Arbëri

Lajçi përkujtohet si figurë emblematike për çështjen kombëtare

Ali Lajçi

Homazhe për politikanin Ali Lajçi

Foto: Driton Paçarada

Politikani Ali Lajçi u cilësua si frymëzim në rrugën për lirinë, drejtësinë dhe barazinë, në ditën kur në Kuvendin e Kosovës u bënë homazhe në përkujtim të tij.

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Lajçi nuk është ndalur nga rinia në veprimtari dhe çështje kombëtare.

“Qysh nga rinia e hershme nuk u ndalë asnjëherë në veprimtari për çështjen kombëtare. Është përpjekur shumë. Ka vuajtur shumë. Na ka mësuar se si duhet atdheu me punë e angazhim, në beteja me sakrificë. Na buzëqesh përjetësisht nga fotografia, përgjithmonë na frymëzon për rrugën e lirisë, drejtësisë dhe barazisë. Përkulem me mall për Bacën Ali, kryetarin e Pejës dhe deputetin e Republikës, Ali Lajçi!”, ka thënë Kurti, thuhet në njoftimin e Zyrës e Kryeministrit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ish-kryetari i Pejës dhe ish-deputeti i Kuvendit do të mbahet mend për aktivitetin e tij të pareshtur patriotik përgjatë luftës.

Homazhe për politikanin nga Peja kanë bërë edhe parti opozitar.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se kujtimi për Lajçin do të jetë i paharrueshëm.

“Sot në Kuvendin e Kosovës, bashkë me kolegë nderuam veprimtarin e çështjes kombëtare, Ali Lajçi. Me këtë rast i shpreha ngushëllime bashkëveprimtarëve dhe familjes Lajçi. I paharrueshëm kujtimi për atdhetarin, Ali Lajçi”, ka shkruar ai në Facebook.

E, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se Lajçi ishte ndër figurat më emblematike të lëvizjes kombëtare për liri, pavarësi e demokraci.

“Kontributi i tij në orët më të rënda për vendin mbeten shtyllë e një Kosove të zhvilluar, progresive dhe demokratike. Si deputet i Kuvendit të Kosovës dhe si kryetar i komunës së Pejës ushtroi me mburrje dhe dinjitet funksionin e tij, në shërbim të qytetarëve. I tillë do të kujtohet përherë. Pusho në paqe”, ka shkruar LDK-ja në Facebook.