I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është takuar të mërkurën me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Lajçaku shkroi në rrjetin social X se kanë diskutuar për dialogun, dhe janë pajtuar për hapat e ardhshëm.
“Në Beograd pata një diskutim të hapur me Aleksandar Vuçiqin mbi gjendjen aktuale të dialogut. Ne u dakorduam për hapat e ardhshëm”, ka shkruar ai.
Lajçaku ishte në Kosovë të martën, ku është takuar me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi.
Petkoviq: Asociacioni, e vetmja rrugë për normalizim të marrëdhënieve

Shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe mbetet e vetmja rrugë për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Kështu ka deklaruar ai në një postim në rrjetet sociale, pas takimit të zhvilluar të mërkurën me emisarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
“Formimi i Asociacionit të komunave serbe, siç është rënë dakord në Bruksel, mbetet e vetmja rrugë përpara me të cilën mund të arrihet normalizimi i marrëdhënieve. Dhe ne nuk do të biem pas tentativave për manipulim të Kurtit”, ka shkruar ai.
Ai tutje njoftoi se me Lajçakun kanë biseduar për situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë, teksa e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për lëvizje përshkallëzuese dhe në dëm të popullit serb.