Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do të vijë të hënën pasdite në Kosovë.
Vizitën e ka konfirmuar për KOHËN, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
“Po, Lajçaku është në Kosovë sot edhe nesër”, ka thënë Ioanna Lachana nga zyra e BE-së.
Sipas burimeve diplomatike ai pritet të takohet me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti si dhe me kryenegociatorin e Kosovës në dialogun e Brukselit, Besnik Bislimi. Nga burimet diplomatike në Bruksel mësohet se Lajçaku do të ketë takime edhe me përfaqësuese të opozitës në Kosovë.
Kjo vizitë vjen në kohën kur në Kosovë po zhvillohet debat rreth draftit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë Serbe të cilin palëve para disa javësh ua kanë paraqitur emisarët perëndimorë.
Pas takimeve të fundit në Bruksel me 26 tetor, që kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq patën me liderët e Francës, Gjermanisë, Italisë si dhe me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, në prani të përfaqësuesit të lartë të BE-së për politik të jashtme dhe siguri Josep Borrell u tha se të dy liderët kishin pranuar si bazë të mirë për diskutime të mëtejme draftin e propozuar.
Kryeministri i Kosovës pati thënë se ai kishte ofruar që ky draft, sikurse dhe Marrëveshja bazë dhe Aneksi për implementim i Marrëveshjes së Ohrit, të nënshkruhen. Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Borrell kishte thënë se “kushtëzimet e palëve, që ishin të papranueshme për palën tjetër, ishin pengesë për pajtim”. Por në një deklaratë të përbashkët pas samitit të BE-së, liderët e tri shteteve më të mëdha bën ftesë që Kosova të nis themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë Serbe ndërsa nga Serbia që të realizojë njohjen de fakto të Kosovës.
Drafti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë Serbe pritet të jetë tema kryesore e takimeve që Lajçak pritet t’i ketë në Kosovë. Krahas kësaj do të diskutohen edhe “çështje tjera” si dhe përgatitja e një takimi në kuadër të dialogut në nivel të kryenegociatorëve.
Lajçaku takohet të martën me liderët opozitarë në Kosovë
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do të takohet të martën me liderët opozitarë në Kosovë.
Siç merr vesh KOHA, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku e i AAK-së do të takohen me Lajçakun të martën në ora 10 e 15 në zyrën e BE-së në Prishtinë.
Lajçaku pritet të vijë sot në Kosovë në një vizitë të paparalajmëruar.