Arbëri

Lansohet projekti që mbulon pagesën për çerdhe dhe transport për familjet me asistencë sociale

Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, lansojnë pilotimin e Programit të Kuponëve, në kuadër të Projektit “Edukimi dhe kujdesi në fëmijërinë e hershme për kapitalin njerëzor të Kosovës

Foto: Alban Bujari

Qeveria e Kosovës ka lansuar të hënën pilotimin e Programit të Kuponëve, në kuadër të Projektit “Edukimi dhe kujdesi në fëmijërinë e hershme për kapitalin njerëzor të Kosovës”.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se familjet përfituese të programit do të mund t’i dërgojnë fëmijët e tyre në çerdhet e licencuara, ku programi do ta mbulojë pagesën për çerdhe dhe transporte.

“Ky projekt i madh po fillon me pilotimin e programit të kuponëve, i cili synon të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejt për familjet të cilat janë të regjistruara në skemën e ndihmës sociale. Konkretisht ai krijon mundësi për përfshirjen e më shumë fëmijëve nga 3-5 vjeç nga këto familje në shërbime të edukimit në moshë të hershme. Familjet përfituese të programit do të mund t’i dërgojnë fëmijët e tyre në çerdhet e licencuara, ku programi do ta mbulojë pagesën për çerdhe dhe transporte. Programi financohet nga partneriteti të mësimit të hershëm të Bankës Botërore në shumën prej 1.8 milionë euro, bazuar në marrëveshjen e grantit të nënshkruar me Bankën Botërore. Kërkesën zyrtare si Qeveri për këtë projekt e kemi bërë që në dhjetorin e vitit 2022, që nga atëherë ka filluar dizajnimi i tij, ndërsa marrëveshja e finalizuar është nënshkruar më 28 qershor 2024, ndërkaq sot po e fillojmë në praktikë”, ka thënë ai, raportoi EO.

Kurti tha se përfshirja më e madhe e fëmijëve në edukim krijon hapësira të shtuara për punësimin dhe zhvillimin profesional të prindërve.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, theksoi se kjo është një risi për qasje të barabartë për edukimin e hershëm në Kosovë.

“Sot po lansojmë pilotimin e programit të kuponëve, duke hedhur kështu edhe hapin e parë konkret për këtë mbështetje të paprecedentë dhe të pa ndodhur më parë për më të vegjlit tanë, për familjet që më shumti kanë nevojë. Një risi për qasje të barabartë për edukimin e hershëm në Kosovë”, ka thënë Nagavci.