Ka nxitur reagime deklarata e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, sipas të cilit Mirosllav Lajçaku, nuk ua ka prezantuar palëve propozimet e njëra-tjetrës mbi planin e sekuencimit për zbatimin e Marrëveshjes bazë. Njohës të procesit të dialogut Kosovë-Serbi kanë thënë se qasja është paradoksale dhe se strategjia e ndjekur nga lehtësuesi i dialogut, e ka komprometuar procesin
Si paradoksale është vlerësuar nga njohës të çështjeve politike, qasja e Bashkimit Evropian (BE) që palëve të përfshira në dialog të mos u prezantohen komentet e njëra-tjetrës mbi planin e sekuencimit për zbatimin e Marrëveshjes Bazë.
Një vërejtje lidhur me këtë e ka shprehur një ditë më parë kryenegociatori, Besnik Bislimi. Në një intervistë për KTV-në, ai theksoi që Kosova veçse i ka përcjellë komentet e kërkuara nga emisari evropian, Miroslav Lajçak, dhe tha se BE-ja asnjëherë nuk ia ka prezantuar Kosovës propozimet e Serbisë.
“Si mund të propozojnë ata ide për zbatimin e një marrëveshjeje, të cilën e refuzojnë si inekzistente. Për këtë arsye ne, në një moment, kemi kërkuar nga z. Lajçak që me palët të ndajë propozimet e palës tjetër. Të na tregojë neve se cilat kanë qenë propozimet e deritanishme të Serbisë dhe kemi dhënë lejen tonë që propozimet tona t’i ndajë me Serbinë, me idenë që të shohim se a ka pasur propozime nga Serbia, sepse edhe vendet anëtare janë manipuluar, duke thënë se ka pasur propozime nga Serbia”, ka thënë Bislimi. “Dhe e dyta, të shohim se sa janë larg qëndrimet tona. Vetëm atëherë kur i kemi ne propozimet e Serbisë dhe Serbia propozimet tona, do të mund ta dimë se a është versioni i 10-të, versioni i fundit apo do të kemi edhe versionin e 27-të. Duhet të dimë se ku qëndrojmë për ta ditur pak a shumë se çka na pret në takimin e radhës në Bruksel, por kjo nuk është mbështetur e unë e kam pak a shumë një ide pse nuk është mbështetur”.
E këtë qasje të Serbisë, korrespondent i KOHËS nga Brukseli, Augustin Palokaj, e ka kualifikuar si paradoksale dhe që e pengon përafrimin e qëndrimeve mes palëve.
“Nëse palët nuk e dinë se çfarë propozimi ka bërë pala tjetër, atëherë si mund të bëhet përafrimi i qëndrimeve. Prandaj, këtu kemi një paradoks se ndoshta është më mirë të ketë takime me palën serbe në prani të ndërmjetësuesve të BE-së, përndryshe mbetet dyshimi se çfarë ndodhë në takimet kur njëra palë nuk është prezentë. Në fakt kemi një dëshmi, tash e një kohë të gjatë, se ka një mosbesim të madh mes palës kosovare dhe lehtësuesve të BE-së”, ka thënë Palokaj.
Në Bashkimin Evropian nuk i janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS nëse i kanë marrë nga Serbia komente për planin e sekuencimit.
Si Kosova ashtu edhe Serbia patën afat deri më 18 korrik për t’i përcjellë ato.
Krahas për propozimet, zëvendëskryeministri Bislimi e akuzoi lehtësuesin e dialogut, Lajçak, se ka fshehur qëllimshëm refuzimin e Serbisë për ta zbatuar Marrëveshjen bazë.
E, analisti politik, Akri Çipa, ka thënë se është e domosdoshme që palët të kenë qasje tek komentet e njëra-tjetrës.
“Modalitetet dhe formati i dialogut, në momentin që po flasim, kanë dështuar praktikisht. Mbarimi i mandatit të z. Lajçak dhe zëvendësimi i tij është ndoshta lajmi më i mirë që ka ardhur në kuadër të dialogut përgjatë katër vjetëve të fundit”, ka thënë ai.
Sipas Çipës, nëse ky pretendim i Bislimit qëndron, atëherë procesi është i kompromentuar.
“Padyshim, fshehja e refuzimit të palës serbe do të ishte komprometuese. Në fakt, do të ishte e tillë në dy nivele. Në radhë të parë, nisur nga roli i anshëm i të dërguarit të posaçëm, z. Lajçak, i cili nuk ka vepruar efektivisht mbi palët. Niveli i dytë i komprometimit është ai i qasjes që ka Serbia për dialogun në përgjithësi dhe për të ashtuquajturën Marrëveshje të Ohrit në veçanti. Duke e mohuar atë, duke mbajtur një qëndrim armiqësor ndaj palës kosovare dhe duke mos u angazhuar në dialog me propozime, vetë procesi nuk mund të ketë progres”, ka thënë Çipa.
Por qëndrim ndryshe shpreh analisti, Arbnor Sadiku, që nuk sheh ndonjë anshmëri të lehtësuesit në proces.
“Nuk ka kurrfarë anshmërie, por si duket palët nuk e kanë momentumin për zbatimin e marrëveshjes, prandaj edhe gjejnë justifikime të ndryshme, le të themi, për ta prolonguar zbatimin e marrëveshjes në praktikë në një moment më të favorshëm dhe siç dihet në Kosovë momentumi më i favorshëm do të jetë pas zgjedhjeve parlamentare të ardhshme që do të mbahen në Kosovë”, ka thënë Sadiku.
E, analisti Çipa ka fajësuar edhe BE-në për ngërçin. Ai ka thënë se për stadin ku gjendet aktualisht dialogu, mungesën e vullnetit të palëve, si dhe ndryshimet politike në Bashkimin Evropian pas zgjedhjeve të qershorit, është vështirë të flitet për përparim në këtë moment.
“Normalisht që procesi i dialogut do të vazhdojë. Deri në provë të kundërt, mbetet i vetmi mjet që kanë palët dhe partnerët ndërkombëtarë për ta zgjidhur këtë konflikt të tejzgjatur .Ajo çfarë duhet të pritet është rivitalizimi i vetë BE-së në radhë të parë, me aktorë politikë dhe diplomatikë që mund të mësojnë nga gabimet e këtyre viteve të fundit dhe t’i korrigjojnë ato nëpërmjet një qasjeje të re. Duke përfshirë në këtë pikë edhe një qasje për të vazhduar faktorizimin e atij produkti që doli nga Ohri. Ose për të bërë atë që realisht nevojitet: këmbënguljen te një marrëveshje përfundimtare dhe jo tek hapa të ndërmjetëm. Një rol më primar dhe më ndërhyrës nga faktori amerikan do të ishte gjithashtu esencial në këtë pikë”, ka thënë Çipa.
Kosova dhe Serbia janë kritikuar në vazhdimësi nga Bashkimi Evropian për moszbatim të marrëveshjeve të dakorduara në dialog, e kjo kritikë është kualifikuar si më e orientuar nga Prishtina zyrtare dhe si dëshmi e anshmërisë kah Beogradi.