raste kur familjarë të pacientëve rrëfejnë për keqpërdorime e se si s’i kanë marrë trajtimet për të cilat shteti mori obligim e se si kanë paguar mjete shtesë për trajtim. Dy agjenci, nga rreth 10 sa lëshojnë profatura, janë nën pronësi të një personi të akuzuar për korrupsion. E borxhi i përgjithshëm mbahet fshehtë. Teksa Fondi në përgjigje zyrtare thotë se është më pak se 2 milionë euro, Qeveria thotë se është afër 10, Bordi Ekzekutiv në fund të vitit të kaluar ka përmendur shifrën prej 28 milionë eurove.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se është parë që në Qeverinë Kurti, shëndetësia nuk është prioritet.

“Pyetja që mund të kemi përgjigje është se pse nuk e emëroni Fondin për Sigurime Shëndetësore, që lidhet me emërimin e qeverisë që e kam mendimin që ju jeni shpërfillur nga qeveria nga menaxhmenti i ministrisë që e kam fjalën për sekretarin, jeni te shpërfillur nga bordi i SHSKUK-së, e nga institucionet tjera bartëse”, ka thënë ai.

“Dyshimet janë ngritur edhe nga lëvizja e ish ministrit paraprak që ka kaluar në drejtimin e një spitali privat, që është një lëvizje e shpejtë për konfliktin e interesit”, ka thënë ai.


Latifi: Nëse unë bindem se po shpërfillem nga Qeveria, atëherë flasim ndryshe

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka thënë se e ka të paqartë sepse është një qendër si QKUK që jep shërbime terciare, sekondare e ndonjëherë edhe parësore, dhe nuk ka drejtues.

Sipas tij, drejtori i SHSKUK edhe me qenë “supermen” nuk mund ta menaxhojë gjithë atë punë aty.

Ai ka thënë se planifikimi për mirëmbajtje të QKUK nuk është i mirë. Sipas tij blihen instrumente që kushtojnë miliona euro, por nuk ka staf.

Ai ka thënë se nëse shëndetësia nuk është prioritet dhe nëse shpërfillet nga Qeveria, ai atëherë nuk e ka asnjë punë këtu.

“Kur unë bindem që po shpërfillem, atëherë bëjmë muhabet tjetër. Mua po më thuhet se barnat esenciale janë 70 për qind kurse materiali shpenzues është 92 për qind. Nëpër komuna po thonë që është më mirë. Bordi për trajtim jashtë vendit ka dhënë dorëheqje. Unë kam pasur bisedë me kryetaren e bordit dhe po mundohem me e rikthy. Nuk është e vërtetë që po e menaxhoj shëndetësinë nga Amerika. Unë kam ardhur brenda ditës këtu. Kam pasur mbi 500 pacientë që më është dashur të kujdesëm”, ka thënë ai.

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj ka thënë se sot pas 7 muajve nuk ka asnjë lëvizje as në sistemin sekondar e as atë terciar dhe listat e pritjes veç po rriten.

Ai ka thënë se nuk është duke shkuar puna mirë.

“Folët për procesin e akreditimit, uroj që ta bëni sa më shpejtë, u hap çështja e trajtimit jashtë vendit, kemi pasur një bord që kam qenë për 8 vjet kryetar, ka shkuar gjithçka mirë aty. Mbrëmë e patët rastin në KTV që një pacientë referohet, për një aparat që nuk ka punuar, nëse kërkoni tjetër, ju tregoj që në Klinikën Infektive janë 2 aparate, unë se di si është e mundur, nëse është e saktë kjo informatë që e ka plasu Koha. Duhet të bëheni agresiv për Ligjin e pagave, mjekët çdo ditë po na ikin jashtë vendit, me 555 euro një mjek specializant është injorante, deri sot nga MSH-ja nuk e patëm asnjë fjalë për Ligjin për pagat. Është situatë e rënd për shëndetësisë. E dini që kam ndërmarr iniciativa për skemat sociale e dini që është një ligj diskriminues. Përmendet trajtimin jashtë vendit, më herët kemi pasur program me disa vende, për disa sëmundje. Këto programe kanë funksionuar shumë mirë dhe do ishte mirë t’i prekni këto segmente, Prita që do prononcoheni lidhur me Ligjin për sigurimet shëndetësore”, ka thënë ai.

Edhe Labinotë Demi, nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se raportimin e fundit në media, për fondin kanë qenë të njohura, por tani kanë dalë në shesh.

 Ajo tutje ka thënë se presin nga ministri të ndryshojë bordin e fondit.

“Presim që ju ta ndryshoni bordin e Fondit të Trajtimeve Jashtë Vendit, nëse për një aparature pacienti shkon në Spitalin Amerikan, kjo me të vërtet kërkon llogaridhënie të drejtorit aktual të asaj klinike e të menaxhmentit te lartë, ndërkaq vetëm me atë se sa është shpenzuar për trajtim është mundur që të blihen aparatet gjithmonë sipas hulumtimeve gazetareske”, ka thënë ajo.