Ndonëse edicioni 15 i konferencës ndërkombëtare “Forumi i Dobrovnikut” ka për fokus invazionin rus në Ukrainë, çështja e Kosovës ka qenë temë diskutimi e panelit ku kanë marrë pjesë zyrtarë të lartë të shteteve të rajonit dhe emisarë ndërkombëtarë për Ballkanin. Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se midis Kosovës e Serbisë “tri ose katër marrëveshje janë gati”. “Dy ose tri”, ka thënë ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz
Dy prej tri çështjeve më urgjente dhe më të rëndësishme në Ballkanin Perëndimor lidhen me Kosovën, ka thënë emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Në “Forumin e Dubrovinkut” të shtunën, Lajçaku e ka cilësuar dialogun si procesin më strategjik në rajon. Ka theksuar se ka hapa pozitivë e se së shpejti pret të finalizohen tri ose katër marrëveshje.
Ai ka lavdëruar dy palët për përkushtimin e treguar deri tash në dialog. Lajçaku ka thënë se ka pajtim me krerët e të dyja shteteve që ritmin e takimeve të përmuajshme në nivel kryenegociatorësh ta ngrenë në nivel liderësh.
“Normalizimi është në agjendë të liderëve, jo të kryenegociatorëve. Ata janë pajtuar të angazhohen më shumë dhe të definojnë se çka është normalizimi dhe si të arrihet aty. Këtë e pres në javët dhe muajt në vijim”, ka thënë ai në forumin e transmetuar online.
Lajçaku ka lavdëruar edhe nënshkrimin e udhëzuesit për zbatimin e marrëveshjes mbi energjinë në veri, në fund të qershorit. Pasi u shpreh se marrëveshja “sjell sundim të ligjit e transparencë” në këtë zonë, ai paralajmëroi se “tri ose katër marrëveshje janë gati”.
“Janë në nivel të avancuar të finalizimit. Shpresoj t’i përfundojmë së shpejti”, ka thënë ai.
Ndonëse edicioni 15 i konferencës ndërkombëtare “Forumi i Dobrovnikut” ka për fokus invazionin rus në Ukrainë, çështja e Kosovës ka qenë temë diskutimi e panelit ku kanë marrë pjesë zyrtarë të lartë të shteteve të rajonit dhe emisarë ndërkombëtarë për Ballkanin. Kosova u përfaqësua nga ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla–Schwarz, e cila diskutoi në panelin e së shtunës. “Kërkimi i baraspeshës në botën e çrregulluar” është tema e kësaj konference dyditore, që u hap zyrtarisht të premten, nga presidenti i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, dhe bën bashkë në qytetin bregdetar kroat figura të larta politike të vendeve të BE-së, NATO-s e përfaqësues organizatash ndërkombëtare.
“Çështja urgjente” e vizave për Kosovën
Në forumin me liderë të politikës së jashtme të shteteve të rajonit, Lajçak ka thënë se i takon Bashkimit Evropian ta përfundojë punën e vet për integrimin e Ballkanit Perëndimor. Ka shtuar se lëvizje duhet të ketë edhe nga shtetet në rajon.
Sipas tij, agresioni rus në Ukrainë ka ndryshuar gjithçka dhe se asgjë s’ka qenë imune nga impakti i luftës, përfshirë Ballkanin Perëndimor.
“Për shumë vjet ka pasur njerëz në BE që besonin se s’duhet të ngutet sepse Ballkani është në vend të sigurt dhe se s’ka asgjë të keqe që mund t’i ndodhë e të kujdesemi për agjendat e brendshme e më pas të merremi me Ballkanin. Agresioni rus ka treguar se kjo s’është e duhur. S’duhet të lëmë që rajoni të presë më. Duhet të kryhen punë”, ka deklaruar Lajçak.
Sipas tij, pos të gjitha të këqijave që ka sjellë, lufta në Ukrainë ndikimin pozitiv e ka shkaktuar në procesin e zgjerimit të BE-së sepse e ka kthyer në vëmendjen e liderëve. Ai ka porositur që këtë momentum të krijuar, BE-ja nuk duhet ta lëshojë nga duart.
Ish-ministri i Jashtëm i Sllovakisë ka thënë se BE-ja ka dështuar të tregojë lidershipin e njëjtë, si në luftën në Ukrainë, në rastin e Ballkanit.
Lajçaku ka numëruar punët që duhen kryer nga BE-ja dhe shtetet e Ballkanit për përafrim më të shpejtë. Teksa ka thënë se BE-së i duhet të tregojë lidership dhe të kthejë kredibilitetin e procesit të zgjerimit, ai ka numëruar katër proceset e nevojshme për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, shtetet e Ballkanit duhet të jenë më serioze me reformat e kërkuara, të jenë në përputhje me vlerat dhe qëndrimet e BE-së për sigurinë, të adresojnë çështjet e pazgjidhura dhe të tregojnë funksionim të bashkëpunimit rajonal.
