I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, njoftoi se është takuar me ministrin e sapoemëruar të Jashtëm serb, Marko Gjuriq. Ai shkroi të enjten se kanë biseduar për procesin e dialogut dhe procesin e integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.
“Në Beograd pata rastin të ulem edhe me ministrin e Jashtëm të sapoemëruar, Marko Gjuriq. Diskutuam për dialogun dhe procesin e integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian. I urova suksese në detyrën e re”, thuhet në njoftimin e Lajçakut.
I dërguari evropian të mërkurën është takuar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe me shefin i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Me Vuçiqin, Lajçak tha se kanë folur për dialogun dhe hapat e ardhshëm, e me Petkoviqin për normalizimin e raporteve.
“Në Beograd pata një diskutim të hapur me Aleksandar Vuçiqin mbi gjendjen aktuale të dialogut. Ne u dakorduam për hapat e ardhshëm”, ka shkruar ai.
E, Petar Petkoviq ka thënë se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe mbetet e vetmja rrugë për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.