Sekretari i jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, ka thënë se vendi i tij dëshiron të ketë një normalizim të qëndrueshëm mes Kosovës dhe Serbisë.
Lammy në një konferencë për media në Prishtinë pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, tha se Britania e Madhe shpreson të shohë angazhim të fuqishëm në dialog nga qeveria e ardhshme e Kosovës. Ai ka thënë se shpreson që së shpejti të formohet qeveria e re në Kosovë.
“Janë disa gjëra që duam t’i shohim. Normalizim të qëndrueshëm mes Kosovës dhe Serbisë. Britania padyshim është kontribuuese e madhe në KFOR. E kam vizituar KFOR-in herën e fundit që isha këtu dhe do ta vizitojë prapë...Shpresoj që qeveria e ardhshme i adreson nevojat e gjithë qytetarëve, përfshirë progresin në integrimin e serbëve në Kosovë dhe angazhimin e fuqishëm në dialogun e udhëhequr nga BE-ja”, ka thënë Lammy.
Ai ka thënë se është me rëndësi që të shihet përparimi i Kosovës në udhëtimin euroatlantik.
“Me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar shpresojmë që të mund të anëtarësoheni në Këshillin e Evropës”, tha Lammy.
Ai ka folur edhe për Procesin e Berlinit të cilën Britania e Madhe do ta udhëheqë këtë vit.
“Është i rëndësishëm për t’i rritur lidhjet mes këtij rajoni dhe pjesës tjetër të Evropës”, tha Lammy.
Lammy foli edhe për thellimin e partnerit strategjik mes dy vendeve, përfshirë edhe në mbrojtje.
“Janë disa fusha si teknologji, inovacion e po ashtu energjia e pastër. Gjithashtu pasi të dy vendet tona kanë bërë zotime për t’i rritur shpenzimet në fushën e mbrojtjes, ka shumë gjëra që mund të bëjmë bashkë”, tha Lammy, që shtoi se me Osmanin ka diskutuar për bashkëpunim në një marrëdhënie më të strukturuar në muajt e ardhshëm.