“Të jem më konkret: Çështja më e rëndësishme dhe më urgjente është që më në fund të zhbllokohen negociatat e pranimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Baras e urgjent, pasi është tejzgjatur, është çështja e vizave për Kosovën. Tjetra, do të thosha, procesi më strategjik në Ballkanin Perëndimor është normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Lajçak.
Marrëveshja më e përfolur se mund të jetë gati është ajo për të pagjeturit. Këtë e pati përmendur edhe vetë Lajçaku në vizitën e fundit që pati në Kosovë më 29 qershor.
Një takim në nivel krerësh s’është mbajtur që nga darka joformale e Berlinit e 4 majit. Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishin takuar në Berlin me Lajçakun, gjatë kohës kur qëndronin në Gjermani me ftesë të kancelarit Olaf Scholz. Atëkohë, Lajçaku pati bërë thirrje për takim mes liderëve në korrik, para pushimeve në BE.
Gërvalla: BE-ja të mos presë luftë si në Ukrainë, ta integrojë Ballkanin
Edhe ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se është në dijeni se po priten që të arrihen disa marrëveshje. Megjithatë, ajo ka hedhur dyshime te serioziteti dhe angazhimi i Serbisë për dialog.
Gërvalla ka thënë se Kosova është e interesuar, por se problemi “është që Serbia duhet të jetë në gjendje ta kuptojë realitetin”.
Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk duhet të presë një tjetër luftë në Ballkan për t’i hapur rrugë integrimit evropian, siç bëri me Ukrainën me dhënien e statusit të kandidatit për pranim në BE tek pasi nisi pushtimi nga Rusia.
Në kuadër të “Forumit të Dubrovnikut” të shtunën, Gërvalla ka thënë se tashmë shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë dëshmuar se janë kontribuuese të jashtëzakonshme me vlera të përbashkëta në Bashkimin Evropian.
“U diskutua për dhënien e statusit të kandidatit për Ukrainën para se të niste lufta dhe, siç kemi parë, ka pasur shumë skeptikë që na thoshin se s’janë gjëra të mundura e se s’ka rrugë të shkurtuar. Më pas erdhi lufta dhe u mor vendimi i duhur që të ndihmohet. Është e rëndësishme që Ukraina ta fitojë këtë luftë. Mirë që ndihmohet jo vetëm me ndihmë politike, por edhe ushtarake e ekonomike. Është me rëndësi të mos pritet një luftë tjetër në Ballkan, duke qenë në gjendje ta përfshijë dhe integrojë këtë rajon evropian në Bashkimin Evropian, sepse është gjë normale për ta bërë”, ka thënë ajo, duke shtuar se shtetet e Ballkanit si Kroacia e Sllovenia tashmë kanë dëshmuar me kontributin e tyre në BE vlerat e shteteve të Ballkanit.
Në fjalimin e saj, Gërvalla ka thënë se ëndërron që të shohë një Bashkim Evropian i cili kupton potencialin e Ballkanit dhe një Bashkim Evropian që u qëndron pas fjalëve e premtimeve.
Ajo ka thënë se rajoni ka probleme, por ka shtuar se pesë shtete të Ballkanit Perëndimor janë rreshtuar me vlerat evropiane, me sanksionet kundër Rusisë.
Sipas saj, protestat e nisura së fundmi në Shqipëri dhe Maqedoni duhet të shihen me syrin që “tash është koha të veprohet dhe jo vetëm të flitet për integrimin e Ballkanit”.
Gërvalla ka kritikuar Serbinë si shtetin e vetëm të rajonit që s’ka vënë sanksione ndaj Rusisë.
“S’mund të heshtim për faktin se në Ballkanin Perëndimor një nga shtetet s’ka treguar se është pjesë e vlerave të BE-së me solidaritetin për Ukrainën dhe kundër kësaj lufte. Kjo duhet të ndryshojë”, ka thënë Gërvalla, duke shtuar se kjo s’mund të ndryshojë përmes fjalëve, por vetëm nëse në Serbi gjenden forcat demokratike që janë të gatshme ta bëjnë Serbinë pjesë të vlerave të BE-së. Në këtë rast, ajo ka thënë se Kosova është pro integrimit të Ballkanit në BE, por të bazuar në merita.
Ministri i Jashtëm kroat: Serbia ta pranojë realitetin që Kosova është e pavarur
Thirrje për pranim të realitetit dhe të Kosovës shtet, Serbisë i ka bërë edhe ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grliq Radman.
Radman u shpreh se Kroacia është aktive në dërgimin e mesazhit për pesë shtetet mosnjohëse të Bashkimit Evropian, duke theksuar se është shumë e rëndësishme të njihet pavarësia e Kosovës nga e gjithë BE-ja.
“Ne jemi aktivë në dërgimin e mesazhit në pesë shtetet mosnjohëse. E theksoj që të bëhen hapa konkretë për ta njohur pavarësinë e Kosovës si BE. Apeloj edhe te Serbia ta bëjë të njëjtën gjë, pasi është realitet”, ka thënë ministri i Jashtëm kroat.
Radman përsëriti se Kroacia përkrah integrimin evropian, anëtarësimin në NATO e liberalizimin e vizave për Kosovën.