Arbëri

Lajçaku: Dritarja e mundësisë për anëtarësim në BE s’do të jetë e hapur përgjithmonë

Miroslav Lajcak

Duke u ankuar në pak përparim në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe të Ohrit në dialogun Kosovë-Serbi, emisari i Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar se dritarja e mundësisë për anëtarësim në BE s’do të jetë e hapur përgjithmonë.

Në kuadër të Forumit të Dubrovnikut, Lajçaku është pyetur për letrën e ish-kryeministres Ana Bërnabiq, në të cilën konfirmoi se ka vija të kuqe kur bëhet fjalë për zbatimin e Marrëveshjeve. Ai është pyetur se nëse ky është qëndrimi i Beogradit atëherë për çka negociohet?

“Sigurisht që u takon palëve, për Kosovën dhe Serbinë, që të përcaktojnë se çfarë saktësisht do të thotë normalizim, por mendoj se kur flasim për marrëveshje ligjërisht të detyrueshme, kjo tregon vërtet shumë. Së dyti, marrëveshja që arritëm në shkurt dhe mars të vitit të kaluar në Bruksel dhe në Ohër është marrëveshje që është ligjërisht e detyrueshme dhe e plotë. Këto u janë bërë të ditura palëve dhe ato janë dakord me këtë gjatë takimit tonë në Ohër. BE-ja e ka thënë disa herë që marrëveshja është ligjërisht obligative. Pjesë të kësaj marrëveshje janë bërë pjesë të kapitullit 35 të Serbisë që i bie se është pjesë formale e raportit në mes të Serbisë dhe BE-së. Po humbim shumë kohë për diçka që s’është shumë e rëndësishme. Por ajo që është e rëndësishme është se ne kemi bërë shumë pak progres nëse ka ndonjë në zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Kjo është çështja thelbësore”, ka thënë ai fillimisht.

Lajçaku ka vazhduar se situata tani dallon në krahasim me vitet e shkuara. Ai ka thënë se tani është “lojë tjetër”.

“Është një momentum i ri, që erdhi vonë, por është këtu. BE është serioze sa i përket anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai duke shtuar se BE-ja është e gatshme të pranojë anëtarë të rinj nga Ballkani. “Por kjo dritare e mundësisë s’do të jetë e hapur përgjithmonë. Kemi motivim më të madh për partnerët tonë që ta shfrytëzojnë këtë dritare. Perspektiva e qartë evropian është prej levave që BE-ja i ka. S’ishte këtu, por është këtu tani”.